Çfarë hamë? Jeni të sigurtë kur blini mallra ushqimore? Keni blerë ndonjëhere mallra të skaduara ose të prishura? Këto ishin pyetjet që ua drejtuam lexuesve tanë, të cilët na thanë se…

Ariald Mënalla
Mjafton të hysh në një dyqan të zakonshëm e do ta kuptosh që ka mungesë të theksuar kontrollesh. Kjo duket që te barkodet, që shumë produkteve, u fshihen lehtë e disa nuk i kanë fare. Që këtu lind pasiguria për produktin që blejmë. Unë di mjaft raste ku çokollata fëmijësh janë të skaduara dhe shiten pa problem. Të tilla produkte, që në doganë, nuk duhen lejuar të futen. Duhet të ketë masa të rrepta!

Dionisa Sinjari
Jam shumë meraklie ndaj ushqimeve, ndaj e kontrolloj gjithmonë datën e skadencës dhe më ka rastisur në jo pak raste që të kem parë një artikull të skaduar. Babi im nuk e kontrollon dhe na ka ndodhur në familje të kemi konsumuar produkte ushqimore të skaduara. Jam vërtet e shqetësuar për cilësinë dhe skadencën e ushqimeve që konsumoj. Jam shumë e interesuar të di nëse këto institucionet përgjegjëse i kryejnë detyrat e tyre.

Agron Mema
Të them të drejtën, na ruan Zoti! Kur shkon në restorante dhe pijetore të ndryshme, dëgjon shprehjen standade: “Kemi raki të mirë fshati”, ose “sallatë apo supë me perime bio, të ardhura nga fshati”. Çfarë është kjo dhe cilat janë prodhimet dhe pijet e qytetit? Një fenomen tjetër është edhe prodhimi dhe tregtimi i produkteve e nënprodukteve blegtorale dhe detare në kushte johigjienike. Kjo është denoncuar shumë herë në shtyp, por çdo qeveri në këta 24 vjet ka bërë të shurdhërin. Në qytetin ku jam unë, trotuareve gjen arka dhe kova me djathë, mish e sidomos peshk. Tregtarët e ushtrojnë këtë aktivitet nën verbërinë e shurdhërinë e një institucioni të pagëzuar AKU, që deri sot ka vetëm një funksion: Marrjen e rrogës. Përflitet se peshku i freskët këmbehet me peshkun e mbetur të vendeve fqinje në ujërat neutrale, aq sa nuk mungojnë edhe barcaletat për këtë. Kujdesi i shtetit ndaj ushqimit të shtetasve të tij është nën nivelin zero. Dikur në Tiranë ekzistonte një shkollë e mesme që nxirrte teknologë të nivelit të mesëm, të cilët punonin pranë industrisë ushqimore dhe kontrollonin parametrat dhe standardet e produkteve të konsumit njerëzor. Sot, nuk ka të tillë. Që në faktin që nuk ka specialistë të mirëfilltë për kontrollin ushqimor, duket edhe kontrolli i shtetit ndaj produkteve ushqimore të konsumit të përditshëm. Po në dogana, kush i kontrollon? Shumë ushqime jemi të detyruar t’i hedhim poshtë, sidomos makarona dhe ëmbëlsira të ardhura nga jashtë, por edhe perime të rritura me hormone dhe të pakontrolluara. Ky është problemi më shqetësues që kemi sot. Qeveria hedh në shesh pallate e lagje të tëra (natyrisht, për investime publike apo për të vënë në vend ligjin e nëpërkëmbur) dhe nuk ka mundësi të kontrollojë produktet ushqimore?! Mos preken klane të fuqishme të importit? Ndaj, themi se na mbron Zoti!

Rita Strakosha
Më e sigurtë ndjehem kur blej fruta-perime e mish. Për të gjitha produktet e tjera nuk kam pasur probleme me skadencën, por me origjinalitetin, po. Më ka ndodhur që kam blerë vaj ulliri nga më të shtrenjtët në supermarket, gjoja me origjinë nga Spanja, por në fakt, ka qenë vaj i zakonshëm vegjetal. Gjithashtu, bulmetrat janë problematikë. Kam blerë të ashtuquajturin gjalpë në treg dhe pas muajsh në frigorifer, nuk mykej! Në fakt, ishte vaj vegjetal i përpunuar. Ose, buka e thekrës nuk është bukë thekre, por bukë gruri me ngjyrues. E njoh, sepse kam provuar origjinalin jashtë shtetit. Apo kosi i deles që mban era vaj! Mjalti është produkti tjetër ku shpesh jam mashtruar. Mjalti që bleva së fundmi, nuk ngriu si një mjaltë origjinal, se ishte i përzier me sheqer. Ka dhe shumë të tjera…

Lida
Janë shumë problem. Jam alarmuar kur kam dëgjuar në disa emisione investigative për sallamra që bëheshin në Shkodër me mishin e ngordhur nga përmbytjet. Ku është kontrolli? Unë, që nga ajo ditë, nuk blej më sallam. Aq më shumë verës, kur nuk i ruajnë në kushtet e duhura frigoriferike e kutërbojnë erë.

Hyqmet Isaku
Ne, shqiptarët, po hamë si bagëtitë. Ka plot raste që njerëzit janë helmuar nga mishi lopëve. Të gjitha çfarë janë, me pula e gjela deti, i ushqejnë e i fryjnë me pesticide. Më duket se asnjë nuk punon për ta rregulluar këtë.

Petriti
Eh, çfarë nuk po hamë, thuaj?! Një i afërmi im ishte bërë operacion nga gurët në veshka dhe mjeku i kishte thënë se e ka nga ushqimet që qarkullojnë rëndom nëpër rrugë.

Kujtim Çekrezi
Po të shohësh popullin shqiptar, shumë prej nesh po kalojnë në mbipeshë vetëm prej ushqimeve jo me vlera ushqyese biologjike, por me kimikate.

Arti
Më pëlqen shumë pyetja që keni zgjedhur. Unë do të thoja që në disa eksperienca në vendet ku kam jetuar, çdo muaj, autoriteti përgjegjës kishte një hapësirë në media dhe informonte se cili produkt është afër skadencës, cili ishte më i shituri dhe i hiqnin nga tregu një muaj përpara se të skadonin. Në supermarket, kudo, kishte shenja orientuese. Këtu, jo vetëm që nuk bëjnë raporte të tilla, por dalin vetëm kur bëhet gjëma.

Kujtim Karaj
A kam ngrënë ndonjëherë ushqime të skaduara? Sa të duash…

Sajmiri
Po, frikë është kur ha, sidomos për ne çunat e rinj që hamë edhe nëpër fast food-e. Asnjëherë nuk ndihemi të ngopur dhe ushqimet kanë lloj-lloj shijesh.

Bush Zenuni
Kemi ngrënë ushqime të skaduara. Sidomos nëpër lokale të marrin në qafë, se gatuajnë gjëra që rrinë me kohë. Po ato fabrikat, si ajo e Fierit, ajo e Paskuqanit, mos o Zot, që hiqnin etiketat e qumështit dhe kosit të frutave për fëmijë e mbi to, vinin të reja?! Zot na ruaj, se nga ushqimet nuk ruhemi dot!

Rozana Bardhi
Hamë gjëra të pakontrolluara. Mua për shembull, orizi më ka qëlluar disa herë jo si zakonisht, megjithëse datën e skadencës e kishte në rregull.

Rebeka
Sot nuk ka kontroll dhe siguri për ato që blen. Peshku shitet në rrugë, bulmeti gjithashtu e detyrimisht, kushtet i bëjnë ato të prishura. Në qytetin ku banoj, vijnë nga qytete të tjera më të mëdha e shesin si mos më keq. Nuk kemi parë ndonjëherë kontrolle. Shkon nëpër dyqane, ikin-vijnë dritat, djathi bëhet me esenca e shumë herë, ka erë e shije niseshteje. Në këto kushte, nuk dimë çfarë hamë. Të kesh një hall e të blesh mjaltë, mjalti del ujë. Bëj thirrje si amvisë për më shumë inspektime jo vetëm kur shiten, por qëkur prodhohen.

Danja Hoxhalli
Kjo pyetje gjen shumë vend. Jemi të prapambetur që tek ajo që hamë, imagjinoni të tjerat…

Kastrioti
Këto janë gjëra që ndodhin kudo, pra, që ka produkte ushqimore të prishura, por këtu në Shqipëri sikur ndodhin më shpesh. E gjithë puna çalon tek autoriteti përgjegjës, që nuk punon për ta zgjidhur këtë problem. Janë të paspecializuar dhe na kanë zhgënjyer.

(Me shume dhe me fotografite e te intervistuarve gjeni te gazeta Intervista. Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *