Nënë Terezës

– Atje ku kishte varfëri
Ku ishte zija e bukës
Atje shërbeu me dashuri
Misionarja e Kalkutës
Atje ku lufta gjëmonte
Nga marrëveshjet ogurzeza
Natë e ditë në këmbë qëndronte
E palodhur Nënë Tereza
Ty të thërrisnim “nënë”
Për të varfërit nënë je bërë
Megjithëse fëmijë nuk linde
Si fëmijë i doje të tërë
Për t’u dhënë jetë të tjerëve
Ti shpërfille jetën tënde
Mes të varfërve dhe të mjerëve
Me dashuri të thellë prej nëne
Kur të tjerët hapnin plagë
Në zyrat e diplomacisë
Ti plagët ua shëroje
Me forcën e dashurisë
Ti ishe univers më vete
Nënë Tereza e Shqipërisë
Për të gjithë ishe dhe mbete
Perëndeshë e dashurisë
Të plagosur, të gjymtuar
Sytë e tu çfarë kanë parë
Vrapoje për t’i mjekuar
Me shpirt e zemër të vrarë
Ti shërbeve pa kufi
Nuk njohe barrierë e doganë
Që nga jugu në veri
Në gjithë botën anembanë
Përuleshim përpara teje
Diktatorë e presidentë
Menjëherë të jepnin leje
Të shërbeje në çdo vend
Tetëdhjetë vite mbi supe
Me hap të lehtë si sorkadhe
Pleqërisë i thoje “tutje”
O nëna me zemër të madhe
Kushdo që shikonte ty
Të gjithë të habitur mbetën
Nga të vjen gjithë kjo energji
Nga dashuria për jetën
Fjala shumë e ngrohtë
I ngrohu njerëzit si diell
Ti ishe engjëll në tokë
Engjëll u ktheve në qiell
Vdiqe me të mjerët në mendje
Nëna me shpirt të gjerë
Të shkruash për jetën tënde
Duhet prerë një pyll i tërë. Gjokë Shkurtaj

Nese arrin
Nëse arrin t’më prekësh në skutat më t’errëta
atje ku askush s’ka arritur më parë
nëse arrin t’m’i mbledhësh gjithë copëzat e shpirtit
honeve shpërndarë…
do t’kem njësh me dritën e syrit
me ajrin që thith, me frymën që marr… Skender Laze Trebeshina

Shën Valentini
E dashur!
Ju e dini:
Sot është Shën Valentini!
Unë dua të them
Të dua sa gjithësia
Por më pengon vetmia
Dhe gëzimi erdhi papritur
U ul si dallëndyshe duke zbritur.
Ti erdhe tek unë si një dritë,
Ndaj të lutem mos ik, më prit
Ti je thesari im
Në këtë botë të trishtuar!
Do të të mbaj thellë në gji
Njëqind Shën-Valentinë për të kaluar! Alban Arapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *