– Jam 65 vjeç dhe jam në gjendje të mirë fizike përgjithësisht, prandaj këtë pyetje që kam, e bëj për psikolog. Harroj shumë gjërat e mia, më ka zënë frika se mos humbas kujtesën. Unë kam pasur një kujtesë shumë të mirë. Ju, çfarë më këshilloni? A ndikojnë streset familjare dhe si ta rregulloj këtë gjë? Faleminderit.

– I nderuar 65 vjeçar, ju urojmë shëndet dhe jetë të gjatë. Duhet të dini së pari se është normale që në njëfarë moshe të ndodhë ajo që ju ka ndodhur edhe juve, pasi në këtë moshë, fillojnë disa ndryshime biologjike që janë karakteristike edhe për shëndetin mendor të të moshuarve. Nuk po themi që ju jeni shumë i vjetër, por pikërisht në këtë moshë fillojnë këto ndryshime që ju përmendëm më sipër. Te disa persona bie mprehtësia e pamjes, te disa të tjerë bie mprehtësia e dëgjimit, e perceptimit, e të folurit, të cilat në njëfarë mënyre, mund të vështirësojnë bashkëveprimin shoqëror. Humbja e kujtesës nuk është element i pleqërisë, por i sëmundjeve të saj. Demenca përcaktohet si një përkeqësim i aftësive intelektuale, që shpesh është i një graviteti të mjaftueshëm për të ndërhyrë në funksionimin shoqëror dhe profesional. Defiçiti përfshin shumicën e aspekteve të njohjes, kujtesën primare dhe gjykimin. Ju keni edhe një arsye tjetër që keni këtë kujtesë të dobët, keni strese familjare dhe sigurisht që ato ndikojnë në kujtesë. Megjithatë, duke qenë se ju nuk keni probleme të tjera fizike dhe humbje të madhe kujtese, nuk duhet të shqetësoheni shumë. Ndonjëherë ky lloj fiksimi bëhet psikologjik dhe ju duket sikur vërtet po përkeqësoheni. Kurimi i këtij çrregullimi të kujtesës, sidomos në këtë moshë, aktualisht është i pamundur. Për më tepër, nëse e shikoni që përgjigjja jonë nuk ju qetëson disi, mund të kontaktoni drejtpërsëdrejti me një psikolog pse psikiatër për ta parë më nga afër problemin tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *