Ajo është nga ato personazhe që nuk harrohen kurrë, qoftë për një arsye, qoftë për një tjetër… Personazhi që bëri më shumë zhurmë në shtatë edicionet e kaluara të Big Brother, vjen në këtë intervistë për të treguar se çfarë bëhet me jetën e saj, si dhe për të na thënë se si e sheh ajo këtë edicion të saponisur dhe personazhet e tij. Keni dëgjuar shumë prej saj, por ka të reja të tjera, që ajo nuk na i kursen…
Besarta Luga: – Joana përshëndetje! Nga bëhesh dhe si je? U bë kaq kohë pa dëgjuar për ty… na mori malli!
Joana Gjuzi: – (Qesh) Vërtet? Për momentin, jetoj në Athinë dhe them se do të vazhdoj të jetoj përgjithmonë këtu… Më pëlqen, sepse kam filluar një jetë të re dhe kjo jetë po më pëlqen shumë. (Buzëqesh)
– Domethënë, u martove, më në fund, pas aq shumë herësh që u diskutua martesa jote?
– Ja, edhe pyetja e shumëpritur! (Qesh) Jo, nuk u martova. Dhe do thuash ti, përse?
– Po vërtet, përse? Ti sikur kishe caktuar edhe datën…
– Kisha caktuar datën dhe gjithçka ishte gati, por pësova një krizë paniku dhe e anullova dasmën një javë para. Mendoj se nuk kam lindur për t’u martuar…
– Joana, ky që sapo më the, po më duket si skenar filmi, si edhe shumë gjëra të tjera që kemi dëgjuar nga ti…
– Sepse kështu ka qenë gjithmonë jeta ime, si një film. Unë tani kam filluar një jetë të re, jam ndarë nga Jani dhe kam filluar studimet në shkollën e modës. Moda ka qenë gjithmonë pasioni im dhe besoj se ka ardhur momenti t’i përkushtohem asaj…
– E ka zënë ndokush tjetër vendin e Janit?
– Po, dikush tjetër është në jetën time prej dy muajsh; një aktor grek. Për momentin, s’mund ta bëj publik, se është akoma herët, por një ditë do publikojmë disa foto, gjithmonë nëse lidhja ecën.
– Me një aktor në krah, më duket se do t’i japësh fund “filmit” tënd të dashurisë…
– Fjalët e tua në vesh të Perëndisë! (Qesh) Aktori më përshtatet shumë dhe mendoj se kam gjetur pjesën që më mungonte. Tani po që ndihem e plotësuar njëqind për qind…
– …në dashuri. Po në jetën tënde në përgjithësi, çfarë të mungon, aktualisht?
– Nuk më mungon asgjë. Tani kam pranë edhe mikeshën time të ngushtë, me të cilën po jetoj, vizitoj familjen time çdo të diel dhe ndihem shumë rehat. Studimet shkojnë për mrekulli… Shkoj në palestër çdo ditë dhe dieta, dietë, se për dy vjet ndërroj edhe prefiks (qesh), ndaj kujdesem për trupin tim.
– As Big-u nuk të mungon?
– Të kaluarën e kam lënë pas… e kisha harruar fare madje! Jo, nuk më mungon. Nëse do të kthehesha pas në kohë, nuk do të merrja pjesë në atë format!
– Pse?
– Sepse lëndova njerëzit e mi më të dashur për një njeri që nuk e meritonte mirësinë time dhe u lodha duke dhënë shumë, për një publik që nuk më kuptoi kurrë, ose ndoshta nuk donte të më kuptonte… Populli ynë i dashur e di përgjigjen më mirë sesa unë…
– Çfarë i ngeli popullit pa kuptuar nga ti? Si të kuptoi ai gabim?
– Zakonisht, rininë që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë dhe e jeton jetën pa komplekse, duke mos i ndrydhur ndjenjat, populli shqiptar e paragjykon pa e kuptuar. Besoj se këtë gjë e kuptoi gabim tek unë…
– Ti mendon se ishte faji i formatit për këtë?
– Jo, nuk dua të përfshij formatin. Unë, nuk duhet të përfshihesha në atë format!
– Ndërkohë që në atë format, sapo kanë nisur të jetojnë njëzet njerëz të tjerë…
– Po, dhe u uroj suksese!
– Po i ndjek?
– Jo, sepse nuk kam shumë kohë, por edhe shumë qejf nuk kam t’i ndjek. S’më pëlqen Big Brother. (Qesh)
– Ashtu? Tingëllon e çuditshme kjo, thënë nga një ish-banore…
– Po, ja që kam ndryshuar shumë; ka ndryshuar gjithë jeta ime. Dëgjohet çuditshëm, ke të drejtë, por kështu e mendoj tani. Pastaj, kanë kaluar dy vjet nga edicioni ku unë isha pjesëmarrëse. Nuk është gjë e lehtë izolimi, përshtatja me karakteret e ndryshme, bashkëjetesa me njerëz të panjohur. Formati është i vështirë për t’u përballuar… Nga ekrani duket argëtues, por ta jetosh, është tmerr!
– Çfarë të ka bërë përshtypje deri tani te ky edicion dhe banorët e tij?
– Me aq sa kam parë, them se këtë vit do të ketë rrufe! Ka personazhe aty brenda… (Buzëqesh) Më kujton edicionin ku isha unë… Kika nga Peja do të shkojë gjatë. Goca që ka përfaqësuar Shqipërinë në Miss Bota, Xhensila, më pëlqen… edhe balerini… Sidomos komunikimi i tyre, se tregon që janë të përgatitur. Të tjerët nuk më lanë ndonjë përshtypje në veçanti. U uroj shumë suksese, edhe pse gjithçka mbetet për t’u parë…
– Xhensila, më duket se të kujton veten…
– Po, me këpucët… Kishte 300 palë! Unë tani kam 680 e numri rritet. (Qesh) Deri diku, jemi të ngjashme. E vura re ngjashmërinë edhe te veshja. Shumë më pëlqen goca. Është e kompletuar, ka edhe humor, batuta, është inteligjente. Edhe dinake…
– Domethënë, kopja jote!
– (Qesh) Shpresoj të shkojë në finale, pra! Sepse unë mendoj se duhet të shkojë.
– Joana, çfarë u bë me dëshirën tënde për të qenë pjesë e televizionit?
– Vazhdon të jetë një ndër dëshirat e mia, por për momentin e lënë pezull sepse kam filluar studimet e modës, siç ju thashë, dhe dua t’i përfundoj. Asnjëherë nuk është vonë, oreks të kesh!
– Po prezantimi i Ledionit, si t’u duk?
– Ledioni është i përgatitur, por Arbana është e pazëvendësueshme, unike; i mungonte programit. Ndërsa analistja më pëlqeu shumë. Komplimente Mimoza Ahmetit, sepse e adhuroj!
– A nuk ishte ajo pak si e pakuptueshme?
– Jo, filozofia e Mozës është më se domethënëse dhe ka paksa humor brenda saj. Like (e pëlqej)! (Qesh)
– Joana, a ka ende njerëz që të njohin në rrugë, pasi ka kaluar kaq kohë nga pjesëmarrja jote në Big Brother?
– Shumë, edhe këtu madje, më përshëndesin, më kërkojnë foto. Ndihem në siklet sepse fillojnë të më pyesin për tema që unë i kam mbyllur prej shumë kohësh. Ah, njerëzit!…
Joana, kujt do t’i thuash diçka (dhe çfarë) nëse…
…sot do të ishte dita e fundit e botës?
– Do t’u thoja prindërve dhe vëllait tim se i dua shumë dhe janë shumë të shtrenjtë për mua.
…dikush do të të propozonte të prezantoje Big Brother?
– Sa është pagesa? (Qesh)
…do të të kërkonin të ktheheshe në Shqipëri, në këmbim të një pozicioni të lakmuar politik?
– Do të kërkoja një takim me kryeministrin, për të verifikuar pozicionin.
…Xhindi i llampës vjen e të thotë: “Vetëm futu edhe një herë në Big Brother dhe do të të jap çfarë të duash”…
– Do t’i bëja xhindit një test alkooli para se të futem në Big Brother, përndryshe, jo! (Qesh)
…ky xhindi do të vinte pa këtë kushtin e mësipërm…
– Ah, xhind i dashur, më jep një fëmijë të bukur, djalë!