Mes luleve të bardha
– U bë disa herë që e shoh veten mes luleve të bardha. A ka ndonjë kuptim dhe a mund të ma shpjegoni, ju lutem? Më ka zënë pak frika, s’e kuptoj pse…
– Përse duhet t’ju zërë frika? Ëndrra që keni parë është e bukur në thelb; qëndrimi në mes të luleve të bardha paraqet paqe të brendshme, butësi, harmoni, ekuilibër dhe kënaqësi. Po kështu, mund të jetë edhe një simbol i rilindjes dhe marrjes përsipër të një qëndrimi të ri në jetën tuaj, ose të shikuarit e gjërave në një mënyrë pozitive. Por, rëndësi ka që në përgjithësi, ëndrrat me lule kanë kuptim pozitiv. Rrallë ndodh që ato të paraqesin një lloj melankolie apo trishtimi.
Fallxhorja dhe parashikimi
– Nëse shikon në ëndërr një fallxhore e cila të thotë që në filan datë do të martohesh, si duhet ta kuptoj? Pres një shpjegim, nëse mundeni. Faleminderit.
– Fallxhoret nëpër ëndrra nuk janë shenjë e mirë, sepse përfaqësojnë përgjithësisht të keqen, mendimet negative, frikën, dyshimet për të ardhmen. Edhe parashikimi që ka bërë fallxhorja, s’ka lidhje me ndonjë martesë të mundshme, por tregon pavendosmëri dhe shqetësime për të ardhmen, pikërisht në lidhje me dashurinë. Mos i merrni parasysh ëndrra të tilla me fallxhore, sepse të rralla janë parashikimet pozitive me fallxhoret.