1. Fruthi
Çfarë është: Një infeksion mushkërish shumë ngjitës
Si e merr: Virusi i fruthit kalon në ajër kur një njeri i sëmurë kollitet apo teshtin. Ai mund të mbijetojë deri në 2 orë në një sipërfaqe të prekur nga i sëmuri. Shumica e njerëzve që nuk janë imunizuar, pra 90%, preken prej tij kur janë afër një njeriu të infektuar.
Pse është serioz: Fruthi mund të shkaktojë pneumoni, enjtje të trurit dhe vdekje. Para vaksinimit, 3-4 milionë amerikanë sëmureshin nga fruthi çdo vit, 48 mijë shtroheshin në spital dhe 400-500 vetë, vdisnin prej tij.

2. Kolla e mirë (Pertussis)
Çfarë është: Një infeksion i mushkërive, që e bën të vështirë frymëmarrjen, për shkak të kollitjes së vazhdueshme.
Si e merr: Njerëzit mund ta marrin virusin nëpërmjet ajrit, kur një i sëmurë kollitet apo teshtin.
Pse është serioz: Infeksioni mund të jetë kërcënues për jetën, veçanërisht te bebet nën një vjeç. Kolla e mirë mund të shkaktojë pneumoni, ngërçe dhe ngadalësim apo ndërprerje të frymëmarrjes.

3. Gripi
Çfarë është: Një infeksion virusal i hundës, mushkërive dhe fytit.
Si e merr: Kur dikush me grip kollitet, teshtin, ose flet, pikat me viruse mund të shpërndahen deri në 2 metra larg. Njerëzit e marrin virusin nga ajri, ose duke prekur diçka që e ka prekur një njeri i sëmurë dhe më pas, duke prekur hundën apo gojën.
Pse është serioz: Afro 49 mijë amerikanë vdesin nga gripi çdo vit. Gripi, gjithashtu, përkeqëson astmën dhe diabetin.

4. Poliomeliti
Çfarë është: Një sëmundje virusale
Si e merr: Virusi i poliomelitit jeton në zorrë. Ju mund të sëmureni prej tij nëse bini në kontakt me feçet e një të sëmuri.
Pse është serioz: Shumica e njerëzve që preken prej tij nuk kanë simptoma, ose kanë simptoma që zgjasin një-dy ditë, por ai mund të shkaktojë infeksion të trurit, paralizë dhe vdekje. Poliomeliti ka qenë një nga sëmundjet më të frikshme dhe të përhapura të shekullit XX. Rastet e të sëmurëve me poliomelit janë pakësuar ndjeshëm falë vaksinimit, por sëmundja nuk është zhdukur ende.

5. Sëmundjet nga pneumokoku
Çfarë është: Një sëmundje bakteriale që mund të shkaktojë shumë tipe problemesh, përfshi këtu pneumoni, infeksion të veshit e gjakut dhe meningit (që prek trurin dhe shtyllën kurrizore).
Si e merr: Duke rënë në kontakt me mukozën apo pështymën e një të sëmuri.
Pse është serioz: Komplikimet e tij mund të jenë serioze dhe fatale. Pneumonia është veçanërisht vdekjeprurëse te njerëzit mbi 65 vjeç. Nëse shkakton meningitin ose infekton gjakun, ai mund të kërcënojë edhe jetën.

6. Tetanozi
Çfarë është: Një sëmundje bakteriale që shkakton spazma të muskujve, probleme me frymëmarrjen, paralizë dhe vdekje.
Si e merr: Bakteria që shkakton tetanozin gjendet në tokë, pluhur dhe pleh. Ajo mund të futet në trup nëpërmjet një prerjeje apo plage të hapur.
Pse është serioz: 10-20% të rasteve të tetanozit janë fatale. Vdekjet ndodhin më shpesh te personat mbi 60 vjeç, ose tek ata që kanë diabet.

7. Sëmundjet nga meningokoku
Çfarë është: Një sëmundje bakteriale që mund të shkaktojë meningitin, një infeksion e enjtje të trurit dhe të shtyllës kurrizore. Ajo mund të infektojë gjithashtu edhe trurin.
Si e merr: Ajo shkaktohet nga bakteriet që jetojnë brenda hundës dhe fytit të një personi të sëmurë. Mund të ngjitet nëpërmjet puthjeve, ose duke jetuar me dikë që është i sëmurë. Simptomat zakonisht fillojnë me temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe ngrirje qafe. Është e rëndësishme të diagnostikohet dhe trajtohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Pse është serioz: Afro 1000-1200 njerëz sëmuren në SHBA çdo vit prej saj dhe, me gjithë përdorimin e antibiotikëve, 15% e tyre vdesin.

8. Hepatiti B
Çfarë është: Sëmundje e mëlçisë, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B
Si e merr: Njerëzit me hepatit B e kanë virusin në gjak dhe në lëngjet e tjera të trupit. Të rriturit zakonisht e shpërndajnë atë nëpërmjet shiringave të përdorura, apo seksit. Një grua shtatzënë mund t’ia kalojë fëmijës. Hepatiti B është 100 herë më ngjitës sesa virusi HIV, që shkakton SIDA-n.
Pse është serioz: Ai mund të shkaktojë kancerin e mëlçisë apo sëmundje të tjera të rënda të saj, që mund të jenë vdekjeprurëse.

9. Turbekulozi
Çfarë është: Një sëmundje bakteriale që zakonisht prek mushkëritë.
Si e merr: Kur dikush me tuberkuloz kollitet apo teshtin, bakteria kalon në ajër dhe njerëzit e tjerë e thithin me frymëmarrje.
Pse është serioze: Tuberkulozi i patrajtuar mund të shkaktojë vdekjen. Tuberkulozi haset më rrallë në ditët e sotme, por ekziston si sëmundje kërcënuese në të gjithë botën.

10. Hib (Haemophilus Influenzae Tipi B)
Çfarë është: Një sëmundje bakteriale që prek mushkëritë (pneumoni), trurin apo shtyllën kurrizore (meningit), gjakun, kockat apo kyçet.
Si e merr: Disa njerëz e kanë bakterien e Hib në hundë apo fyt, por nuk janë të sëmurë. Kur ata kolliten apo teshtijnë, bakteria kalon në ajër. Më të rrezikuar prej saj janë bebet apo fëmijët e vegjël, sepse sistemi i tyre imunitar është i brishtë.
Pse është serioze: Para se të dilte vaksina kundër Hib, afro 20 mijë fëmijë amerikanë nën 5 vjeç, e merrnin Hib-in çdo vit. Afro 3-6% e tyre vdisnin prej saj.

Të reja
A është vërtet efikase homeopatia?
Agjencia Kombëtare e Shëndetit në Australi ka përmbledhur rezultatet e 225 studimeve mbi homeopatinë dhe sot vë në pikëpyetje efikasitetin e saj. Në një raport të Këshillit për Kërkime Mjekësore dhe Shëndetin Kombëtar, të publikuar javën e kaluar, hidhet poshtë efikasiteti i homeopatisë. Ky është një rezultat i papritur, duke patur parasysh që, sipas një studimi të vitit 2012, 56% e francezëve, pra, 27 milionë persona, e përdorin këtë mjekësi alternative.
Studimet janë përqendruar në 65 sëmundje dhe, ndërmjet pacientëve, një grup ishte trajtuar me homeopati, tjetri me një ilaç (efikasiteti i të cilit është provuar), ose nga placeboja. Pas analizave, shkencëtarët dolën në përfundimin se “nuk kishte asnjë evidencë të efikasitetit të kësaj mjekësie në shëndet”. Megjithatë, përfundimi i tyre nuk është kategorik dhe u hap dyert studimeve të tjera më të gjera.
Pas këtyre rezultateve, këshilli australian saktëson se homeopatia jo vetëm nuk shëron, por ajo nuk është as e padëmshme, si nga pikëpamja psikologjike, ashtu edhe nga ajo fizike: «Homeopatia nuk duhet përdorur për të trajtuar sëmundje kronike, serioze, apo që rrezikojnë të bëhen të tilla. Ajo bile mund të jetë e rrezikshme nëse i sëmuri refuzon të marrë trajtimet, efikasiteti i të cilave është provuar». Këto rezultate dekurajojnë ithtarët e shumtë të kësaj mjekësie që përdor përbërës natyralë në ilaçet e saj. Sipas një sondazhi, 39% e francezëve mendojnë se kjo mjekësi nuk mund të ketë asnjë efekt dytësor. Mbase ky studim mund të ndryshojë mendimin e shumë vetëve…

Copat e akullit të fast-food-eve, kanë më shumë baktere se uji i tualetit
Amatorët e fast-food-it rrezikojnë të zhgënjehen… Studiuesit britanikë kanë analizuar copat e akullit të 10 restoranteve fast-food zinxhir dhe përfundimi ka qenë i papritur: Ato përmbajnë më shumë baktere se uji i tualeteve! Pas skandaleve të ndryshme sanitare mbi përbërësit e ushqimit të fast-food-it, ja tani edhe pijet, që tregohen me gisht, sepse copat e akullit që hidhen nëpër gotat e koka-kolës dhe pijeve të tjera në këto restorante janë të mbushura me baktere.
Studimi është publikuar në revistën “Daily Mail”. Shkencëtarët kanë marrë akullin e përdorur në 10 fast-foode si McDonald, Burger King, KFC, apo Starbuck, si edhe kampione nga uji i tualeteve të këtyre restoranteve. Ata kanë zbuluar se shumica e copave të akullit kishin një sasi bakteresh më të lartë se uji i tualeteve. Për shembull, uji i tualeteve të McDonaldit kishte 260 mikroorganizma, ndërkohë që akulli, 1400, pra, 5 herë më shumë! Arsyeja e këtij problemi sanitar? Shpërndarësit e copave të akullit, që pastrohen më rrallë se tualetet, ndërkohë që dimë se i ftohti nuk i pengon bakteret të shumëzohen. Në disa raste të vrojtuara, ndotja bakterologjike bëhej edhe nëpërmjet kontaktit të akullit me një punonjës që nuk kishte larë duart…
Laboratorët shkencorë saktësuan se kampionet e marra nuk përfaqësonin një rrezik imediat për shëndetin, me përjashtim të katër prej tyre, që mund të konsideroheshin si «të rrezikshme në fushën e higjienës». Duam të shtojmë këtu se bakteriet e rrezikshme si e.coli mund të zhvillohen edhe në makinat e akullit. Disa nga fast-foodet e përmendura, si Burger King apo KFC deklaruan se i merrnin seriozisht rezultatet e këtij studimi dhe që do të rishihnin proceduart e tyre sanitare, ndërsa të tjera, si McDonald’s apo Starbuck i kanë kundërshtuar ato dhe kanë deklaruar se copat e akullit në pijet e tyre nuk ishin të rrezikshme për t’u konsumuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *