Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Humba 100 mijë euro për një budallallëk!

Quhem Ilirian dhe halli i madh që më ra, sot më bëri pjesë të historive nga jeta që shkruhen në gazetën tuaj. Jeta me të vërtetë qenka e çuditshme; atë që e ndërton për vite me radhë, nund ta shkatërrosh vetëm në një minutë. Unë asnjëherë nuk kam qenë njeri që i pëlqeja lojërat e fatit, gjithmonë e kam nxjerrë paranë duke punuar, asnjëherë nuk kam dashur që lekun ta fitoj në mënyra të pandershme, ose duke u marrë me punë që nuk i kanë hije personalitetit tim, por ka momente kur njeriu e humbet arsyen dhe atëhere shkatërrohet ajo që ke ndërtuar. Ndonjëherë kam nostalgji për sistemin komunist që kaluam, pasi atëhere nuk kishte të tilla gjëra… Tani, njeriu mund të bëhet edhe pa dashje viktimë e njerëzve të djallëzuar, ashtu si u bëra unë.

Para 20 vjetësh, emigrova në Belgjikë me familjen time, gruan dhe dy fëmijët e mi. Në fillim punova në ndërtim, derisa bëmë një dorë të mirë lekësh. Më pas blemë dyqanin tonë, të cilin e punuam si fast-food. Patatet e skuqura në atë vend ishin ushqimi i preferuar i atyre personave. Bashkë me gruan punoja nga mëngjesi deri në darkë dhe, me thënë të drejtën, ishte një punë që të sillte mjaft të ardhura, edhe pse ishte shumë e lodhshme. Me atë dyqan kishim krijuar të ardhura shumë të mira, aq sa një ditë, po të ktheheshim në Shqipëri, nuk do të kishim nevojë të punonim më. Bashkë me gruan time kishim bërë në plan që me lekët tona, do të ndihmonim fëmijët sa të mbaronin shkollën e lartë dhe ne do të ktheheshim në vendin tonë për të kaluar pjesën tjetër të jetës. Por, me sa duket, asnjëherë nuk të dalin planet. Në friterinë tonë (kështu quhen dyqanet që shesin patate të skuqura) vinte gjithmonë një zezak, i cili hante drekën aty. Ai më ishte dukur një djalë i urtë, i cili vinte aty për të ngrënë, mundohej që gjithmonë të më jepte muhabet edhe mua, edhe gruas sime, por kisha vënë re se ai na afrohej sikur donte të na kërkonte diçka. Një ditë të zakonshme, kur në friterinë tonë nuk kishte shumë punë, ai m’u afrua dhe më tha: “Dua të bëj një muhabet serioz me ty”.
I habitur, e pyeta për çfarë dhe ai më tha se “është mirë që këtë që do të të them, ta dëgjojë edhe gruaja jote”. E thirra time shoqe dhe me shumë kureshti po e dëgjonim djalin me ngjyrë, i cili kishte kohë që frekuentonte dyqanin tonë. Ai na pyeti: “A doni t’i shtoni lekët tuaja pa mundim, pa u lodhur?”. Bashkë me gruan filluam të qeshnim dhe unë ia ktheva: “Bën mirë të shkosh në ndonjë vend tjetër për të tilla gjëra, se neve nuk na ke për këto punë”. Mendova se do të na jepte të shpërndanim drogë, ashtu siç bëhej në shumë dyqane, por jo, nuk ishte ashtu. Ai na tha ta dëgjonim njëherë, pastaj të arrinim në një përfundim dhe vazhdoi: “Unë, së bashku me stafin tim, punojmë në një fabrikë të prerjeve të kartmonedhave dhe kemi një lloj solucioni që e dyfishon shumën që ne kemi”. Ne mbetëm të habitur. Nuk po e besonim. Unë me gruan përsëri po qeshnim, por ai vazhdoi: “Po të doni, më vini në provë. Do ta bëj këtë gjë në shtëpinë tuaj edhe në praninë tuaj. Në fillim, i bëjmë me një shumë të vogël lekësh dhe më pas, nëse ju doni, i përsërisim. Nëse jo, ju nuk humbisni asgjë”. Në këmbim të kësaj, ai na kërkonte tridhjetë për qind të shumës.
Tani që po e shkruaj këtë histori, edhe mua që e përjetova më duket si një përrallë, por ju betohem se është më se e vërtetë dhe kur një person të bën një ofertë të tillë, të duket shumë joshëse, aq sa nuk e kupton fare idiotësinë e gjithë kësaj pune. Djali me ngjyrë ishte aq bindës sa ne mbetëm pa fjalë. As unë, as ime shoqe nuk guxonim t’i jepnim një përgjigje negative dhe të marrosur pas atyre gjërave që na thoshte djali, vendosëm që edhe ne ta provonim fatin tonë me një shumë prej një mijë eurosh. Kështu, një ditë e lamë që djali të vinte në shtëpinë tonë dhe të dyfishonim lekët, siç na tha ai. Ai erdhi në shtëpi me një çantë sportive. Ne i dhamë lekët të gjitha me prerje dhjetëshe dhe ai do të na i kthente me prerje pesëdhjetëshe. Ai tha: “Kam nevojë që të rrimë në një dhomë shumë të errët, që të mos ketë dritë fare, sepse nëse lekët do të kenë dritë, solucioni i prish”.
Kështu bëmë. U futëm në dhomë. Unë, bashkë me time shoqe, u ulëm në krevat, ndërsa djali filloi të merrej me lekët në errësirë të plotë. Të paktën ashtu siç na tha ai, djali i kishte vendosur lekët në një kuti ku kishte hedhur solucionin dhe na tha se duhet t’i hapnim mbas 12 orësh. Kështu bëmë. Kur djali erdhi dhe e hapëm kutinë, ato ishin kthyer në prerje pesëdhjetëshe. Unë edhe sot e kësaj dite nuk e di se çfarë marifeti bëri ai; as unë, as gruaja, nuk kuptuam asgjë. Atë ditë ai shumën prej një mijë eurosh, e ktheu në pesë mijë euro, për vete mbajti tridhjetë për qind të kësaj shume dhe të tjerat na i dha neve. Unë me gruan u kënaqëm nga e gjithë kjo, por prapë kishim frikë se mos ndoshta këto kartmonedha ishin fallso, kështu që vetëm kur i konfirmuam në një bankë të gjitha, u ndjemë plotësisht të sigurtë dhe të lumtur për këtë gjë të bukur që na ndodhi.
Djali, kur iku, na dha numrin e telefonit dhe na tha: “Nëse keni dëshirë që të dyfishojmë një shumë më të madhe, duhet të më merrni në këtë numër telefoni dhe unë do të vij i kompletuar me kolegët, me të cilët punojmë në këtë fabrikë. Dhe, për të qenë më korrekt me ju, do të vendosim edhe ne gjysmën e shumës dhe shuma do të ndahet sipas shifrës që ka vendosur secili”.
Në ato momente ne ishim shumë të kënaqur dhe as që na shkoi në mendje se ky ishte një lloj truku që ne të hidhnim më shumë lek. Për momentin, nuk pranuam, ishim të kënaqur me aq, por me kalimin e ditëve, mendja filloi të na rrinte aty, mendonim me veten tonë: “Po pse të punojmë e të lodhemi kaq shumë, kur ajo që mund të bëjmë është një gjë që na sjell shumë përfitime?”. Diskutova me gruan dhe ajo nuk pranonte të vendosnim një shumë aq të madhe. Kishte të drejtë se po vinim në lojë lekët e një jete punë, megjithatë ramë dakord që të vinim një shumë të vogël, ashtu siç bëmë herën e parë. E morëm djalin në telefon dhe i thamë se do të bënim të njëjtën gjë si herën e parë, por ai na e ktheu: “Unë nuk kam më solucion, vetëm pak kisha dhe ju ndihmova. Po të doni, mund t’u them kolegëve të mi dhe ata ju ndihmojnë, por me një kusht, duhet të jetë një shumë e madhe, në mënyrë që dhe ata të kenë fitimin e tyre nga kjo gjë, sepse është një grup prej pesë vetash”. Vërtet ramë në mendime shumë të thella, bashkëshortja ime vazhdonte të këmbëngulte se nuk duhet të luanim me pasurinë tonë, ajo ishte një pasuri që e kishim vënë për një jetë të tërë, me shumë mundim dhe lodhje, por mua nuk më zinte gjumi, gjithë ditën edhe natën atje më rrinte mendja dhe nuk ndjeja rehat në vetvete derisa t’i dyfishoja të ardhurat e mia.
Në numrin e llogarisë kisha 150 mijë euro. Pa dijeninë e gruas, tërhoqa 100 mijë dhe vendosa t’i hidhja për t’i dyfishuar. E mora djalin në telefon. Ai na ishte prezantuar me kartë identiteti dhe të krijonte një besim të plotë. Takimin e lamë në një hotel, pasi gjithçka po e bëja pa dijeninë e gruas. Djali erdhi me “stafin e tij të punës”. Ata erdhën, morën shumën time prej 100 mijë eurosh. Të njëjtën shumë kishin sjellë edhe ata. Plus kësaj, ata kishin sjellë edhe prerje kartmonedhash pa asnjë lloj ngjyre apo figure, në mënyrë që me solucionin që kishin, t’i kthenin edhe ato në kartmonedha, si gjithë të tjerat. Filluan dhe në sytë e mi i morën të gjitha kartmonedhat, ato reale dhe ato që ishin vetëm prerje bosh, i bashkuan, i vendosën nëpër kuti dhe filluan t’i lyenin me një solucion, i cili do të stamponte karmonedhat reale, tek ato që ishin vetëm prerje bosh. Mbasi mbaruan punë, ata thanë se do vinin të nesërmen në të njëjtën kohë që t’i kontrollonim dhe të merrte secili shumën që i takonte.
Atë ditë nuk më zuri gjumi fare, të gjitha lekët ishin poshtë dyshekut tim në hotel, sepse siç më kishin thënë, ato donin diçka të rëndë që të stampoheshin te njëra-tjetra. Doja t’i shikoja, por kisha frikë se mos i prishja me duart e mia dhe nuk e merrja këtë guxim. Gruas i kisha thënë se atë ditë do të shkoja të flija te një shoku im. Për të mos u zgjatur, djemtë erdhën ditën tjetër në hotel për të hapur kutitë me kartmonedha. Kur ata filluan që t’i hapnin, zemra ime filloi të rrihte fort, si asnjëherë tjetër. Mezi prisja të shikoja se çfarë kishte ndodhur. Kur ata e hapën kutinë, ç’të shikoje? Paratë kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë si të karbonizuar dhe kur ata i preknin me dorë, ato thërrmoheshin. Për momentin, thashë se më iku truri, djemtë m’u drejtuan mua duke më bërtitur: “Çfarë ke bërë kështu, pse i ke hapur lekët në dritë?!”. Unë po habitesha për ato që po më thoshin dhe e mbërtheva njërin prej tyre duke i vënë krahun në grykë gati për ta mbytur. U thashë: “Më ktheni eurot, se shoku juaj do vdesë këtu”, por katër të tjerët hapën derën dhe ikën me vrap. Unë e kisha kapur djalin me gjithë fuqinë time dhe e pyesja se ç’u kishte bërë eurove. Ai mundohej të më shpëtonte nga duart dhe më thoshte se nuk dinte gjë. E mblodha veten dhe e lëshova me mendimin: “Mirë që lekët i humba, po të mos bëj burg për vrasje”…
Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës time. Edhe sot e kësaj dite nuk di t’jua shpjegoj se çfarë ndodhi atë ditë; vetëm një gjë është e sigurtë, se ata, eurot e mia, i kishin marrë dhe komplet eurot që u hodhën në lojë, ishin prerje fallco. Ju do të thoni: “Pse nuk e njoftove policinë?”. Ishte më se e kotë ta bëja një gjë të tillë, sepse në këtë rast isha edhe unë fajtori, që i kisha përkrahur duke futur lekët e mia në lojë. I mora të gjitha kartmonedhat, i futa në një çantë, por këmbët nuk më bënin të shkoja në shtëpi. Çfarë të bëja? Çfarë t’i tregoja gruas? Në momentin që ia thashë atë që kisha bërë me pasurinë e një jete të tërë, ajo kaloi në depresion dhe sot e kësaj dite vazhdon të kurohet në një nga spitalet e Belgjikës. Unë kam mbetur i vetëm, pa pasuri, pa bashkëshorten time dhe pa fëmijët e mi, që më kanë mohuar për veprimin që bëra pa i pyetur pjesëtarët e familjes, gabim që vazhdoj ta vuaj duke gjetur ngushëllim te duhani dhe te pija. Çdo ditë i lutem Zotit që bashkëshortja ime të kthehet në realitet dhe të ma falë gabimin më të madh të jetës sime.

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

5 efekte pozitive të një puthjeje pasionante

Next Post

Djemte nga Shqiperia kerkojne vajza...

Advertisement