Kush nuk do të jetë seksi dhe joshës, i nxehtë dhe tërheqës? Problemi është se disa probleme të higjienës, shëndetit, vetëvlerësimit, etj., mund ta largojnë dëshirën e personit që ke pranë. Joshja seksuale është një fenomen i shumanshëm dhe kompleks, por në qendër të saj, qëndron dëshira për të gjetur dikë me të cilin/ën do të bësh fëmijë. Fuqia, rezistenca, pjelloria, siguria dhe genet e mira luajnë rolin e tyre në lojën e çiftimit, apo në dëshirën e tjetrit. Edhe një puthje është një vegël testimi për disa. Një studim i vitit 2007 tregoi se gratë e përdornin puthjen si vegël për të vlerësuar partnerët potencialë, ndërsa meshkujt e përdornin atë si një vegël për të shtuar shanset që të ndodhte pllenimi. Ja, cilat janë disa nga problemet që e dëmtojnë jetën seksuale…
1. Sqetulla të djersitura
Gjatë lojërave paraprake edhe mund të djersitesh pak sepse kur shtohet eksitimi sekual, shtohet edhe temperatura e trupit dhe djersitja. Megjithatë, ka njerëz që djersijnë shumë. 2-3% e njerëzve vuajnë nga hiperhidroza, një sindromë ku personi djersin shumë, edhe pa u provokuar nga nxehtësia, lagështia apo stresi. Djersitja e tepruar mund të vijë edhe nga kushtet mjekësore, përfshi këtu sëmundjet e zemrës, çrregullimet nga ankthi apo kanceri. Ajo, gjithashtu, mund të jetë efekt dytësor i disa ilaçeve. Ju mund ta evitoni këtë djersitje duke krijuar kushtet e përshtatshme të mjedisit (përdorni ajrin e kondicionuar kur bën vapë) dhe me një higjienë të mirë, dush e deodorante, si dhe me mjekime që i pengojnë gjëndrrat e djersës të prodhojnë me shumicë, bile edhe botoksin, i cili, përveçse në estetikë, mund të përdoret edhe në mjekësi. Helmi botulinum i tipit A që ai përmban, përdoret për të bllokuar nervat e sqetullave që nxisin djersitjen.
2. Erë e keqe trupi, flokë të yndyrosur apo rroba që mbajnë erë të keqe
Pastërtia është seksi, sepse higjiena e mirë tregon edhe shëndet të mirë. Kështu, trupi i pastër favorizon eksitimin dhe e kundërta. Mbase shenja më e dukshme e mungesës së higjienës është era e trupit. Këtu futen era e keqe e gojës dhe djersitja e pakontrolluar (djersa nuk mban erë në fillim, por me kalimin e kohës, për shkak se krijohen kushtet për zhvillimin e bakterieve që shkaktojnë erën). Megjithëse njerëzit dhe kulturat ndryshojnë, nëse doni të joshni tjetrin, pastërtia është e domosdoshme. Dhe, mos e mbuloni erën e keqe me mente, duke shpëlarë gojën, apo duke përdorur parfumëra, por zhdukeni problemin që nga rrënja. Kjo do të thotë se duhet të laheni çdo ditë (bile më shpesh nëse bëni punë fizike apo fizkulturë) plus larjen e dhëmbëve, përdorimin e fillit interdental, larjen e gjuhës dhe përdorimin e antidjersës. Edhe rrobat, sidomos ato të punës, duhen larë shpesh, pasi bakteriet veprojnë edhe me sasinë më të vogël të djersës.
3. Trup i flashkët
Nga një perspektivë evolucioni, ne kemi tendencë të joshemi nga ata që duken të shëndetshëm për të bërë fëmijë. Dikush që ka trup të lëshuar dhe jo në formë, jep mesazhin “jo i përshtatshëm për çiftëzim”. Pavarësisht nga sasia e dhjamit të trupit (pak dhjam është mbrojtës), një trup në formë dhe tonik është shenjë e pjellorisë. “Grave u pëlqejnë burrat e fuqishëm e në formë dhe e njëjta gjë vlen edhe për burrat, të cilëve u pëlqejnë gratë me forma, por me trup tonik”. Për të pasur një trup të tillë, është mirë të bësh stërvitje me ushtrime kardio (për djegien e kalorive), si dhe me pesha, për shtimin dhe forcimin e muskujve. Nëse evitoni ushtrimet e forcës, do të keni më shpejt një trup të lëshuar. Konsultohuni me një trajner për programin që duhet të ndiqni.
4. Lëkurë me probleme
Spermatozoidët dhe vezët e shëndetshme prodhohen nga trupa të shëndetshëm. Kështu, kur kërkon një partner potencial, është instiktive të kërkosh shenja shëndeti në sipërfaqen e trupit të tij. Shumë kultura të Lindjes e kanë pasur traditë të vrojtonin pjesët e dukshme të trupit të dikujt, si gjuha dhe lëkura, si tregues të shëndetit. Lëkura e fytyrës me probleme, zakonisht, është shenjë që tregon se diçka nuk shkon mirë. Disa mungesa ushqimore në trup mund të shkaktojnë aknen, apo një lëkurë të zbehtë, disa mënyra të ushqyeri mund të shkaktojnë gjithashtu probleme në lëkurë. “Nënproduktet e qumështit, si qumështi dhe djathi, ose një dietë me shumë karbohidrate të përpunuara, sheqer e shumë yndyrë mund t’u shkaktojnë akne disa njerëzve”, thotë një doktoreshë amerikane. Këshilla e saj është të konsumohen sa më shumë perimet e freskëta, frutat dhe drithërat integrale, si edhe ushqimet që përmbajnë omega 3 (peshk, arra, sojë, etj).
5. Era e keqe e gojës
Kjo erë e largon menjëherë tjetrin. Një studim i vitit 2007 tregoi se gratë i kushtonin shumë rëndësi erës së gojës së atij që donin të puthnin. Ju mund të mos e kuptoni që ju kanë refuzuar për këtë arsye, sepse shumica e njerëzve janë aq të sjellshëm sa të mos thonë: “Të mban erë goja!”. Sipas një raporti të Shoqatës Amerikane të Dentistëve, afro 50% e njerëzve kanë erë të keqe goje në një moment të jetës dhe 25%, kanë halitozë kronike! “Shkaku më i zakonshëm janë problemet me dhëmbët, mishrat dhe gjuhën”, thotë një specialist. Ju mund të vërtetoni që keni erë të keqe goje duke lëpirë pjesën e pasme të dorës suaj dhe pastaj t’i mbani erë. Trajtimi bëhet duke larë dhëmbët çdo ditë, duke përdorur fillin interdental, si edhe një pastrues për gjuhën kur lani dhëmbët. Rastet serioze duhen trajtuar te dentisti.
6. Qëndrimi i keq
Një qëndrim i lëshuar mund të duket joshës në pamje të parë, por nëse mbani gjithmonë këtë qëndrim, nëse jeni djalë, mund të dukeni i dobët, dhe nëse jeni vajzë, e pasigurtë. “Qëndrimi me trupin drejt dhe me gjoksin lart, tregon besim në vetvete e tek aftësitë e tua seksuale, gjë që është shumë joshëse”, thonë specialistët. Përmirësimi i mënyrës së qëndrimit bëhet me dy mënyra: Së pari, duke bërë ushtrime fizkulturore dhe së dyti, duke mbajtur gjithë ditën një pozicion të mirë të trupit. “Nja dy ushtrime për kurrizin në mëngjes nuk janë të mjaftueshme për të evituar efektin e 10 orëve të qëndrimit të keq. Ju duhet të jeni vazhdimisht të ndërgjegjshëm për mënyrën si qëndroni, uleni dhe ecni”. Cilat janë disa nga ushtrimet që mund të bëni? Këshillohen shtriqjet e këmbëve dhe gjoksit. Gjithashtu, nevojiten ushtrimet për forcimin e shpinës, si tërheqja e llastikëve të fizkulturës, ngritja e girës me njërin krah dhe me të dy krahët.
7. Mungesa e energjisë
Mungesa e energjisë ul edhe sharmin e dikujt. Kur ndjehesh letargjik, ka gjasa të mos kesh shumë dëshirë për veprim dhe lodhja të bën të dukesh më pak joshës. Një studim i vitit 2010, i botuar në Gazetën Mjekësore Britanike, e përcaktonte nivelin e joshjes së atyre që ishin fotografuar pas një nate të mirë me gjumë dhe atyre që kishin fjetur vetëm pesë orë. “Një fajtor i zakonshëm është ngrënia e ëmbëlsirave, fast foodit jo cilësor dhe pirja e shumë alkooli apo pijeve me kafeinë”. Edhe mospirja e ujit, apo mosmarrja e sasisë së duhur të kalorive për të plotësuar nevojat për energji të trupit mund ta ulë energjinë. Gjithashtu, këtë rol e luan edhe mungesa e fizkulturës. Është një rreth vicioz, ju ndjeheni të lodhur dhe nuk doni të bëni fizkulturë, gjë që ju bën edhe më të lodhur. Por, nëse hani mirë dhe bëni fizkulturë, do të flini më mirë dhe do të keni më shumë energji, gjë që ju shtyn të bëni fizkulturë.
