Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ai merrte ilaçe fshehurazi

Ju ka ndodhur ndonjëherë që të gjitha të këqijat të mblidhen në të njëjtin vend? Ndoshta jo dhe ndoshta po… Ja, kjo më ka ndodhur mua. Unë jam një 30 vjeçare nga një fshat i Elbasanit, kam mbaruar ciklin e parë të studimeve për cikël të ulët dhe nuk e vazhdova më tej, sepse prindërit e mi vendosën që kishin bërë shumë për mua, krahasuar me fëmijët e tjerë të familjes. Ajo që ishte e rëndësishme për ta më pas, është se unë duhet të krijoja familje, pra, duhet të gjeja një burrë dhe të martohesha. Këtu fillon edhe historia ime…

Ne, në fshat, kemi një koncept disi ndryshe për jetën: Nëse nuk martohesh deri në 25 vjeçe, zor se gjen burrë. Unë e kisha kaluar këtë moshë dhe meqë nuk kisha gjetur dikë me dashuri, duhet të martohesha me mblesëri. Një kushërira ime ndërhyri për një djalë nga qyteti, i cili jetonte në Greqi bashkë me familjen. Pranova, e takova dhe si fillim, m’u duk normal. Nuk fliste shumë dhe e ëma lavdërohej: “Si do të jetosh ti, si mbretëreshë!”. Ata më bënë gjithë ato dhurata. Si fillim, kontaktet nuk ishin aq të shumta, pasi ata u kthyen përsëri atje. Flisnim shpesh në telefon dhe ndihesha mirë. Mendoja që edhe unë së shpejti do shkoja atje, krijoja ato ëndrrat e mia për jetën. Është normale për një vajzë nga fshati të ndihet e lumtur që largohet. Megjithëse fshati ka ndryshuar, puna atje vazhdon të jetë e vështirë. Prindërit e mi merreshin me blegtori, ndaj duhet të çoheshe shpejt dhe t’i ndihmoje. Kur mendoja për motrën time që ishte martuar në qytet, ndjeja pak zili. Gjithashtu, edhe për ato vite kur studioja. Mendoja gjithmonë të bëhesha mësuese dhe babi ishte përpjekur shumë të më rregullonte një punë të tillë, madje edhe para kishte ofruar, por ishte shumë e vështirë sepse edhe paraja sot nuk ka vlerë, po nuk pate mikun e duhur. Kështu, ndjenja që do jetoja në Greqi, më pëlqente. Kaluan 6 muaj dhe u vendos që duhet të bënim celebrimin. Kështu bëmë dhe burri im, bashkë me prindërit, erdhën për një javë, kështu që atë javë unë vajta të jetoja bashkë me ata. Atë javë, kur zgjoheshim në mëngjes, vjehrri bashkë me burrin vishnin rrobat e punës dhe shkonin të punonin te shtëpia tjetër që kishin në pronësi aty afër. U çudita sepse mendova se, si nuse e re, a nuk duhet të gëzoja pak dhe nuk duhet të dilja të shijoja javën e parë të martesës? “Hajt, thashë, kur të vijë mbasdite, do të dalim”.
Atë ditë të parë me vjehrrën në shtëpi, ajo mburrej për burrin e saj që ishte i zoti t’i bënte të gjitha zanatet. “Nuk kemi se pse të marrim punëtor”, thoshte. U bë dreka gati, vajti ora 2 dhe ata nuk po vinin asnjëri, vajti vjehrra t’i thërriste dhe kur erdhën, ç’të shikoje?! Ishin bërë pis nga këmbët te koka. Hëngrën drekë dhe mendova se burri im do lahej dhe do shtrihej, por i ati i tha të birit: “Hajt, të mbarojmë për sot”. Unë ngela. Nuk mund t’i thoja asgjë, se do dilja si nuse e keqe. Ata ikën përsëri dhe erdhën në të errët. Ajo ditë iku ashtu, me fjalët e vjehrrës që më tregonte për djalin tjetër, që jetonte në Hollandë. Në darkë, kur isha vetëm me tim shoq, iu ankova që gjithë ditën ai iku dhe as që dolëm, ndërkohë që edhe pak ditë dhe ai do largohej përsëri. Të nesërmen, po ai avaz dhe vetëm ditët e fundit, ndryshoi diçka. Ata u larguan dhe mund të them se mua më mbeti një shije e keqe, por çfarë të thoja? Që ata e kanë gabim që punojnë? Ata me këtë gjë lavdëroheshin, se kishin tre shtëpi. Megjithëse nga njëra anë më pëlqente që kisha marrë një njeri punëtor, nga ana tjetër ndihesha pak keq, se njeriu e bën një javë pushim për të shijuar kënaqësinë e martesës! Nga ajo javë, jo vetëm nga im shoq, por edhe nga vjehrra, nuk ndihesha edhe aq mirë. Gjithë kohën ajo kërkonte vetëm punë dhe lavdërohej se e kishte dorën plot me lekë.
Kur u ktheva në shtëpi, nuk dija si t’u thosha prindërve, se e dija që nuk do të më kuptonin. Fola me motrën për këtë gjë dhe ajo më tha se mund ta gjeja një zgjidhje dhe se, me kalimin e kohës, mund të ndahesha veç nga vjehrra dhe vjehrri, si çdo çift i ri. Periudha kaloi dhe erdhi koha kur unë do të nisesha për në Greqi. Erdhën të më merrnin dhe ndihesha e lumtur. Mendoja për jetën time të re, ndonëse im shoq ishte i heshtur dhe rrallë, i ekzaltuar.
Ata kishin vërtet shtëpinë e tyre dhe nuk mund të them se ishte keq, por i shikoje shumë rrangulla nëpër oborr, dushe, dyer e hekura, sikur ishte pikë grumbullimi e jo shtëpi. Megjithatë, ato ditët e para dola të shikoja vendin. Ishte vërtet i bukur, nuk kishte të krahasur me këtu, por kjo fazë kaloi shpejt dhe brenda dy javëve, filluan grindjet. Më ngjante vetja si skllave e jo si njeri. Gjithë ditën duhet të bëje punë dhe as që bëhej fjalë për ndonjë kënaqësi. Edhe pse i thoja burrit, ishte sikur flisja me një mur që ngrinte supet, më merrte me të mirë e më blinte diçka, sikur të isha fëmijë. Pas një muaji debatesh u ndamë nga prindërit e tij, morëm një shtëpi aty afër dhe i zoti i shtëpisë na dha të gjitha orenditë. Burri punonte, por vjehrra nuk ndahej që nuk ndahej, vinte o në drekë, o në darkë. Në një moment vura re që i dha diçka të pinte tim shoqi. Kur e pyeta, “i dhashë vitaminë” më tha, por unë nuk e besova dhe po këmbëngulja. Nga gjithë ajo këmbëngulje, im shoq u nxeh dhe më tha: “Këta mi japin se mendojnë se unë jam budalla”.
Unë shtanga në vend, vjehrra kundërshtoi e kështu përfunduam në debat. Këto gjëra kështu ndodhin, fjala nxjerr fjalën dhe sekretet dalin në shesh. Kështu mora vesh se isha martuar me një burrë që kishte probleme psikike. M’u duk sikur m’u hap një humnerë e thellë përpara. Kaluan gati tre muaj dhe duke këmbëngulur që të ktheheshim në Shqipëri, edhe sepse puna në Greqi kishte rënë fare, e binda burrin tim. Doja të ktheheshim, në mënyrë që të flisja edhe me familjen time. Vjehrra nuk donte dhe bëri të pamundurën që të mos ktheheshim, por unë dola më e fortë. U kthyem dhe njërën nga shtëpitë vjehrra vendosi t’ia jepte djalit të madh dhe cilën? Atë më të keqen, ndërsa atë më të mirën që e ndërtonin sa herë që vinin nga një javë, me krahët e burrit tim, ia dha djalit tjetër, që nuk kishte vënë asnjë tullë. Megjithatë, ne erdhëm dhe unë u tregova të mive për atë që kisha marrë vesh. “Është turp, më thanë, si mund të ndahesh prej tij? Çfarë do të mendojnë njerëzit këtu në fshat?”.
E kapërdiva dhe filluam të kërkonim punë. Të mitë na ndihmonin me ndonjë ushqim, por është një shprehje që thotë: “a mbahet shtëpia me lëmoshë?”. Megjithëse përpiqeshim të gjenim punë, ishte aq e vështirë sa nuk di ta përshkruaj. Ajo periudhë u pasua nga stresi dhe burri im po përkeqësohej sepse nuk pinte as ilaçet. Unë, duke mos ditur asgjë edhe rreth sëmundjes, nuk dija edhe si të veproja me të. Pas atyre ditëve të vështira, sikur të mos mjaftonte, erdhi edhe vjehrra me vjehrrin. Ata erdhën pikërisht ashtu siç vjen shiu, pas diellit të nxehtë e acarues. U gjendën në derë me pretekstin se donin të kujdeseshin për djalin dhe me vete kishin sjellë një mal me rrangullina, madje edhe gjysma pllakash. Ata erdhën në darkë dhe të nesërmen i ati e mori të birin që të vazhdonin punimet te shtëpia tjetër. U acarova dhe debatova me burrin tim, por as që më dëgjoi. Debatova edhe me vjehrrën dhe aty për aty, vendosa të ikja. Shkova te motra, së cilës i qava hallin dhe më pranoi. Madje i shoqi filloi të kërkonte edhe për ndonjë punë për mua. Burri im vinte çdo darkë e më kërkonte të kthehesha, por unë i thoja: “Tani i mbarove punët me babain? Nuk vij, po qenë ata aty!”.
Një ditë, ai erdhi më tha që kishin ikur dhe se kishte filluar punë, madje erdhi edhe me rrobat e punës, për të më mbushur mendjen. “Kam nevojë për ty”, më thoshte. Motra tha: “Shko, jepi edhe një shans” dhe unë vajta fjeta atë natë aty. Në mëngjes, ra dera. Kur e hapa, ç’të shikoja? Vjehrra me vjehrrin! Mua sikur më ra rrufeja. Nuk zgjati as 10 minuta, fluturuan kunjat dhe plasi sherri. I biri filloi t’i bërtiste pse erdhën dhe ajo nga inati mu kanos mua që nuk i jepja ilaçet dhe se po i shkatërroja jetën, ndërkohë që ishin ata që më shkatërruan jetën me sekretet dhe djalin e tyre të sëmurë. Nuk doja t’i dëgjoja më, ndaj u mbylla në dhomë. Burri iku me të atin, unë aty në dhomë po mendohesha dhe i thashë vetes: “Mjaft më!”, fillova të bëja rrobat gati dhe po nisesha. Kur po dilja, vjehrra më tha: “Mos ik, se do iki unë”. As denjova t’i përgjigjesha, por ika. Para se të ikja, shkova te shtëpia tjetër dhe pashë tim shoq duke punuar llaç. “E tmerrshme, mendova, çfarëdo që t’i them, ai as që më dëgjon”. I thashë që po ikja dhe ai as që bëri zë. Më pa dhe vazhdoi me lopatën e vet. Gjatë rrugës, mendova: “Nuk kthehem më, në djall të vejë bota e çfarë thonë!”, jeta ime po shkatërrohej dhe për çfarë, për një burrë që burrë nuk është, nga një familje që kishin më shumë probleme sesa djali i tyre që ishte i sëmurë. Ua tregova prindërve vendimin tim dhe vendosmërinë time, se pranoja të dilja në rrugë, më mirë sesa të kthehesha atje. Prindërit heshtën dhe përgjigjja e tyre qe: “Sa të jemi gjallë, e ke një shtëpi”. Aty zemra filloi të rrahë përsëri.
Kaluan disa ditë dhe në darkë, në derën e motrës sime, erdhi përsëri im shoq. Derën e hapi motra. Ai kishte ardhur si mos më keq, aq pis sa nuk mund ta krahasoj me njeri normal, por si një barbon rrugësh, që nuk lahet kurrë. Atëhere, motra më kuptoi vërtet… Atij i tha që nuk isha aty dhe të nesërmen më shoqëroi për në gjykatë, për të bërë praktikat e ndarjes. Atë ditë m’u duk sikur rilinda, sikur u zgjova nga një ankth që zgjati dy vjet. Unë fillova punë dhe aktualisht, vazhdoj studimet e lëna përgjysëm në master dhe jeta ime po merr një tjetër formë dhe shpresë për të krijuar një familje të re dhe për t’u bërë nënë. Kudo ka shpresë, mjafton të guxosh…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

10 simptoma kanceri që gratë nuk duhet t’i injorojnë

Next Post

Test: Sa nevojë ke për seks?

Advertisement