Në moshën 20 vjeçare, ti thua: «Uau, ti je muzikant!», ndërsa në të 30-tat: «Aha, qenke muzikant…». Pritshmëritë e 30 vjeçareve nuk janë të njëjta me ato të 20-veçareve, lidhjet dhe shpresat evoluojnë me kalimin e moshës. Kur je në të 20-tat, pret nga një lidhje që të zbavitesh, kërkon ende të fitosh eksperiencë nga jeta dhe do të dish se çfarë kërkon në një lidhje. Kur je në të 30-tat dhe do të gjesh një burrë, është pak a shumë njëlloj, vetëm se ke më shumë shanse ta kalosh natën në çarçafë sateni, sesa në një dyshek të vjetër dhe të qelbur. Ja, cilat janë 11 ndryshimet e mëdha mes lidhjeve dashurore në moshën 20 dhe 30 vjeçare.
1. Një takim dashuror në të 20-tat: Pijet alkoolike me cilësi të dobët, pihen në vend të ujit…
Një takim dashuror në të 30-tat: Pijet alkoolike me cilësi të lartë, pihen me kursim.
Në të 20-tat, ju pini ç’t’ju dalë përpara, ose më saktë, çfarë ju ofrojnë të tjerët. Dehja nuk është diçka e mirë, por e pranueshme në njëfarë mase në atë moshë. Në të 30-tat, ju i njihni tashmë limitet tuaja dhe pini verë cilësore, ose koktejlet që ju pëlqejnë.
2. Një takim dashuror në të 20-tat: «Uau, ti je muzikant!»
Një takim dashuror në të 30-tat: «Aha, qenke muzikant…»
Disa persona kanë karrierë krijuese. Në moshën 20 vjeçare, ata mund të futen nën klasifikimin «të papunë», ku përfshihen ndër të tjerë edhe artistët, shkrimtarët, aktorët, etj. Në moshën 30 vjeçare, ju duhet të keni mësuar të bëni dallimin, domethënë, se kush është vërtet artist dhe kush bën si i tillë…
3. Një takim dashuror në të 20-tat: Analizë mes miqsh, pas dështimit të një takimi: «Çfarë gabimi bëra?»
Një takim dashuror në të 30-tat: Analizë mes miqsh, pas dështimit të një takimi: «Ai nuk ia vlente»
Në të 30-tat, ju e dini se takimet e këqija janë sinjale alarmi për të evituar lidhje të dëmshme.
4. Një takim dashuror në të 20-tat: Nëse ka për të ngrënë, aq më mirë.
Një takim dashuror në të 30-tat: Patjetër që do të hamë!
Në të 20-tat, takimi në restorant vjen pas atij në një bar (në rastin më të mirë, do të ketë patatina të nxjerra nga çanta). Në të 30-tat, ushqimi është në qendër të aktiviteteve. Takimi juaj do të sillet rrotull zgjedhjes së restorantit, apo kompetencave kulinare mbresëlënëse të partnerit tuaj. Kështu, pavarësisht nga të tjerat, ju mund të thoni: «Të paktën ushqimi ishte i mirë».
5. Një takim dashuror në të 20-tat: Është e lehtë të zgjedhësh të brendshmet, të gjitha janë të bukura.
Një takim dashuror në të 30-tat: Ato duhet të jenë seksi dhe cilësore. Gjithashtu, duhet të fshehin ndonjë defekt këtu-aty…
Kur jeni në të 20-tat, gjithçka duket bukur në trupin tuaj. Ju keni besim në vetvete. Kur jeni në të 30-tat, trupi juaj ka ndryshuar dhe zgjedhja bëhet më e vështirë. Faktorët që duhen marrë parasysh janë: Kohëzgjatja e lidhjes, nëse ndjeheni e fryrë, sa lakuriq doni të dukeni, etj.
6. Një takim dashuror në të 20-tat: Kam kohë, nuk kam ndërmend të martohem që tani; të fitoj eksperiencë njëherë.
Një takim dashuror në të 30-tat: «O Zot! Pse jam akoma beqare? Do të vdes vetëm!»
Garfunkel dhe Oates (një dyshe këngëtaresh komike amerikane) e thonë në këngën e tyre të titulluar «29 vjeçe, përkundër 31 vjeçe»: «Mundësitë janë të pafundme, as nuk shqetësohem fare. Një ditë do të vijë ai i duhuri», këndon një vajzë 29-vjeçare, optimiste. Ja, si këndon 31 vjeçarja: «Nuk shoh askënd në horizont. Jam krejt vetëm. Pse prita kaq shumë? Çfarë nuk shkon tek unë?».
7. Një takim dashuror në të 20-tat: «Më erdhën menstruacionet! Shyqyr, se isha në ankth… Nuk jam shtatzënë!»
Një takim dashuror në të 30-tat: «Kur do të bëj fëmijë unë? A do të bëj ndonjëherë?»
Tik-tak, tik-tak… E dëgjoni sahatin tuaj biologjik? Duket pak si zëri i mamasë dhe bëhet gjithnjë e më i fortë.
8. Një takim dashuror në të 20-tat: Goja e tij është shumë seksi.
Një takim dashuror në të 30-tat: A është një person pjellor, a përputhemi gjenetikisht, a do të jetë baba i mirë?
Mbase ju nuk mendoni në mënyrë të ndërgjegjshme për aftësitë riprodhuese të personave me të cilët takoheni, por instiktet tuaja biologjike rrinë gjithnjë zgjuar. Në moshën 30 vjeçare, ju kuptoni, papritur, se një djalë që e do familjen e vet, ka një grup miqsh të qëndrueshëm dhe ju dërgon një sms shpejt. Kjo është shumë seksi.
9. Një takim dashuror në të 20-tat: «Oh, ti je i pabesueshëm!»
Një takim dashuror në të 30-tat: «Poshtë, majtas, të lutem!»
Në moshën 20 vjeçare, ju i kushtoni aq shumë vëmendje imazhit tuaj kur bëni dashuri (që të mos duken tulet), sa harroni ta shijoni si duhet. Në të 30-tat, ju e dini çfarë kërkoni në shtrat dhe mbi të gjitha, nuk jeni gati të prisni 5 minuta më shumë për të arritur orgazmën. Situata është më seksi për të dy.
10. Një takim dashuror në të 20-tat: «Ai është shumë i ndërlikuar, nuk kam nevojë për këtë!»
Një takim dashuror në të 30-tat: «Ai është interesant dhe i ndërlikuar»
Për një lidhje melodramatike, nuk ka më mirë sesa një tip artisti dhe rebel. Ai është pasionant, i paparashikueshëm, pra, shumë seksi… derisa lidhja përfundon keq. Në të njëzetat, ju mësoni nga kjo situatë (megjithëse me zemërthyerje). Në të 30-tat, ju zbuloni sharmin e djemve që janë emocionalisht të qëndrueshëm dhe me të cilët është e lehtë bashkëjetesa.
11. Një takim dashuror në të 20-tat: «Takimi i ardhshëm mund të jetë ai i duhuri!»
Një takim dashuror në të 30-tat: «Takimi i ardhshëm mund të jetë ai i duhuri!»
Dhe, e dini çfarë? Ka shumë mundësi të ndodhë kështu…