Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Na braktisi kur mësoi se e kishim birësuar

Historia që do t’ju tregoj është një histori e trishtë, por nga e cila mëson se nuk mund të bësh asgjë kundër fatit. Fati duhet pranuar ashtu si të vjen.
Unë dhe gruaja ime nuk bënim dot fëmijë, megjithëse u munduam shumë me mjekime e me mjekë të asaj kohe, kështu që birësuam vajzën e vëllait të gruas. Ai kishte gjashtë fëmijë dhe po priste fëmijën e shtatë, kështu që vendosi të na e jepte neve për birësim. Në atë kohë nuk e menduam gjatë. Fakti që po bëheshim me fëmijë, për ne, ishte shumë më i rëndësishëm se ç’do të ndodhte më vonë në jetë. Gruaja sa nuk fluturonte nga gëzimi. Fëmija ishte i shëndetshëm dhe shumë i urtë. Ne kujdeseshim për të, me të gjitha të mirat. Ishte një nga periudhat më të bukura të jetës sime. Edhe pse gruan e kam dashur gjithmonë dhe ia kemi kaluar shumë mirë bashkë e kemi patur çaste shumë të bukura, asnjë nuk krahasohej me momentet e bukura që na ofroi ky fëmijë. Pak njerëz e dinin që nuk ishte vajza jonë. Vetë prindërit e saj nuk e afronin e silleshin me të si me një të huaj, qe ne të mos ndjeheshim keq e të mendonim se do të vinte një kohë e do të na e merrnin.
Fati e deshi që gruaja e vëllait të gruas, pra, e ëma e vajzës që ne kishim birësuar, vdiq në moshë të re. Ai kishte shumë fëmijë, prandaj u martua përsëri. Gruaja tjetër i bëri dhe dy fëmijë të tjerë, kështu që atij iu bënë tetë fëmijë. E dinim se ishte e vështirë t’i mbaje, prandaj unë dhe gruaja e ndihmonim me ushqime, rroba dhe me lekë. Për pak kohë, ata e patën shumë të vështirë, por kur fëmjët u rritën, i futën në punë e më pas iu rrit mirëqenia e u bënë të pasur, kurse fëmijët, shumë të mbarë. I madhi shkoi në Itali e një nga një i mori vëllezërit atje e i sistemoi në punë. Ata nuk kishin më nevojë për ndihmë dhe ne u bëmë pak më të largët me ta. Unë në fakt nuk e dëshiroja një gjë të tillë sepse doja që ta kishim afër, të paktën, babain e vajzës. Më vonë edhe ai bashkë me gruan e dytë shkuan në Itali, kurse vajza që kishim birësuar ne, ishte tashmë 14 vjeçe. E kishim rritur me të gjitha të mirat dhe ajo ishte një vajzë që nuk na kishte sjellë asnjë problem.
Një ditë në rrugë takova një ish-komshien time. Kisha kohë pa e parë qëkur ika nga lagjja e vjetër:
– Sa qenka rritur vajza! Të ngjan ty… E çuditshme se si marrin fëmijët hijen e atyre që i rrisin!
– Si ke qenë ti? – i thashë për të larguar bisedën nga ajo temë.
– Mirë faleminderit! – tha ajo e ndoshta e kuptoi se ne ende nuk i kishim thënë vajzës se ishte e birësuar.
Sapo u ndamë, Ajsi më pyeti: – Babi, pse tha ashtu ajo gruaja? Nuk e kuptova se ç’donte të thoshte me: “atyre që i rrisin”.
– Po thoshte për mua që s’të kam mbajtur në bark, se me të gjithë baballarët ashtu ndodh, që nuk i mbajnë fëmijët në bark… – vazhdova me shaka, duke fshehur përsëri atë që nuk duhej ta kisha fshehur asnjëherë.
E pashë se nuk arrita ta bëja për të qeshur, por të paktën shpëtova nga situata e sikletshme. Kur shkuam në shtëpi, Ajsi pyeti edhe gruan time. Ajo më pa në sy e veproi ashtu si unë, nuk i tregoi asgjë. Kështu, kaluan vite të tjera. Sa herë vinin fëmijët e kunatit, ajo rrinte me ta dhe kënaqej. Unë e gruaja e shikonim dhe mendonim se e tërhiqte gjaku, por e ndjemë plotësisht këtë kur ajo ishte 17 vjeçe dhe shkuam për vizitë në Itali. Ajo ishte një vajzë model që i donte e i respektonte të gjithë, por kur bashkohej me vëllezërit e motrat, edhe pse ende nuk e dinte se sa të afërt i kishte, sillej mrekullueshëm. Kështu, kur erdhëm në Shqipëri, ne vendosëm t’i tregonim asaj të vërtetën. Bisedën e nisi gruaja ime…
– Ajsi, ti e di se ne të duam shumë dhe ashtu do të të duam gjithmonë. Ti për ne ke qenë gëzimi më i madh i jetës. Çdo ditë, që nga momenti që erdhe në jetën tonë, ka qenë e bukur, e lumtur e plot jetë.
– Ç’do të thuash me këto fjalë, mami?
Gruaja ime në atë moment nuk duroi më dhe ia plasi të qarit. Atëherë e vazhdova unë atë që ajo nisi.
– Mami do të thotë se ne nuk bënim dot fëmijë, kur ishim të rinj. – në këtë çast, fytyra e saj mori një pamje që nuk e kishte marrë asnjëherë në jetën e saj… – ti je e birësuar. – Ia thashë shkurt sepse e dija se nuk mund të rezistoja më gjatë.
– Si? – këto fjalë i dolën nga goja si bubullimë. – Ç’po thoni kështu? Unë… unë…
Nuk foli dot. Për disa minuta, nuk foli as ajo, as ne. Qëndruam ashtu mes lotëve, pa fjalë. Pastaj i tregova se cila ishte familja e saj e vërtetë dhe i thashë:
– Ti mund të bësh çfarë të duash. Të shkosh te prindërit e tu…
– Tani? Tani të shkoj? Po nëna ime, nuk jeton më! Si mund të shkoj te prindërit e mi?
Këto fjalë na erdhën si “bombë”. Asnjëherë nuk e kishim menduar këtë ditë kështu. Mendonim se ajo do të mërzitej pak e pastaj do të na hidhej në qafë e do të kërkonte të rrinte me ne, por ajo u prek shumë e kjo vazhdoi edhe për një kohë të gjatë. Kthehej nga shkolla, futej në dhomën e saj e nuk fliste me ne. Gruaja ishte munduar nja dy-tri herë të fliste me të, por ajo thjesht i ishte përgjigjur:
– Jo tani! – e gruaja ime mendonte se tani, as “mami” nuk do t’i thoshte më.
Shikoja ditë për ditë se si gruaja ime po kalonte një gjendje të tmerrshme. Nga dashuria e madhe që kisha për të, vendosa të bëja diçka. Prita sa erdhi Ajsi nga shkolla. Ajo donte të futej në dhomë pa folur me ne, por unë i thashë:
– Ajsi, eja pak!
– Jo tani! – tha ajo shprehjen e saj të zakonshme të atyre ditëve.
– Pse jo tani? – i thashë.
– Ashtu dua! – këto fjalë të dala për herë të parë nga goja e saj, më irrituan dhe i thashë:
– Eja menjëherë këtu! – Ajo shtangu nga toni i zërit tim, sepse nuk kishte ndodhur asnjëherë që t’i flisja ashtu. – Eja dhe ulu këtu ku të them unë! Eja dhe ti! – i thashë gruas.
Ajo erdhi menjëherë me lotët që kishin kohë pa iu tharë.
– Pse sillesh kështu, Ajsi? Ç’të ka kapur dhe pse nuk flet me ne?
– Unë duhet të jap llogari, apo ju?
– Ç’është kjo gjuhë që po përdor me ne? Ti ke qenë ndryshe! Pse, për një gjë na hodhe poshtë gjithë vitet që të kemi rritur e mbajtur në pëllëmbë të dorës? E di ti se kjo grua të cilën ti ke ditë që e sheh me përbuzje, të ka dhënë jetën e saj, ta ka kushtuar ty gjithçka? Ne, as të vodhëm e as të morëm nga “Shtëpia e fëmijës”. Vetë prindërit e tu e morën këtë vendim. Ata deshën që ti të rriteshe me ne, sepse kështu si je rritur nuk mund të rriteshe me gjithë ata fëmijë. Tani fol e na thuaj: Nëse pranon të rrish me ne, sillu si duhet, nëse nuk do, më thuaj të të pres biletën e shko në Itali. Nuk ke nevojë të përgjigjesh tani, mendohu e më thuaj.
Ajo nuk foli në ato momente, por të nesërmen më tha:
– Dua të shkoj te njerëzit e mi! Të lutem, më prit biletën!
Këto ishin fjalët më të rënda që kisha dëgjuar në jetën time, megjithatë, e preva biletën dhe ia dhashë. E përcollëm në aeroport dhe ajo iku pa e kthyer kokën nga ne. Që nga ajo ditë, gruaja ime nuk e ngriti kokën nga krevati. Mundohesha të bëja gjithçka që ajo ta pranonte e të mos e përjetonte aq shumë, por nuk ia arrita. Pas gjashtë muajsh, ajo vdiq. Ajsi nuk erdhi për varrimin. Ishte stabilizuar mirë në Itali, ishte me provime e nuk arrinte dot. E di se ishte një justifikim, por nuk u mërzita. Tani, kisha një dhimbje më të madhe. Më kishte vdekur gruaja e ndoshta thellë në zemër akuzoja Ajsin për këtë. Kur erdhi kunati, e kishte marrë me vete për ngushëllim. Kur më përqafoi, e ndjeja se donte të më kërkonte të falur, por nuk e bëri. Ajo ishte shumë kokëfortë e këtë e tregoi me këtë rast. Ishim unë, kunati dhe Ajsi.
– E di se je mërzitur shumë për motrën dhe nuk është vendi të flasim lloj-lloj gjërash… – i thashë kunatit – Edhe pse nuk erdhët në varrim, unë ju kuptoj, por nuk kuptoj Ajsin zemërgur, që ia bëri këtë gruas sime dhe motrës tënde.
– Të lutem, mos fol kështu. E marr me mend se je i mërzitur nga dhimbja, por dhe Ajsi nuk ka faj…
– Të gjithë fajin ajo e ka dhe më shumë se ajo, unë. Nuk duhet të kisha lejuar që gruaja ime të shkatërrohej nga një fëmijë i prapë.
– Babi… – i doli papritur nga goja Ajsit.
– Tani po më thua “babi”?! Pse nuk i the edhe nënës tënde njëherë mama, sapo more vesh të vërtetën? Pse nuk e more njëherë në telefon kur e dije se ajo dergjej në shtrat vetëm se ti e refuzove? Mos harro se ti ke bërë një krim dhe kjo që bëre do të të ndjekë gjithë jetën nga pas. Unë, edhe pak e do t’i shkoj afër gruas sime, por do të jesh ti ajo që do të vuajë. Si të ka dashur ajo, nuk të do as ky që e quan baba, vetëm pse të lindi dhe as nëna jote e vërtetë. Nuk do gjesh kurrë në jetë një dashuri si timen dhe të gruas sime.
U fola ashpër dhe kërkova që të mos më futeshin më në derë. Që nga ajo kohë, jetoj vetëm dhe ruaj në gji dashurinë që kisha për gruan time, që ka qenë njeriu më i mirë në botë…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Marsela Hoxha: Në televizion, rastësisht!

Next Post

Kam frikë se më kthehet frika

Advertisement