Jehona e një shpirti
Jehona e klithmave rrënqethëse
përplaset honeve të thella
të shpirtit të saj
dhe kamuflon gjithësinë
me petkun e brymës së acart’
përngjan me vello nusërie
e gjithçka n’vend e ngrin…
sythat s’buisën më, si pranverën e kaluar
ata kanë ftohtë…
as zogjtë shtegtarë, s’u panë sivjet
si mund t’fluturonin pa ajër?
ndonjë cicërimë harabeli dëgjohet tek-tuk
Ret’ janë të papërshkueshme prej rrezeve të diellit
trishtimi i ktheu në ajsbergë qiellorë
shpresës dimërake i dëgjohet frymëmarrja e fundit
mes rënkimesh.
pyetjen e kapën ethet…
përse?
përse?
përse?! Skender Laze Trebeshina
Kujtesa ime
Me kujtesën shpesh jam krenuar
Vitet ikin, ajo e freskët gjithmonë
Prej saj shumë të mira pata
Por edhe të këqija, që i kuptova vonë.
Do të doja të bukurat të freskëta t’i ruaja
Të këqijat t’i fshija me një gomë të madhe
Por të dyja gjurmë të thella aty kanë lënë
Herë grinden bashkë e herë hedhin valle.
Në shume raste, për fat, e keqja triumfon
E mira si një zonjë e madhe hap rrugë
Veçse e keqja gjithmonë diçka na mëson
Por në fund, ajo që mbetet jam prapë unë… Aida Previzi
Kujtim i skalitur
Kërkoj të gjej rrugëdalje nga kujtimi yt
N’ato orë të vona kur të sjell ndërmend.
Gjumi më merr forcën e me të, edhe sytë
Të gjitha vijnë e ikin, përveç kujtimit tënd!
Çdo gjë është kalimtare këtu në botën time
Si asgjë ”e bukur” nuk mbet në të njëjtin vend
Koha që ka ikur, gjithmonë do mbartë kujtime
Por asgjë e dashur s’i ngjan kujtimit tënd.
I ethshëm e i etur, shumë herë dhe ambicioz
Nën petkun e errësirës ty të mban pa prekur
Vjedhurazi hyn në endrra, si poezi a prozë
Vargje monumentesh skalitur përmbi hekur.
Më kot kërkoj rrugëdalje nga kujtimi yt
N’ato orë të vona ku malli më rri ngjitur
Ty s’të do ”harresa” edhe pse s’të shohin sytë
Kujtimi yt, e dashur, në zemër është skalitur. Bledi Ylli
Sytë që dua
“Ta dua zemrën”, në heshtje kam thënë
Por sytë t’i kam dashur aq shumë
Zemrën nuk kam mundur dot të ta shoh
Sytë t’i kam adhuruar kur mbesin tek unë.
Zemra, për fat, nuk ka gojë të flasë
Por sytë flasin aq shumë me zërin e saj
Sa herë për mua ajo ka rrahur shumë
Ma kanë thënë ata sy, si të zënë në faj
E di, sytë shohin shumë, jo vetëm mua
Miliona sy të tjerë ka kudo në botë
Por kanë tjetër dritë sytë që unë dua
I ndjej me kilometra, edhe kur s’i shoh dot… Aida Previzi
Jam
Në çdo libër që lexon
Jam unë që të flas e ti më dëgjon!
Në muzikën, kur e dëgjon e në të humbet
Unë jam nota, që në çdo qelizë tënden rrëshqet
Buzës së detit, kur shkon të qetësohesh
Jam vala e tij e të ftoj t’më afrohesh
Te dielli që mëngjeseve del…
Jam rrezja e tij që fytyrën të përkëdhel!
Te hëna lozonjare që del në mbrëmje
Unë jam trupi i saj, që ti sodit me ëndje!
Në ajrin kur merr frymë lehtë
Jam oksigjeni, që të mban në jetë! Laerta Kajtani
Të gjithë të duan
I shoh se si rendin pas teje
me mijëra e mijëra meshkuj të tjerë
gjaku për ty u vlon në deje
bëjnë gara mes tyre…
kush i pari do të t’ketë.
Ti, e kënaqur, më shumë i provokon
buzëqesh me atë stilin tënd
spontane… shpërthyese…
që nga brenda teje…
si një uragan shpërthen
joshje për të gjithë meshkujt elektrizon.
Atë joshje të bukur
Veç unë i pari e provova
pasionin tënd të çmendur
marrëzisht e dashurova
Të gjithë të duan
asnjë nuk mund të t’ketë
se… je e imja përjetë! Ylli Jahaj
Në ëndërr
Erdha përsëri tek i njëjti “Bar-cafe”
por kësaj radhe vetëm, pa ty
Kamerierët – vonestarët e përhershëm
nuk erdhën as t’më pyesnin, për çudi!
Siç duket, s’më panë ata njerëz
qëndrova heshtur për një kohë të gjatë
E zbrazët më dukej tavolina e vjetër
që kaq shumë ngjasonte
me shpirtin e ngratë!
Një shekull e ca më duket kalova
duke të pritur, t’më vish përmalluar
Të gjitha hyrje-daljet i numërova
portreti venitej në sy dëshpëruar!
Vendosa të ik, për ku nuk e di
s’mbaj mend si erdha, as si do t’shkoj
Shtrenjtë e kam paguar gabimin me ty
por ndoshta do zgjohem
kur dita t’agojë! Fatmira Loci
Ditëlindjen pa ty
Si ta shuaj mallin për ty
Kur në shpirtin timë dëborë ka rënë
Si do ta festoj ditëlindjen pa ty
Pse pranë zemrës nuk të kam.
Dimri sivjet na ka marrë inat
Vetëm gurë nuk lëshoi nga qielli
Ditët me diell të pakta janë
Në horizont pres, dukjen e ylberit.
Nata qytetin e mbuloi
Furtuna dëgjohet gjithandej
Dëbora malet i mbuloi
E unë në dritare rri e pres.
Sytë nga qielli i drejtoj
Që të dalloj të bukurin yll
Po ti në largësi më qëndron
Atje larg, larg në mërgim.
Ditët ikin një nga një
Trishtimi më kaploi
Pres të më dërgosh një shkëndijë
Lotët e shpirtit të më pushojnë. Luljeta Gjosha Pashollari