8. Pirja e alkoolit
Ndërkohë që një koktejl apo një gotë verë mund të relaksojë atmosferën, një person që pi shumë, nuk është aspak joshës. Jo vetëm kaq, por alkooli ka efekte negative në sistemin riprodhues dhe mund të ulë nivelin e testosteronit te burrat. Në një studim të vitit 1976, burrave iu dha alkool për katër javë. Niveli i testosteronit filloi të binte pas pesë ditëve dhe ra në mënyrë të dukshme në fund të periudhës së studimit. Te pijanecët, kjo pirje e vazhdueshme alkooli mund t’u shkaktojë burrave fryrje të gjinjve dhe tipare të tjera femërore. Gratë që pinë shumë, mund të ulin nivelin e hormoneve të tyre, duke shkaktuar një cikël menstrual të çrregullt dhe të ndërprerë.
9. Prezervativët
Të qenit të hapur ndaj SST-ve dhe dëshirës për fëmijë me partnerin krijon një intimitet mes të dyve që ju afron edhe më shumë. Thuhet se përdorimi i prezervativit ul ndjesitë gjatë seksit, megjithatë, sipas specialistëve “shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se, nëse një prezervativ vihet ashtu si duhet, mund ta shtojë kënaqësinë. Nëse ai është në masën e duhur, diferenca e vogël në ndjesi, krahasuar me kontaktin lëkurë me lëkurë kompensohet nga mendimi që je i sigurtë dhe nga fakti që edhe partneri yt kujdeset ashtu si duhet për sigurinë”. Edhe vënia e prezervativit nuk ka pse ndërpret aktin e dashurisë, “mësojeni ta vini në një mënyrë seksi”, thotë ata.
10. Monogamia
Njeriu velet edhe me bakllava, kur e ha përditë, thonë disa… Kjo është arsyeja pse epshi që lidh çiftet, ka tendencë të pakësohet. Këtu mund të hyjnë në lojë edhe faktorët neurologjikë. “Truri është më i prirur të kërkojë dhe shijojë gjërat e reja, sesa ato të parashikuara”, thotë një specialist psikolog. Kur një stimul i ri paraqitet, qoftë ai një ushqim i paprovuar më parë, ose një njeri i ri, aktivizohet zona e kënaqësisë në tru dhe çlirohet dopamina. Por kjo nuk do të thotë se duhet të lini shpirtin tuaj binjak. “Ju mund ta “gënjeni” trurin tuaj duke u përpjekur të jeni krijues dhe të bëni me partnerin tuaj diçka të re, që nuk e bëni normalisht. Ju, gjithashtu, mund të përpiqeni të rrini me masë me të, me qëllim që t’u jepni një shans neuroneve tuaja ta shohin atë si “diçka të re”, përsëri. “Distanca mund t’i afrojë njerëzit”, thonë ata.
11. Negativiteti dhe komentet e këqija për veten
Ankesat e ulin dëshirën. Edhe nëse ju mendoni se keni të pasme të mëdha, partneri juaj ka gjasa të mos e shohë, ose t’i pëlqejnë këto lloj të pasmesh. Kështu, evitoni komentet negative për trupin tuaj. Në vend të kësaj, pajisuni me një buzëqeshje të madhe që tregon vetëbesim. Gjatë një studimi të vitit 2010 iu kërkua njerëzve të vlerësonin fotot e disa grave që kishin një shprehje neutrale në fytyrë, ose një buzëqeshje. Fotot me buzëqeshje u vlerësuan si më joshëse. Buzëqeshjet janë vërtet tërheqëse. Në një studim të vitit 2008, një vajze 20 vjeçare me fizik mesatar iu kërkua të ecte në një bar me 15 burra të ulur në një tavolinë dhe t’u buzëqeshte atyre. Herën e dytë iu kërkua të ecte pa buzëqeshur dhe u vu re se burrat më shumë e shihnin dhe i afroheshin kur ishte e buzëqeshur.