Blerina Çizmja: – Ylenia… erdhe në Shqipëri si këngëtare dhe po largohesh, duke marrë me vete dashurinë e shqiptarëve…
Ylenia Iorio: – Kjo do të thotë se kam arritur atë që dëshiroja! Doja të futesha në zemrat e njerëzve dhe shpresoj t’ia kem arritur.
– Çfarë do të thoshte për ty të përzgjidheshe për të qenë pjesë e X Factor dhe të bëheshe pjesë e kësaj ëndrre?
– E them me bindje se kjo ishte një mundësi e madhe rritjeje artistike; një synim më shumë për t’u arritur në rrugëtimin tim të nisur që në fëmijëri, të cilin po e vazhdoj me pasion dhe studim.
– I kishe provuar audicionet e këtij lloji në Itali?
– Kam qenë para disa vitesh në audicionin e emisionit “Amici” të Maria De Filipit, programi televiziv italian që aktualisht po bën të njohur talentin e madh të balerinës shqiptare Klaudia Pepa.
– Po me pjesëmarrjen në X Factor Albania, çfarë shpresoje të arrije?
– Duke qenë se jetojmë në kohën e globalizmit, jam e lidhur me Shqipërinë sepse një pjesë e gjakut tim amësor është arbëreshe. Ëndërroja të bëja një rrugëtim të mirë këtu dhe të paraqisja diçka timen në çdo performancë.
– Pretendoje çmimin e madh, si gjithë të tjerët, sigurisht. Je pak e zhgënjyer që konkurrimi yt u mbyll këtu?
– E zhgënjyer, jo. X Faktor, sidoqoftë, është një lojë dhe unë e kisha marrë parasysh mundësinë për të dalë prej saj në çdo moment. Në të vërtetë, nuk më ka interesuar kurrë që të fitoj, shpresoja vetëm të mund të tregoja veten në aspekte të tjera muzikore. Jam e lumtur që kthehem në shtëpi me shumë kujtime, emocione dhe kënaqësi.
– Çfarë të mori dhe çfarë të dha X Factor?
– Më bëri më të fortë. Kam punuar me profesionistë dhe jam përpjekur të bëj timen çdo këshillë dhe gjithçka tjetër që mnund të më bëjë të rritem artistikisht. Kam kuptuar se sa sakrifica ka pas një programi televiziv, por edhe sesa njerëzillëk dhe kënaqësi… qava shumë, kur m’u desh të shkëputesha nga kjo përditshmëri.
– Nëse të pyes për Albanin, jam e sigurtë që do të më thuash fjalët më të mira, kështu që s’po të pyes fare…
– (Buzëqesh) Albani është shembulli i gjallë i një bashkimi perfekt të një artisti të vërtetë me një njeri i thjeshtë. Shpresoja të ishte ai njeriu që do të gjykonte për mua dhe nuk do të resht kurrë së falënderuari që besoi tek unë. E vlerësoj shumë Albanin.
– Më thuaj pak, çfarë të thanë familjarët kur u tregove se doje të vijë në Shqipëri për të marrë pjesë në X Factor?
– Në fillim, nuk ishin dakord, por duke qenë shumë kokëfortë dhe e vendosur, u nisa për në audicion me një shoqen time sepse ishte e vetmja që e mbështeste vendimin tim. Gjithë të tjerët mendonin se ishte një çmenduri. Pastaj e kuptuan, veçanërisht familja ime, se kur unë dua të hipi në atë skenë… (Buzëqesh)
– Vazhdimisht gjatë spektaklit, i është mëshuar faktit se ti je arbëreshe, gjë që ti vetë nuk e ke thënë, nëse nuk të kanë pyetur. Është një detaj i parëndësishëm ky?
– Debutova në skenën e audicionit duke thënë se jam arbëreshe… nuk e kam konsideruar kurrë një detaj të parëndësishëm dhe do të më kishte pëlqyer të bëja një performancë me një këngë popullore arbëreshe sepse disa prej tyre janë aq të bukura, sa meritojnë të bëhen të njohura.
– Si u ndjeve këto kohë në Shqipëri? Cila ka qenë gjëja që të ka pëlqyer më shumë dhe ajo që të ka pëlqyer më pak në këtë vend?
– Jam ndier gjithmonë si në shtëpinë time dhe kam marrë me vete dashurinë e të gjithë njerëzve që njoha, të atyre me të cilët ndava skenën, por edhe jetën time prapa prozhektorëve. Kam provuar një emocion të fortë ndërsa i shihja duke qarë me mua. Ajo që më ka pëlqyer më pak është që e pashë fundin e të gjithë kësaj eksperience shumë shpejt. Tashmë, po projektoj një rikthim në Shqipëri…
– Shumë të huaj, kur vijnë në Shqipëri, thonë se u bëjnë shumë përshtypje njerëzit… Pse?
– Sepse shqiptarët janë shumë mikpritës dhe simpatikë…
– Ilenia, ti ke marrë mësime kantoje… Mendon se do të bësh përpara në këtë rrugë?
– Në mënyrë absolute, po! Po bëj disa ditë pushim për të shijuar pak kohë me familjen time, por do të rinis shumë shpejt studimet dhe do të vazhgdoj të punoj me projektet që kam ndërmend t’i çoj deri në fund. Kjo është jeta ime… kjo është rruga ime!
– Si cili këngëtar e sheh veten?
– Dëgjoj shumë muzikë, shpesh edhe këngëtarë jo shumë të famshëm. Jam rritur duke dëgjuar e studiuar zhanre të ndryshme muzikore dhe nuk mendoj t’i ngjaj askujt… Më pëlqen të vë diçka nga vetja në çdo këngë që interpretoj dhe këtë e kam kuptuar në momentin që fillova të shkruaja këngë. Në natën e dytë live të X Factor Albania interpretova “Me ty” të Elvana Gjatës, duke u përpjekur ta këndoja si të ishte kënga ime dhe duke vënë shumë nga vetja në të.
– Të kujtohet cila ka qenë kënga e parë që ke kënduar?
– Po, sigurisht, nuk kam ndërmend ta harroj! Ka qenë një nga emocionet më të forta dhe më të bukura të jetës sime… Këndova “I Surrender” nga Selin Dion dhe ndihesha si një fëmijë në Lunapark.
– Cila është motoja jote në jetë?
– “Beso gjithmonë, mos u dorëzo kurrë!”. Nuk duhet të reshtim kurrë së besuari në atë që bëjmë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë çfarë synojmë. Sakrificat shpërblehen.
– Çfarë këngësh mund të gjesh në MP3 playerin tënd?
– “Blovver’s daughter” të Damien Rice… Aq shumë e dua, sa qaj kur e dëgjoj.
– Ku do të doje të performoje më së shumti?
– Në Itali, ëndrra ime e madhe është Sanremoja. Në Shqipëri, ëndrra ime është Kënga Magjike, ose një koncert i Albanit.
– Nëse nuk je duke kënduar, çfarë je duke bërë?
– Më pëlqen të lexoj, të shkruaj dhe të udhëtoj… si dhe të qaj, ndërsa shoh një film.
– Ke ndonjë talent të fshehtë?
– Jam tip i vendosur, në gjithçka… dhe me kalimin e kohës kam mësuar të marr më të mirën, në çdo situatë. Mendoj se ky është talenti im i vërtetë!
– Cili ka qenë telashi më i madh ku e ke futur veten?
– Situata në të cilën, m’u desh të vendosja mes rutinës së një pune të qëndrueshme dhe të leverdisshme, vetëm e vetëm për muzikën. Jam rritur në ambientet e muzikës mes sallave të provave e mbrëmjeve muzikore… deri në atë pikë sa kur shikoha një ambalazh vezësh në supermarket, bërtisja e qaja sepse e doja për ta vënë në muret e shtëpisë sime, që t’i bëja rezistente ndaj zhurmave. (Qesh) Tani jam e bindur se nuk dua ta vazhdoj jetën time pa muzikën.
– A do të vish në Shqipëri, tani që nuk do të jesh më në X Factor?
– Një pjesë e zemrës sime ka mbetur në Shqipëri… Dashuria e shqiptarëve ndaj meje ishte e madhe… Kam bërë premtime që dua t’i mbaj.

Cilat janë gjërat pa të cilat nuk bën dot…
– …në jetë?
– Familja ime.
– …në skenë?
– Emocionet.
– …në dashuri?
– Respekti.
– …në shtëpi?
– Aroma e kuzhinës.
– …me shoqërinë?
– Sinqeriteti.
– …në një spektakël?
– Vendosmëria e pozitiviteti.
– …në një provim?
– Siguria në vetvete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *