Producentët Zzap&Criss kanë arritur të sjellin në tregun muzikor një sërë këngësh të suksesshme, një prej të cilëve është edhe bashkëpunimi mes Evës dhe Getinjos në “Sjena mo”, një këngë e kohës, me muzikë, tekst dhe pamje që tërheqin vëmendjen. Eva, bukuroshja që përsërit vazhdimisht refrenin “Hala të mbaj në mendje, s’muj me t’nxjerr prej zemre” na tregon për veten, klipin, ambicien për muzikën, miqësinë me Kidën, si e mendon ajo një lidhje dhe plot të tjera… Mos e humbisni!
Ariana Bregu: – Eva, si një emër i ri në tregun muzikor, çfarë duhet të dimë për ty?
Eva Ndoja: – Unë jam 25 vjeçe dhe në tregun shqiptar jam një artiste e re, sa i përket imazhit dhe jo përvojës, pasi kam vite që të kënduarit e ushtroj si profesion. Kam kënduar që fëmijë dhe kjo është ëndrra ime, nuk është një dëshirë që më lindi papritur, por e kam pasion.
– Ke 3 klipe tashmë, por më the që ky është klipi i parë në stilin tënd… Ishte e nevojshme të eksperimentoje, përpara se të shfaqeshe në stilin që të përfaqëson?
– Po, ky është klipi im i tretë dhe te të tre jam munduar të jap maksimumin, s’kam kursyer as energjitë e mia, as shpenzimet, asgjë, por ky rezultoi më i suksesshëm, u prit shumë mirë, edhe pse e dija pak a shumë. Nuk ishte e nevojshme të eksperimentoja, e dija mirë çfarë më duhet mua, por bëra zgjedhje të gabuar zhanri. Megjithatë, nuk është e thënë që duhet të godasësh me të parën; me hapa të vegjël e të sigurt arrin më larg. (Buzëqesh)
– Nëse dikush të pyet se çfarë muzike bën, si do ta përshkruaje muzikën tënde?
– Si muzikën e kohës! Shkojmë gjithmonë me kohën e me trendet e reja, në mënyrë që ta shijojnë të gjithë.
– Pse ishte Getinjo i duhuri për këtë duet?
– Në fakt, Getinjon ma propozuan producentët e mi, Zzap&chris, të cilëve u besoj shumë dhe idetë, mendimet e gjithçka u përshtat më së miri me Getin, ndaj edhe s’u mendova gjatë. Rezultoi të ishte i duhuri. (Buzëqesh)
– Me kë tjetër do të kishe dëshirë të bëje një bashkëpunim?
– Nuk e di, të mirë ka shumë… Ndoshta me Getoar Selimin; atë e dëgjoj më së shumti kur kam kohë.
– Ka ndikuar kënga në më shumë oferta për koncerte?
– Sigurisht dhe kjo më bën të punoj shumë për këngën tjetër, që të mbeten të kënaqur me mua kur të filloj të jap koncerte.
– Në komentet poshtë klipit, binin në sy vlerësimet për fizikun tënd. Ç’ndjesi të jep kjo?
– Pa dyshim që ndjehem shumë mirë, mbi të gjitha sepse përveç fizikut, kanë vlerësuar edhe këngën, zërin, punën. Kjo më ka bërë të ndjehem jashtë mase mirë.
– Eva, unë, ti dhe të gjithë e dimë që këngëtare të reja dalin çdo ditë dhe një pjesë e mirë e tyre, siç vijnë edhe ikin, pa lënë asgjë pas. Çfarë ke ti që nuk e kanë të tjerat, diçka që të shquan automatikisht nga “turma”?
– Është e vërtetë kjo, por fatmirësisht, mua nuk më tremb ky fakt. Mendoj se kur ke talentin, ambicien, dëshirën e madhe për ta aritur diçka, është vetëm cështje kohe derisa ta arrish. Pastaj, sigurisht, duhet të dish të mbash atë që ke arritur. Mua më ndan nga turma fakti që e dashuroj muzikën, jam në gjendje të heq dorë nga shumë e shumë gjëra e nga muzika jo, kështu që ju siguroj se thjesht, nuk do të ndalem. Të mos harrojmë se në këtë fushë të ndihmon shumë edhe fati dhe unë, deri tani, e konsideroj veten me fat.
– Pjesa më e bukur e të qenit këngëtare…
– Nuk mund të veçoj asnjë pjesë, çdo moment është i bukur.
– Cilët janë këngëtarët e tu të preferuar në treg, për momentin?
– Dafi dhe Kida, Getoari dhe Ledri.
– Vura re që ke shumë foto me Kidën… Si ka lindur miqësia mes jush?
– Kida është shoqja ime. Siç e përmenda, unë punoj me producentët Zzap&Chris dhe Kida është pjesë e grupit “ON RECORDS”, ndaj jemi njohur në studio. Kida dhe çunat po ashtu, më kanë përkrahur shumë në gjithçka, më kanë afruar dhe pjesën më të madhe të kohës na lidhi puna, kurse tani na lidh edhe shoqëria.
– Çfarë të pëlqen më shumë te Kida?
– Gjithçka. Mbi të gjitha, se është talent. Jo se është shoqja ime, por është vërtet e kompletuar.
– Nëse do të ishe një këngëtare pa talent, çfarë do të ishe duke bërë tani?
– (Qesh) Ndoshta duke dëgjuar non stop një këngëtare me talent, që të mësoja diçka.
– Cilën e konsideron natën më të çmendur të jetës tënde?
– Ka qenë nata e Vitit të Ri, që kaloi në mes të Parisit me një shoqen time të ngushtë, dy femra vetëm, në mes të gjithë atij Parisi, asaj turme komplet të pirë, të gjithë në botë tjetër! Thjesht, çmenduri… Vetëm s’do ta bëja kurrë më, edhe pse jam shumë guximtare. (Buzëqesh)
– Çfarë mendon se të ka rritur dhe zhvilluar më shumë si person?
– Shumë gjëra, fakti që që në moshë të vogël kam jetuar edhe ditë të vështira, kam kaluar shumë vështirësi, më ka rritur para kohe dhe gjithmonë i mendoj gjërat mirë para se t’i bëj.
– Një apo disa gjëra që të pëlqen të bësh për t’u argëtuar…
– Të bëj shopping, është e para (buzëqesh), pushime, të këndoj gjithmonë. Këto janë kryesoret, se ka plot të tjera.
– Sipas teje, cili është vendi perfekt për të performuar?
– Top Festi ndoshta.
– Çfarë mendon për publicitetin? Çfarë e ndan pubicitetin e mirë nga ai i keq?
– Të gjithë e dimë që publiciteti shet, i mirë apo i keq qoftë. Edhe pse të gjithë artistët mundohen t’i bëjnë publicitet të mirë vetes, shpeshherë bien edhe pre e publicitetit të keq. Fatkeqësisht, duhet t’i pranojmë të dyja rastet.
– Nëse do të ishe mashkull, çfarë do të të pëlqente tek Eva?
– Të them të drejtën, s’di si të përgjigjem, se unë jam shumë kritike ndaj vetes, por ndoshta buzëqeshjen. (Qesh)
– Cilat janë planet e tua të mëdha?
– Tani po punoj me këngën tjetër, ku do të shfaqem vetëm, prapë realizuar nga producentët më të mirë sot për sot, të cilët s’besoj se do t’i ndërroj ndonjëherë. Kënga mbaron dhe del nga fundi i muajit maj. Për sezonin veror, priten plane dhe surpriza të tjera, që besoj se do t’u pëlqejnë të gjithëve.
– Pjesa së cilës i jep më shumë rëndësi në realizimin e klipeve të tua…
– Mund të them se gjithçkaje. Jam e fiksuar deri edhe në detajet më të vogla, kështu që s’mund të veçoj asgjë. Dua që gjithçka të jetë në nivel.
– Nëse do të ishe e detyruar të dëgjoje vetëm një këngë apo një album për një kohë të gjatë…
– S’do të mërzitesha lehtë nëse do të dëgjoja “Rikthejm na” të Kidës. Edhe pse s’kemi qenë shoqe në atë kohë, e kam dëgjuar shumë. Gjithashtu, albumin do ta dëgjoja pa u mërzitur.
– Sa e përfshirë je në tekstet e këngëve të tua?
– Përveç ideve, tekstet e mia ia kam besuar reperit të suksesshëm Mozzik, i cili është edhe vëllai i Getinjos. Jemi në “ON RECORDS” e, me pak fjalë, gjithçka brenda familjes (qesh), s’dalim jashtë dhe s’jam përfshirë shumë, pasi kanë përkuar me idetë e mia.
– Ku i ke bërë pushimet e fundit?
– Edhe pse s’kam pasur shumë kohë, i kam bërë nga pak kudo. Jashtë Shqipërisë s’kam dalë vitin e shkuar. Këtë vit, të shohim sa do të na lejojë koha.
– Çfarë do të arrish tjetër në jetë?
– Dëshirat janë të mëdha, por duhet ecur me këmbë në tokë. Përveçse të merrem gjithmonë me muzikë, dua edhe të kem një familje të lumtur më vonë, kur të vijë koha.
– Çfarë bën kur nuk po të sheh askush?
– (Qesh) S’më kujtohet, s’e kam fiksuar.
– Kur ishe adoleshente, si ishte djali për të cilin të kishte rënë në kokë?
– Po si për çdo adoleshente, që e do të jetë i bukur si çun telenovelash. Shikoja shumë telenovela atëherë… (Qesh)
– Po tani, cili është tipi i mashkullit pas të cilit do të dashuroheshe?
– Eh, tani është e vështirë të thuash cili. S’është më si kur ishim adoleshente; nuk mjafton të jetë i bukur, pretendimet rriten. Sa më shumë rritesh ti, aq më e vështirë është të dish çfarë do, kërkon gjithmonë shumë e s’je asnjëherë e kënaqur.
– Pra, e ke apo jo një mashkull në krah?
– Edhe pse është e pabesueshme në kohët e sotme, më besoni që jo. Pse? Sepse janë dy gjëra: Sidomos në fillimet e një karriere ose e ke shumë krah, ose ta humb edhe gjithë atë që fillon të krijosh. Kam vetëm një fokus tani dhe më besoni, përveç karrierës, s’dua ta kem mendjen askund se dhe muzika do shumë dashuri, kështu që këtë dashuri do t’ia dhuroj muzikës, tani për tani.
– Do të shoqëroheshe me një fans?
– Po, pse jo?! S’ka asgjë të keqe, edhe unë kam qenë fansja e dikujt.
– Cila është një gjë rreth teje, që do të na surprizonte po ta dinim?
– Ah, normalisht, mund të ketë shumë që mund t’ju surprizojnë, por që nuk thuhen. (Qesh)
– Cili është libri i fundit që ke lexuar?
– “Djalli vishet me Prada”. Më kishte shpëtuar filmi pa e parë, kështu që lexova librin, ishte shumë i bukur.
– Cili është personi më i famshëm, më me peshë, numri i të cilit gjendet në telefonin tënd?
– Hëm, është sekret, nuk thuhet. Ndoshta me projektet e radhës, e kuptoni vetë. (Buzëqesh)
– Një moment i sikletshëm në skenë…
– Nëse do të rrëzohesha, ai do të ishte momenti më i vështirë. Shpresoj të mos më ndodhë kurrë.
– Cila është gjëja për të cilën je më shumë krenare?
– Familja ime. Gjithçka e bëj me forcën që më japin ata, veçanërisht mami im. Jam shumë krenare që gjithçka që bëj, asaj ia zbukuron jetën.