Sot plasi “bomba”. Prokuroria kërkon arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frroku. “Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetevë të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore, kriijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë.
Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami.
Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a deshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.