Cilët nuk intervistuam dot këtë javë? Nga ARTAN KRISTO
E lexuat gazeten “Intervista” te kesaj jave? Kishte shumë intervista interesante, apo jo? Por e dini se kishte edhe shumë personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…
EDI RAMA
Me kryeministrin Edi Rama këtë javë deshëm të bëjmë një intervistë për të shumëpërfolurin “dekriminalizim” të politikës shqiptare. A do të bëhet realisht ky dekriminalizim, se, pasi Doshi e Frroku u futën në burg, nuk po e dëgjojmë më të flitet për të? Si do të bëhet ai? Duke pritur prokurorinë të sjellë ndonjë “kokërr“ politikani të përzier me krimin, apo do të veprojë vetë parlamenti dhe partitë? Se, nuk na e ha mendja që Doshi dhe Frroku ishin « kriminelët » e fundit të Parlamentit, apo jo, zoti Rama?! Veç kësaj, a ndjen zoti Rama ndopak përgjegjësi që këta persona të kriminalizuar kanë zënë karriget e deputetëtve? Ka qenë zoti Rama ai që i ka zgjedhur ata, apo jo?!
Mirë dekriminalizim, po “dedebilizim” të parlamentit do të kemi?! A e shikon zoti Rama si të nevojshëm këtë?! A e ka vënë re ai se shumë nga deputetët e tij nuk dinë të lidhin dy fjalë dhe janë aty, ose sepse kanë shumë para (meshkujt), ose sepse kanë shumë bukuri (femrat)? Po për këtë ndjen ndonjëfarë përgjegjësie zoti Rama? A e kupton ai se ky parlament është me nivel shumë më të ulët, jo vetëm krahasuar me parlamentin e parë pluralist, por ndofta edhe me parlamentin e kohës së komunizmit, ku bënte pjesë edhe babai i tij?!…
NAMIK DOKLE
Këtë javë nuk mundëm të intervistojmë as deputetin Namik Dokle. Atë deshëm ta pyesnim për një thashethem që ka qarkulluar këto ditë në internet në lidhje me një batutë që thuhet se është e tij. Në fakt, ne besojmë se ajo batutë është vërtetë e tij, sepse ai njihet për batutat pikante, prej gazetari e dramaturgu të spikatur… “Eh mor Lame, e di që të hanë duart, por kandidat për kryetar, më duket, nuk zgjidhet ai që i hanë duart, por ai që i ha b…”, thuhet se i ka thënë ai Artan Lames. “Është vërtet ai autor i kësaj batute?”, deshëm ta pyesnim zotin Dokle. Dhe më tej, këtë konstatim ai e ka vetëm për kryetarët e bashkisë, apo për të zgjedhurit dhe të emëruarit në përgjithësi?! Deri ku shkon ky konstatim në Shqipërinë tonë të dashur, zoti Dokle?
SALI BERISHA
Si shpjegohet që nuk tha asnjë fjalë në parlament për akuzat e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për fallcifikimin e dokumenteve nga pararadhësi i tij Lulzim Basha? Pse e kaloi gjithçka me një shaka e me ironi?! Mos vallë janë të vërteta ato që thuhen se “Gjenerali” që përmendi zoti Tahiri nuk kishte pranuar të hapte zjarr pas urdhërit që kishin dhënë zoti Basha e zoti Berisha dhe një njeri shumë i afërt i zotit Berisha e kishte kërcënuar atë, e kishte qëlluar me grusht, i kishte nxirë syrin, i kishte marrë revolen dhe pasi kishte qëlluar demonstruesit, i kishte thënë: “Mos e zbato urdhërin për zjarr tani po deshe!”?! Mendon se do ta hedhin lumin përsëri edhe kësaj rradhe zoti Berisha bashkë me zotin Basha, duke pezulluar çështjen me shkelje afatesh, si në rastin e Rrugës së Kombit, apo me ekspertiza, si në rastin e çështjes Meta?! Ja, këto deshëm t’i pyesnim këtë javë pasi ndoqëm punimet e seancës plenare të së enjtes në parlament zotit Berisha, por nuk mundëm. Ai, madje, nuk doli si zakonisht as në konferencë për shtyp, pas seancës…
LULZIM BASHA
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar këtë javë se, asnjë kandidat i PD-së për zgjedhjet vendore nuk do të konfirmohet “nëse, së pari, ai nuk plotëson tri kushte: Të mos ketë rekorde kriminale, të mos rritë taksat dhe të zotohet se dera e tij ose e saj do të jetë e hapur 24 orë për qytetarët”. E drejtë kjo deklaratë e Bashës dhe ne e mbështesim atë, por mos vallë ka harruar diçka, zoti Basha? Mos duhet të shtonte se kjo deklaratë hyn në fuqi ditën e enjte? Sepse pikërisht një ditë më përpara, PD-ja shpalli si kandidat të saj për Bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziun, i cili është aktualisht në proces gjyqësor për korrupsion dhe vjedhje. Madje, të premten, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e dënoi atë me dy vjet burg për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim detyre”. Po sipas vendimit të kësaj gjykate, Xhelal Mziu, për dy vjet, nuk mund të ushtrojë funksione publike… Mbarë e keni filluar dekriminalizimin, apo jo, zoti Basha?!
MISHEL PLATINI
Një pyetje deshëm t’i bënim këtë javë Presidentit të UEFA-s, Mishel Platinisë. Pse Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA i dha në tavolinë Rusisë 3 pikë për ndeshjen Mali i Zi-Rusi, ndërkohë që kur ndodhi absolutisht e njëjta gjë në ndeshjen Serbi–Shqipëri, nuk veproi kështu?! Mos vallë duhet të jesh sllav që të kesh të drejtën me vete në UEFA?!
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)