Zemra e mallkuar
(nënës sime, Margarita)
Një mbrëmje nga puna
E lodhur erdhe ti,
Më puthe e përlotur,
Me sytë plot dashuri!
M’u duke më e thinjur
M’u duke më e rrudhur
Me duar më të ashpra
Me supe të përkulur
Ta putha shumë herë
Atë fytyrë të ëmbël
Se mos më zhdukej prapë
Ashtu si në çdo ëndërr
U shtriva që të flija
Me ty përqafuar
Por më la pa gjumë
Zemra e mallkuar! Alban Arapi
Rrëfimi i nesërm
Mund t’i tregoj nesër këto puthjet e sotme
para zjarrit të djeshëm, kthyer në hi
do t’them se dikur ishte një vashë e kolme
ndihesha mbret, kur i rrija përbri!
Ndaj edhe sot, jam e ndihem i tillë
me puthje që ylbere m’ngjizen n’shpirt
buzëqeshjen e saj me diellin i lidh një fill
penetrojnë n’çdo qelizë timen, si labrinth.
T’sotmen ti, s’e di si do ta tregosh nesër
dhe atë zjarrin e djeshëm në do ngasësh serish
i padukshëm ai digjet si zjarri i eshkës
dhe ndez flakë, flakë për kohën e trishtë… Skënder Laze Trebeshina
Nëna ime e paharruar
U ula në vendin tim të preferuar dhe sonte
si gjithmonë
E vetmja gjë, që i lutem Hënës
është…
të kem durim…
Ashtu siç kishe ti, o nënë
Dhe shpejt përgjigjet Hëna:
Durimin ta ka dhuruar nëna
Ah, shpirti im!
Do ulem çdo natë në vendin tim
E do flas veç për ty
të shoh
Do ketë Hëna, aq sa ti, durim?!
E dua Hënën, të sajën ftohtësi
Nuk dua lotët
Por më qan zemra për ty
Më falni, ika
Më duhet të flas me Hënën
Kam aq shumë gjëra
Për t’i thënë për nënën! Henrieta Pareshi
Pendimi
Nuk shkruaj më për dashurinë,
Thashë një ditë ashtu si kot.
Do shkruaj veç për fëmijërinë,
Por papritur më rrodhën lot…
Si harrova unë e mjera,
Që ne u njohëm qysh fëmijë?!
Si s’u lodha duke të dashur,
Kaq shume vite… As vetë s’e di!
S’ka mundësi, thashë me vete,
Do gërmoj nëpër kujtime
Por prapë te ti e gjeja veten
Te të ëmblat përqafime…
Si ta pranoj tani unë këtë fakt?!
Si ta harroj këtë dashuri?
Më tha, “eja se jam gati
Të të marr nuse për shtëpi”
S’të besoja vallë saç duhej
Tani mes pendimit rroj si kot
Sytë ngulitur kuturu e përhumbur,
Dhe pareshtur më rrjedhin lot! V. K. Goxha
Më vjen në mendje
Gjithmonë më vjen në mendje si një varg i bukur
Si një përmbledhje fjalësh që rrjedhin si muzikë.
Kur të sjell në mendje, nga frika për t’mos humbur
Më shumë t’kujtoj e dashur, e më shumë ndjej frikë…
Ne jemi si dy varka që enden në shtatë dete.
Si dy kokrriza rëre në t’madhen shkretëtirë.
Cili Zot e dashur, bashkon dot dy planete.
Të ndodhin mrekullira, së tejmi e vështirë…
Jemi si dy hëna përzier mes galaktikës
Që Zoti i ka caktuar një vend në hapësirë
Dy zemra që i binden më shumë metafizikës
Realisht, metafizika? Së tejmi e vështirë.
Ne jemi “unë dhe ti”, dy njerëz të zakonshëm
Endemi në rrugica, që s’kryqëzohen kurrë.
Në ndjenja paralele udhëtimi është i lodhshëm
E dashuria fshihet gjithmonë pas t’njëjtit mur
Ndaj të sjell në mendje si një varg i bukur.
Si një kujtim i këndshëm që nuk e lë të ikë
Ne jemi dy kokrriza që era i ka zhdukur.
Kujtimi na ka mbetur, ndaj t’kujtoj me frikë! Bledi Ylli
E dua… kështu!
Të vështroj përsëri e përsëri nuk më mjafton
Të ndjej në gjithë trupin tek endesh në mua.
S’mund të them si ndihem teksa më vështron
Je krejtësisht e imja e unë më shumë të dua…
Ajo që ndjej për ty është një ndjenjë e marrë
Një drithërimë shpirti, ethe që vijnë dendur
Dashuri kam njohur, shijuar dhe më parë
Por dashuria jote është ndjenja më e çmendur.
Ndjenja më e marrë, njëkohësisht përrallore
Që lufton logjikën e me gjakun rrjedh në mua
Ti gjithmonë më thua që unë jam i çmendur
Ky jam unë e dashur e kështu të dua! Bledi Ylli
Mungesa jote…
Ndjehem vetem këtë natë.
E nuk po gjej aspak qetësi.
Mendja fluturon atje larg.
…Atje ku ndodhesh ti.
Në dhomën tonë asgjë s’ka ndryshuar,
Mungon ngrohtësia që sillje ti.
Piktura jote e varur në mur.
Heshtazi më bën shoqëri.
Do që me mua të bisedosh.
E më shikon drejtee në sy.
Me vështrimin tënd të qetë.
Si e zënë në faj rri… Luljeta Gjosha Pashollari