Manueli, djaloshi nga Italia që po bën përpara në konkurrimin e tij në X Factor Albania, ka, veç të tjerash edhe një grup shoqëror që e ndjek nga Italia dhe që përpiqen të bëjnë tifo për të, në mënyrën e tyre. Ariana di Paolo, një nga shoqet e tij më të afërta, thotë se pranimi i tij në X Factor Albania, ka qenë një burim lumturie dhe entuziazmi për të dhe familjen e tij.
“Kur Manueli na tha se e kishin pranuar, u mahnitëm. Koha para nisjes së tij ecte shumë shpejt; me shumë gjëra për t’u përgatitur, me shopping, me propozime për këngët që duhet të zgjidhte. Pjesa më e vështirë ka qenë ajo, kur na duhej ta ndihmonim për të përgatitur valixhet, sepse mori plot tre valixhe të mbushura me rroba. (Qesh) Ishim që të gjithë shumë të emocionuar. Për Manuelin, kënga ka qenë gjithmonë ëndrra e tij e madhe; për të, muzika është vetë jeta dhe, pas shumë kohësh, meritonte që dikush ta vlerësonte talentin e tij. Çdo herë që e shohim në skenë, përjetojmë një emocion shumë të madh dhe tani bëjmë shaka me të dhe i themi të mos kthehet më në Romë! (Qesh)
Të hënave, para orës 20:00 na ke të gjithëve të lidhur pas ekranit për të ndjekur “X Factor”. Mblidhemi të gjithë bashkë, i telefonojmë njëri-tjetrit, për të shkëmbyer mendimet tona në lidhje me performancën e tij dhe duartrokasim sikur të jemi atje. Duke qenë të shumtë në numër, duket sikur jemi në stadium! Ka nga ne që kanë ardhur edhe ta shohin. Unë, për shembull, kam ardhur disa herë në Tiranë, në studiot e TV Klan, për ta parë Manuelin live… Dhe, meqë po i tregojmë të gjitha, po ju tregoj edhe nja dy bestytni të vogla që kemi… Manueli bën një selfie para çdo performance, kurse unë, çdo të hënë, para se të shoh shfaqjen, vesh të njëjtat rroba, qoftë nëse jam në Romë apo në Klan. Ne i urojmë shumë suksese Manuelit, sepse e meriton”.
Advertisement