Një 46 vjeçar nga Vlora, kuzhinier, ish-emigrant dhe prind i dy fëmijëve të vegjël. Kështu u prezantua Kreshniku me hyrjen e tij në Big Brother, nga i cili priste çmimin e madh, që më në fund, të blinte një shtëpi për familjen e tij. Por… me sa duket, shumë shpejt do t’i humbte shpresat për të fituar. Pse? Jua thotë vetë ai!

Besarta Luga: – Kreshnik, si po të duken këto ditë jashtë Big Brother?
Kreshnik Xhaferaj: – Interesante janë… më përshëndesin njerëzit në rrugë… Këtej nga Vlora nuk janë të kënaqur me mua, sepse duhet të jepja më shumë, por unë nuk dilja dot nga vetvetja. Në Big Brother isha ai që jam në jetën e përditshme.
– Çfarë të thonë konkretisht?
– Po ja… që duhet të isha më aktiv në debate. Më thonë se kam qenë pak pasiv në lojë.
– Po ti, je i kënaqur me veten tënde?
– Në fakt, unë kam marrë pjesë në debate atje, por sidomos javën e parë nuk kam dhënë maksimumin, sepse isha pak si i bllokuar… Java e parë ka qenë si asnjëherë tjetër, e mbushur me debate dhe me zënka që ju i keni parë tashmë.
– Dhe meqë jemi këtu… Cili ishte qëndrimi yt në debatin Edison-Sokol?
– Unë mendoj se ka qenë diçka e gabuar edhe nga Sokoli, që ia tregoi me gisht “ta tregoj unë kur të dalim jashtë”, por edhe provokimi i Edisonit qe i papranueshëm sepse ishte ai e provokoi Sokolin. Megjithatë, unë mendoj se ata e kanë gjetur gjuhën e përbashkët jashtë.
– Le të kthehemi te dalja jote këtë javë… Si mendon, pse u eleminove?
– Mendoj se publiku ka pritur më shumë nga unë, sidomos ata që më njohin realisht dhe që e dinë se si jam unë.
– Si ndiheshe në atë shtëpi, mendon se ajo ishte bërë për ty?
– Shtëpia ishte e shkëlqyer, e ideuar shumë bukur, shumë luksoze, ngjyrat ishin perfekte. Për mua, ajo ishte shtëpia ideale…
– E kam fjalën për njerëzit, për ata që të rrethonin…
– Mua nuk më përshtatej asnjëri atje, përveç dy vetave. Të tjerët ishin jashtë botës sime. Këta dy vetë ishin Fatjon nga Skrapari, deri diku edhe Tea, për të mos përjashtuar një të tretë, zyshën, që ka qenë shumë afër nmeje dhe kur kam pasur nevojë, më ka mbështetur, jo për çekun që më dha, por edhe më përpara. Në momentin kur unë e ndava mendjen që të largohesha nga loja, më tha “ti duhet t’u japësh shembullin tënd fëmijëve të tu, se për ata ke ardhur”.
– Çdokush futet në Big Brother për çmimin… Kur u fute dhe i njohe banorët, t’u shtuan apo t’u pakësuan shpresat se do ta merrje ti atë çmim?
– Me sa i pashë unë banorët, nuk e gjeja dot veten time tek ata atje, ishte e pamundur. Për lojën ishin më të përshtatshëm ata, pasi me sa kam parë unë, kanë pasur edhe në jetën e përditshme situata të tilla si ato që krijoheshin aty. Kur i pashë, e humba shpresën që do të fitoja…
– Mendon se diçka që të penalizoi ishte edhe mosha?
– Mua më pemnalizoi fakti që dola të pija cigare dhe që hyra në nominim. Pastaj, edhe mosha ma merr mendja mua, të penalizon, sepse isha më i madhi i të gjithëve. Është e vështirë të përshtatesh me moshat më të reja.
– Në një analizë të fundit, a mund të themi se Big Brother është një format më i përshtatshëm për moshat e reja?
– E drejtë është kjo, por unë mendova se atje do të kishte edhe banorë afër moshës sime, që të gjeja edhe unë veten diku, mirëpo, isha shumë larg tyre…
– Si mendon, çfarë duhet të kesh për të qenë i pëlqyer nga publiku i Big Brother?
– Duhet të jesh nga ata njerëz që provokojnë debate dhe ata që kanë idera të ndryshme. Ndoshta intrigat që bëjnë atje brenda janë të pëlqyeshme për publikun për të nxjerrë në pah se kush është i vërtetë e kush luan lojën.
– Çfarë përfaqësove ti në atë shtëpi?
– Unë nuk shkova me ndonjë strategji, por që të tregoja veten time për atë që unë jam. Nuk është se jam munduar shumë të tregoj ndonjë gjë të veçantë. Unë ky jam dhe me këtë mendje shkova në Big Brother, që të tregoja se si unë ka plot në jetën e përditshme. Besoj se këtë kam arritur ta tregoj.
– Nëse propozimi që iu bë Stilianit, do të të ishte bërë ty, si do të kishe vendosur?
– Do ta kisha të vështirë të jetoja në një dhomë të mbyllur për kaq ditë…
– Por ai nuk e dinte këtë, kur iu desh të vendoste…
– Po, ke të drejtë… Kur të ma bënin propozimin nuk do ta dija se ç’do të më priste, por unë për veten time nuk besoj se do të merrja vendimin që mori ai.
– Të kishte marrë malli për fëmijët? Mendon se do të mund ta përballoje qëndrimin larg familjes edhe për 100 ditë?
– Malli më mori për familjen, por do ta kapërceja, nuk është se ishte një gjë e jashtëzakonshme. Unë këtë gjë e kisha marrë parasysh. Më shumë i kishte marrë malli fëmijët për mua sesa mua për ta, se ata janë të vegjël, kuptohet, djali është shtatë vjeç dhe afërsisht gjashtë vjeçe vajza…
– Si të pritën ata kur shkove?
– Kur trokita në derë, derën e hapi djali dhe direkt ia plasi të qarës. Nuk më është ndarë që nga ajo ditë e deri më sot. Jam shumë i lidhur me fëmijët dhe i them edhe gruas ndonjëherë: “Mos u bëj xheloze se më duan mua më shumë”. (Qesh) Ajo thotë se është 24 orë me ta dhe se jam unë që u mungoj…
– Kush duhet të shkojë patjetër në finale?
– Unë nuk jam shumë i mirë për parashikime, por po e them mendimin tim. Në finale do të vejë zysha, Kika, Fatjoni. Këta të tre kam parashikuar unë. Të tjerët nuk më duken edhe aq të fortë…
– Ç’mendim ke për Kikën?
– Kika bën një lojë me autosarkazëm për veten e tij dhe për të tjerët. Ka zgjedhur atë lloj loje dhe e bën shumë mirë, mendoj.
– Është herët për të bërë parashikime, ndaj po të pyes vetëm për atë që të do zemra… Cili dëshiron që ta fitojë Big Brother?
– Unë dua që ta fitojë Fatjoni, më pëlqen shumë ai.
– Ke ndonjë gjë për të shtuar?
– Jo, nuk kam për të shtuar asgjë, përveçse t’ju falënderoj për këtë intervistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *