Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Prindërit më shitën te maqedonasit!

Përshëndetje gazeta “Intervista”. Para se të filloj me dramën e jetës sime, ju falënderoj që na jepni mundësinë të rrëfejmë historinë tonë. Fatin tim nuk ia uroj askujt, as hasmit, kur i thonë. Po prezantohem me emrin Anxhela. Jam nga Përrenjasi, një qytet i vogël afër Librazhdit. Në atë kohë kur jeta ime do ndryshonte, isha vetëm 27 vjeçe. Në familjen time jemi shumë fëmijë dhe jemi rritur si të gjithë, me një mijë e një halle e probleme. Shkollën nuk e kam kryer për arsye ekonomike dhe isha më e vogla nga të pesë fëmijët. Jeta në Përrenjas nuk shtyhej, as punë, as zanat nuk mund të gjeja. Bëja punë shtëpie dhe shpresat i mbaja vetëm te një fat i mirë. Ëndërroja si çdo vajzë dhe me timen, u mundova të bëja pajën e shumë gjëra të tjera. Të gjitha shoqet e mia ndërkohë po fejoheshin një nga një, kurse mua s’po më dilte fati. Mosha po më ikte. Prindërit më kishin hyrë me shkues në disa vende, por për arsye të ndryshme, fejesat nuk u bënë. Unë nga ana ime nuk kisha asnjë difekt fizik, ose problem tjetër. Kur i thonë një fjale: çështje fati. Ndërkohë, kushtet ekonomike po na vrisnin dita-ditës, të afërmit i kishim jashtë dhe shikonin jetët e tyre, pa na ndihmuar neve këtej. Një ditë, ndalon një kamion i madh mallrash me targa maqedonase përpara shtëpisë sime (shtëpinë në Përrenjas e kemi shumë afër me rrugën kryesore). U futa menjëherë brenda në shtëpi dhe pashë e çuditur nga dritarja pas perdes. Në fillim, dolën dy burra barkmëdhenj nga makina dhe iu afruan shtëpisë sime. Më hyri frika deri në palcë. Thashë me vete: “Po këta ç’patën kështu? Mos vallë më panë që u futa menjëherë brenda dhe u bëra përshtypje? A ndofta u ofenduan dhe erdhën të pyesin pse reagova ashtu…”. Vetëm njëri prej tyre u afrua, ndërsa tjetri qëndroi pak më larg derës dhe filloi të thërriste:
– O Musaaa… O Musaaaa!
Në këtë moment, dola sepse isha vetëm në shtëpi, prindërit ishin në fushë duke punuar.
– Kë kërkoni? – u thashë.
– Mirëdita, jam Pano, – më tha, – kemi lënë një takim me babain tuaj. Ndodhet aty?
– Jo, – iu përgjigja unë e habitur, pasi nuk i kisha parë më parë.
– Okej, po e presim te lokali buzë rrugës. Nëse vjen më parë në shtëpi, i thuaj pak… – më tha dhe ata të dy u larguan.
U mbylla brenda dhe fillova të pyesja veten se përse e kërkonin babain tim ata persona, por nuk u kushtova shumë rëndësi, mbarova drekën e mora një sy gjumë. Kur u çova pak më vonë, pashë mamanë në shtëpi paksa të mërzitur, duke parë televizor.
– Ku është babi? – e pyeta.
Mami: – Te lokali jashtë, aman virani…
– Pse, çfarë ka ndodhur?
– Asgjë bijë, asgjë, punë prodhimesh…
Mendova se kush e di çfarë pazari po bënte im atë për çmimin e perimeve të stinës dhe si gjithmonë, nuk po gjente një gjuhë komunikimi të përbashkët me maqedonasit, të cilët kërkojnë të blejnë lirë këtu dhe andej e shesin shtrenjtë. Nuk e dija që aty po bëhej pazari i jetës sime, po vulosej fati im, pa dijeninë time. Kam pasur gjithmonë besim te prindërit dhe isha shumë e sinqertë me familjen, por edhe si tip, nuk kisha bërë shumë në jetë me njerëz që t’i kuptoja mirë dhe nuk isha as e arsimuar, që të nuhasja situata të tilla në ajër. Më vonë, jeta me mësimin e saj, do të më bënte më të zgjuar, këtë që jam sot, që dita-ditës dëshpërohem dhe fle që në orën 8 të pasdites, duke e ngjyer jastëkun me lot… Erdhi babi në darkë në shtëpi, m’u duk i lumtur, fërkonte duart e i rrihte supet mamasë.
– Hë mo ba, ç’u bë? Kush ishin ata? – e pyeta unë.
– Asgjë, punë pune. – më tha mua dhe filloi të dërdëlliste nga dhoma tjetër në telefon. Nuk i dhashë shumë rëndësi dhe po u shërbeja darkën. Pashë pak televizor dhe u shtriva për të fjetur. Të nesërmen në mëngjes, dëgjova zhurma në shtëpi dhe zbrita poshtë në sallon. Pashë që kishin ardhur vëllezërit e mëdhenj, xhajat dhe një teze. U tremba me vete, thashë çfarë ka ndodhur dhe pashë prindërit menjëherë. Ata ishin shëndoshë e mirë, kështu që u qetësova, deri kur më thirri babai që të ulesha pranë tij. U ula dhe të gjithë sytë ishin nga unë.
– Do të të martojmë së shpejti! E kemi vendosur dhe ti nuk do ta bësh fjalën dysh. Rast më të mirë nuk ke ku gjen. – më tha.
– Çfarë? – mbeta gojëhapur.
– Do ta shohësh së shpejti…
Në këtë moment, u hodh vëllai i madh: – Do martohesh se mosha po të kalon dhe këta do vdesin, do mbetesh qyqe vetëm me shtëpinë!
Në ato moment unë u preva, shikoja mamanë, e cila nuk foli, iu mbushën sytë me lot dhe u zmbraps. E gjithë bota m’u përmbys, po më martonin me dikë që s’e dija kush ishte. Por kjo nuk ishte asgjë, pjesa më e fortë nuk kishte ardhur ende. Më ra si bombë kur babai më tha se burri im i ardhshëm do të ishte nga Maqedonia.
– Në asnjë mënyrë! Nuk e pranoj, pse nuk më the më para?! Mos ishte vallë dikush nga ata që të takuan ty dje? – i thashë me një frymë.
– Qetësohu, – më tha. – Kam menduar më të mirën për ty, për të ardhmen tënden. Nuk ke çfarë të bësh këtu. Më beso, asnjë nuk ta do të mirën sa unë.
U mërzita për ditë të tëra, por tek e fundit, nuk kisha çfarë të bëja. Ushqehesha nga ata, turp nga qyteti më vinte, ngaqë të gjithë po përflisnin se përse nuk po martohesha. Ç’faj kisha unë se të gjitha shoqet në moshën time ishin me fëmijë? U konsultova edhe me mamin dhe ajo ishte në një mendje me babin. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Thashë “ta provoj, mbase ky ishte fati im”. Po të më pyesni tani për atë zgjedhje që bëra atë ditë, them se do të kisha preferuar të bëhesha murgeshë, ose t’i jepja tjetër drejtim jetës time. Vazhdoni të më lexoni e do të më jepni të drejtë, se shumë shpejt do hyja në portat e ferrit…
Po të më pyesni tani për atë zgjedhje që bëra atë ditë, them se do të kisha preferuar të bëhesha murgeshë, ose t’i jepja tjetër drejtim jetës sime. Vazhdoni të më lexoni e do të më jepni të drejtë, se shumë shpejt do hyja në portat e ferrit…
Unë pranova të martohesha, pranova fatin tim, pa e ditur ç’do të më ndodhte më vonë. Nuk më bënë as dasëm e asgjë, ngaqë ne vuanim për bukën e gojës, por më premtuan se dasma do bëhej nga ana e burrit maqedonas. Nuk e kuptoja se pse krushqit erdhën shumë shpejt, dukej sikur të dyja palët nxitonin. Më morën në një provincë të Maqedonisë, shumë larg kufirit shqiptar. Ditën e parë bënë një ceremoni si tip dasme, ku ishin të ftuar edhe të mitë. Unë vetëm qaja në tualet dhe mezi e përmbaja veten kur isha mes njerëzish. Dhëndrri ishte një prej burrave në kamion, ai që nuk u afrua te dera. Ishte moshë e madhe dhe aty e takova për herë të parë. Dinte shqip pasi ishte marrë me biznese në Shqipëri. Sapo mbaroi ceremonia, më mori në shtëpinë e tij, më tregoi dhomën, shtëpinë e për veten dhe më tha se i vinte keq për mua e kushtet ku jetoja, por se gjithçka kishte marrë fund. Më tha se ai do të më bënte të lumtur. Më pas ne shkuam në shtrat ku bëmë një seks të pështirë, sepse unë nuk e ndjeja fare. Pësova një shok psikologjik dhe më vinte sikur po më përdhunonte e jo sikur po bënim dashuri. Nisa ta përbuzja veten, por kur shihja shtëpinë e kushtet e mira, ngushëllohesha disi. Në ditët e para flisja në telefon me të shtëpisë, që më thoshin se ishin mirë e të mos flisja kaq shumë me ta, pasi i përkisja tjetërkujt dhe të shihja jetën me të. Këtu filloi edhe tmerri im, pak e nga pak. Çdo ditë që agonte ishte ditë e re vuajtjesh për mua. Gjithçka nisi një ditë, kur siç po laja rrobat, pashë pasaportën e tij dhe zbulova se ishte 20 vjet më i madh se unë, 49 vjeç dhe jo 37, sa më thanë mua. U tmerrova, s’po e njihja më veten time. Nuk guxoja ta pyesja pasi ai u bë i ftohtë. Një ditë më duheshin gjëra për të gatuar e disa veshje të reja se po ndërronin stinët dhe dola në treg për të blerë disa rroba. Mora me vete rreth 30 euro dhe bleva veshje të reja për vete. Nuk e pyeta paraprakisht pasi mendova se duke qenë burrë e grua, nuk do ta shqetësonte kjo gjë. Kur erdhi, ai më pyeti i inatosur se ku ishin lekët. I shpjegova që bleva disa rroba për veten, i kërkova falje që nuk e pyeta dhe i thashë se nuk do ta përsërisja më, por ai më qëlloi dhe më tha:
– Çfarë bëre moj prostitutë shqiptare?!
Pas kësaj u shokova aq keq sa më ra të fikët dhe e gjeta veten pak më vonë në shtëpi tjetër, më të vogël, pa vjehrrën e vjehrrin, pa njerëzit e tij, që me thënë të drejtën, edhe kur isha në shtëpi, nuk është se më flisnin shumë. Ky u bë më i ftohtë, pothuajse u largua fare. Ishte një shtëpi në periferi dhe pa shumë shtëpi rreth e rrotull, si në izolim. Aty ai filloi të më keqtrajtonte. Unë kërkoja të flisja me familjen, por ai nuk më lejonte. Kaluan disa javë kështu dhe më tha se kishte filluar punë larg e se do vinte një herë në javë në shtëpi. Më sillte rroba të palara, më detyronte të bëja punë të rënda në fshat. Në ato momente, ai u bë njeriu më i urryer për mua. Kisha kuptuar që kisha ikur nga shiu në breshër, por i isha dhënë dhe lekë nuk kisha, që t’i ikja… Njëherë u mundova të arratisesha, por banorët maqedonas u tallën me mua dhe i telefonuan. Ai erdhi me të shpejtë dhe më rrahu. Kuptova që isha kthyer në të burgosurën e tij dhe nuk kisha ku të shkoja. As të shtëpisë, asnjë njeri nuk u bë i gjallë për mua. Kalova në depresion dhe u sëmura, por ai, në atë moment, u bë i mirë. Kisha ndryshuar shumë, më kishte ikur e gjithë bukuria dhe isha kthyer në një grua shpatulldalë. E kuptoja që ai kishte një gjë që sillej mirë. Papritmas më çoi në spital e më tha se isha shtatzënë e se i vinte keq që prej tij, jeta ime ishte kthyer në makth. Ai tha se prindërit e mi më kishin shitur për 5000 euro tek ai. Marrëveshja ishte bërë mes tij dhe babait e vëllait tim. Kishin rënë dakord që të mos më kërkonin më kurrë dhe se vetë maqedonasi, që ishte burri im, ishte i martuar dhe kishte një familje paralelisht, një femër që e donte shumë, por nuk e gëzonte dot me një fëmijë. Aty më ra të fikët dhe kur u zgjova, kuptova që nga hundët më kishte dalë gjak. Telefonova një kushërirë të largët nga numri i spitalit, një tek e cila kisha shumë besim e më pohoi një të vërtetë që më qartësoi shumë gjëra. Më tha se babai im, nuk ishte i imi biologjik, por vetëm nëna ishte e imja dhe isha produkt i martesës të saj të parë me burrin që i kishte vdekur. Unë e dija që nëna ime ishte martuar dy herë dhe gjithashtu, e dija që vëllai im i vogël nuk ishte biologjik me të dy prindërit, por jo unë! Thirra me zë të fortë, shkula flokët dhe pyeta Zotin se çfarë kisha bërë për ta merituar këtë? Po urreja ditën që kisha lindur. Po mendoja vetëvrasjen, por nuk e bëja dot, pasi tani flisja në emër të dy vetëve, edhe të foshnjës sime. Burri im, që nuk më bën dora ta shkruaj fjalën “burrë”, aq më shumë t’ia përmend emrin, përbindëshi më mirë, kishte pak dashuri për mua, kur mori vesh që isha shtatzënë. Atë ditë i kuptova të gjitha… pse babai më martoi aq shpejt, trishtimin e nënës sime dhe mallkova veten se gjithë këto kohë kisha qenë shërbëtorja e njeriut me të cilin mendova se kisha lidhur jetën. Nuk doja ta lindja as fëmijën kur e kuptova se tjetër dorë do ta përkëdhelte, s’do të mund të ishte i imi e ta rrisja unë. Nga gjithë vuajtjet që kalova dhe stresi, m’u shpif edhe kanceri në gji. Mos pyesni më. Gjithë të këqijat e botës mua m’u mblodhën, tek unë e shkreta. Jetë e ngatërrume. Kot që kam lindur. Prisni se nuk përfundon këtu…
Kafsha që e kisha burrë nga Maqedonia, i pashpirti, nuk përballonte dot shpenzimet e kurimit dhe detyrimisht, edhe fëmijën e abortova. Kjo ishte vrasje për mua. Nuk kish ç’më donte më, nuk isha as për punë e as për gjë. Më la të lirë e më tha vetëm që “nuk dola prodhim i mirë”. M’u duk vetja aq e përbuzur dhe më keq se jashtëqitja. Falë Zotit, rashë në kontakt me një fondacion grash në Maqedoni, të cilat më përkrahën, mbuluan shpenzimet e operacionit dhe më ndihmuan të kthehesha në atdhe… Të ishte për mua do kisha vdekur, por vazhdoj të jem e fortë për të ndihmuar të tjera si unë. Ka akoma shumë gra shqiptare nga Përrenjasi, fshatrat e Pogradecit etj., që martohen me maqedonas e serbë e fatet e tyre nuk dihen më. Nëse më pyesni a kam kontaktuar me të afërmit e mi, po ju them se nuk kam kontaktuar e as nuk kam ndërmend ta bëj. Vëllezërit e ai që e quaja baba, nuk kanë fytyrë të më dalin përpara, ndërsa nënën, ndoshta e shoh një ditë… Tani, unë jetoj në Tiranë, me qira, të cilën e paguaj me djersën e ballit dhe mundohem t’u vij në ndihmë atyre femrave që vuajnë si unë… pikërisht prandaj po e shkruaj këtë histori, që t’u jap atyre dy mesazhe: I pari është që, besoj se nuk ka kaluar njeri jetë më të keqe se unë dhe prapë vazhdoj të jetoj; gjejeni edhe ju forcën dhe e dyta, sado keq të jetë Shqipëria, nuk je e humbur siç je jashtë shtetit, mes njerëzve të huaj…
Duke ju falënderuar që keni lexuar hidhërimin tim, unë ndjehem pak më mirë që e ndava me ju… dhe mos harroni se çfarëdo që të ndodh në jetë, sekreti qëndron të ecësh përpara derisa të ketë dhënë frymë Zoti, se përderisa ke frymë, jeton për diçka.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Gjermania

Next Post

Jemi të papunë. Përfitojmë kompensim nga rritja e energjisë?

Advertisement