Kaso Kosa: – Zoti Blushi, përshëndetje!
Ben Blushi: – Përshëndetje Kaso!
– Desha t’ju merrja një intervistë. Mundem?
– Sigurisht, Kaso! Unë kujt nuk i kam dhënë intervistë…
– Zoti Blushi! Së pari, desha t’ju pyesja: Përse quheni Ben dhe jo Arben?
– Prindërit e kanë ditur që do isha tip anglezi, ndaj. Tip snobi. Nuk pyesja për të tjerët dhe ç’do mendonin bota. I bëja gjërat sipas kokës time. I tillë kam mbetur, snob anglez. Madje, edhe sot, marrëdhëniet më të mira i kam me një anglez, Blerin.
– Keni marrëdhënie me Blerin?
– Sigurisht që kam, madje shumë të mira. Me Jetonin, apo siç njihet shkurt Toni Bleri, shkoj shumë mirë. Unë e njoha atë me Ramën.
– Tani, Toni ka miqësi më shumë me Ramën, apo me ty?
– Miqësi ka me mua. Biznes ka me Ramën.
– Zoti Blushi! Në artikullin tuaj të fundit “Fytyra, apo pasqyra”, kritikonit qeverinë. Madje, në të, ju bëni rreth 120 pyetje. Përse kaq shumë?
– Për të punësuar socialistët, Kaso.
– Nuk ju kuptoj!
– Po ja, o Kaso! Bëja pyetjet unë?
– I bëje…
– Pyetjet u botuan në gazeta dhe poshtë artikullit tim, njerëzit komentonin, duke sharë qeverinë. Edi Rama punësoi dhjetëra vetë që sharjet ndaj qeverisë të fshiheshin. Kështu, pra, me artikullin tim, unë kam ndihmuar në punësimin e socialistëve. Më kuptove tani?
– Ju kuptova zoti Blushi. Do të vazhdoni të shkruani artikuj?
– Do mendohem, Kaso, se jam në dilemë. Nëse shkruaj artikuj, punësohen më shumë socialistë që do fshijnë komentet ndaj qeverisë. Kështu, në vend që të ndihmoj çështjen time, ku shaj qeverinë për papunësinë, me artikujt, rrit numrin e të punësuarve. Ndaj jam në dilemë. Të bëj, a të mos bëj artikuj? Kjo është çështja.
– A mendoni ju, zoti Blushi se ndonjë koleg deputet do t’ju përkrahë?
– Të ta them troç? Jo! E di që asnjë nuk do të më përkrahë.
– Përse?
– Sepse nuk besojnë tek unë, Kaso. Më ka dalë nami që unë i lë në baltë. Sa siguroj ndonjë thelë për vete, nuk kujtohem më për ta.
– E vërtetë është kjo?
– Po ta them vetëm ty… Unë, qëkur isha i vogël, i lija të tjerët në baltë. E ke parë filmin “Beni ecën vetë”, besoj?
– Po, e kam parë.
– Skenari i atij filmi është shkruar për mua. Siç edhe e ke parë në film, mua më pëlqente që gjërat t’i merrja unë dhe, pasi i merrja, jo vetëm nuk isha mirënjohës, por edhe më lodhej goja të thoja “faleminderit”.
– Kuptoj! Pra, ju, zoti Blushi, jeni i sigurtë që kolegët tuaj nuk do t’ju përkrahin… Po zoti Nano?
– Zoti Nano ma ka mbyllur fare telefonin. Më ka marrë inat se ia futa radhën e parë. I mbeti qejfi pse veprova ndryshe, pasi nisa “Lëvizjen për mendimin ndryshe”.
– A do krijoni parti të re?
– Ça thua!? Partia do financa të shëndosha. Me ç’para ta mbaj partinë unë?! Me gorricat që mblidhja në fshat kur isha i vogël?!
– Po ç’do të bëni?
– Hiç, do pres. Inshallah humbasim në zgjedhjet vendore. Po humbëm, Rama do ndryshojë ministra. Po s’humbëm, humbas unë. Do vazhdoj të shkruaj sa të më bëjnë ministër.
– Thonë që do bashkoheni me LSI-në. Është e vërtetë?
– Ata do të bashkohen me mua, Kaso. E pe që asnjë nga deputetët e saj nuk reagoi kur shkrova artikullin, megjithëse i kritikoja?
– Faleminderit zoti Blushi!
Bisedoi me shaka Kaso KOSA
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)