Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Për Partinë, mohova familjen!

Përshëndetje ! Unë që po ju shkruaj jam Irena, një vajzë njëzet vjeçare dhe nuk dua të shkruaj histori nga jeta ime, por historinë e gjyshes sime. Po e bëj këtë jo pa qëllim; dua t’ju tregoj se sa shumë kanë vuajtur prindërit tanë në kohën e diktaturës dhe përsëri qëndruan në këmbë, më të fortë se asnjëherë. Ju kërkoj që ta lexoni këtë histori deri në fund, pasi vërtet do ta përjetoni atë dhimbje që iu desh ta përballojë ajo që sot është gjyshja ime. Unë, thjesht po shkruaj historinë që ajo më ka treguar, duke ju thënë se kjo nuk është as çereku i asaj që iu desh të jetonte në atë kohë. Jo se është gjyshja ime, po ajo është një njeri me një botë të madhe, që iu desh të ndrydhte ndjenjat e saj për një jetë më të mirë për familjen dhe fëmijët e saj. Ja ç’më ka thënë ajo…
Familja ime jetonte në një fshat dhe ne ishim më të pasurit e fshatit, ose siç quhej në atë kohë, ne ishim bejlerë. Pjesa më e madhe e tokave i takonin familjes tonë dhe ne jetonim në një shtëpi dykatëshe, të rrethuar nga shërbëtorë e punëtorë që punonin tokat tona. Ne ishim gjashtë motra dhe nuk kishim vëlla. Familja jonë ishte e madhe, jetonim edhe me xhaxhallarët. Unë isha mësuar të bëja një jetë të mirë. Kur mbusha 15 vjeçe, babai vendosi të më fejonte me një ushtarak që ishte njëzet vjet më i madh se unë, por ishte shumë i paraqitshëm. Mbas dy vjetësh fejesë, ne u martuam, por martesa jonë u shkatërrua pikërisht në ditën kur shteti në atë kohë vendosi të bënte shpronësimin e pronarëve dhe krijimin e kooperativave bujqësore. Besoj se do të bëni pyetjen se ç’lidhje kishte martesa ime me këtë histori. Im atë dhe xhaxhallarët e mi nuk deshën ta dorëzonin tokën dhe bënë rezistencë duke përdorur fjalë ofenduese për shtetin e atëhershëm. Kjo gjë u kushtoi shumë shtrenjtë prindërve të mi, por jo vetëm atyre. I gjithë fisi ynë filloi të përndiqej. Sikur të mjaftonte vetëm kjo!… Babanë tim e futën në burg bashkë me dy xhaxhallarët. Në atë kohë, unë kisha shkuar në të parë te prindërit e mi. Ditën e arrestimit të babait dhe xhaxhallarëve e kemi përjetuar shumë keq. Unë, nëna dhe motrat e mia qanim dhe ulërinim nga dhembja e madhe. Në atë moment, për ne u shkatërrua bota. Peshën dhe dhembjen më të madhe e ndjeja unë dhe nëna. Por kjo nuk ishte asgjë, para asaj që do na vinte më vonë. Një javë pas arrestimit të babait tonë, Partia kishte dhënë urdhër që të mblidhej fshati dhe të digjnin shtëpinë tonë. Kjo ishte e papritur për ne. Nuk kishte tmerr më të madh sesa kur të gjithë ne fëmijët dhe nënat tona, na mbanin në një cep të oborrit të shtëpisë për të parë skenën dramatike ku një fshatar i hodhi benzinën shtëpisë dhe më pas i vendosën zjarrin, ndërsa i gjithë fshati që rrinte dhe vështronte. Dikush ndjente kënaqësi, dikush mund të ndjente edhe dhimbje, por nuk kishte asnjë forcë për të na ndihmuar. Për nënat tona dhe ne fëmijët nuk pyeti asnjë se ku do ta kalonim natën. Të gjithë bërtisnin: “Poshtë beu, rroftë Partia!”. Brenda meje kishte shpërthyer një revoltë, por nuk kisha asgjë në dorë për të ndihmuar familjen.
Mbas asaj nate, ne kemi fjetur në hambarin ku mbanim zahirenë e dimrit dhe atëhere filluan tmerret e familjes tonë. Burri im nuk u bë më i gjallë, prej tij nuk kisha dëgjuar më asnjë gjë, kishte kaluar një vit dhe ai as që e mori mundimin të vinte të më merrte. Unë e dija se ai më donte shumë, ashtu si edhe unë atë, por ai ishte ushtarak dhe si i tillë, duhet të jepte shembullin i pari për të luftuar ata që quheshin “armiq të popullit”. Imagjinoni si u katandisëm… Për ne nuk kishte më të ardhme. Nga njëra anë qëndronte dashuria që kisha për tim shoq, kurse nga ana tjetër shikoja familjen të zhytur në mjerim. Gjërat kishin ardhur deri në atë pikë, ku secili nga ne kërkonte të shpëtonte nga lufta politike që kishte filluar me ne. Për mua nuk do të kishte martesë të dytë, pasi ishte e vështirë, njëherë isha martuar, plus edhe që ishim të përndjekur politikë, kështu që unë i vura një gur zemrës dhe i shkrova burrit tim mbas një viti:
“Edhe pse ka kaluar një vit dhe ti ende nuk je bërë i gjallë, unë e mora mundimin të të them se të dua akoma si ditën e parë, pa ty unë nuk dua të jetoj më, nuk do ketë burrë tjetër në jetën time. Ti ishe i pari dhe i fundit. Nëse ti nuk do vish të më marrësh, më mirë pranoj të vdes, sesa të jem e dikujt tjetër. Do pranoj çdo kusht që ti do vendosësh, vetëm që unë të jem e jotja…».
Letra ishte shumë e gjatë, por mesazhi ishte ky që ju thashë më lart. E dija dobësinë e burrit tim dhe e dija që kjo letër do ta bënte atë të reagonte. Në fakt, kështu ndodhi, por reagimi dhe kthimi i tij më kushtoi shumë shtrenjtë. Ai e kishte biseduar me familjen e me vëllezërit e tij dhe kishin rënë dakord që, nëse unë do të bashkohesha me burrin tim, duhet ta mohoja familjen time. Atëhere nëna më mori mënjanë dhe më tha: “Bijë, bashkohu me burrin tënd dhe mos e kthe më kokën mbrapa. Ne jemi më shumë të vdekur sesa të gjallë. Mendoj se ky është një rast i mirë që ti të shpëtosh nga kjo e keqe që na ra në pjesë. Jetoje jetën tënde dhe mos e kthe më kokën mbrapa. Edhe motrat do martohen një ditë dhe secili do shikojë hallin e tij. Ti mos mendo më për ne, por bëhu e guximshme dhe të jesh pararojë në ato që do të kërkojë burri dhe Partia. Ti je aq e zgjuar sa t’ia mbushësh mendjen Partisë, se për ty ka me shumë vlerë ajo sesa njerëzit e tu. Vetëm kështu, do të jesh e mbrojtur dhe do krijosh familjen, pa ia patur frikën askujt”…
Ajo fliste dhe unë qaja pa fund. Nuk kisha rrugë tjetër, por i vura zemrës një gur dhe ika me lot në sy, për të mos u kthyer më kurrë në familjen time. Pas bashkimit me tim shoq, jeta ime ndryshoi komplet. Fillova shkollën e Partisë, më pas bëra një kurs dy vjeçar për rrobaqepëse, kishin kaluar dhjetë vjet dhe unë kisha tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Kudo ku shkelja lija gjurmë sepse kam qenë gjithmonë shumë inteligjente dhe në fjalimet e mia nguliteshin mirë ato që shkruante diktatori në veprat e tij. Isha shumë e besueshme në sytë e të gjithëve, pavarësisht se shpirti im e dinte se sa vuaja për njerëzit e mi, për të cilët nuk kisha asnjë informacion dhe nuk mund të pyesja asnjë, pasi kisha frikë se më spiunonin. Fëmijët po më rriteshin dhe doja të bëja gjithçka që ata të ishin të parët dhe të diplomoheshin me shkollë të lartë, por Partisë në atë kohë nuk mund t’ia shkisje aq kollaj dhe ajo ma gjeti momentin për të më vënë në provë. Një ditë, kur unë isha në punë me koleget e mia, më erdhi një telegram. E hapa dhe lexova se im atë kishte ndërruar jetë në qelitë e burgut nga një sëmundje e pashërueshme. Për momentin, më erdhi një valë lotësh, por nuk e di se ç’më ndodhi dhe m’u bë sikur një njeri më kapi nga të dyja krahët e më shkundi që të mblidhja veten dhe të bëja kujdes. Atëhere i kapërceva lotët dhe fillova të qeshja me të madhe, duke thënë: “Nuk e kuptoj ç’lidhje ka ky telegram me mua. Ai ka qenë i vdekur për mua që ditën kur kundërshtoi Partinë” dhe përsëri po qeshja. Në moment ia mora një kënge për Partinë, që edhe tekstin e muzikën ia krijova në moment. Nuk e di nga e gjeta një forcë të brendshme që nuk më linte të dorëzohesha… Mesazhi i këngës ishte se prej shumë vitesh, nënë edhe babë për mua ishte bërë Partia. Të gjithë aty filluan të përloteshin, po mua aq më bënte, ia kisha arritur ta luaja mirë rolin që më takonte. Që prej asaj kohe, unë u bëra shembulli model për luftën e klasave.
Dua të them edhe një gjë tjetër, se nga momenti që unë i kapërceva ata lot të tim eti, edhe sot e kësaj dite nuk kam lot, pra, edhe kur kam dhembje dhe dua të qaj, nuk më dalin më lotët. Mbase ju nuk e besoni, por kjo është e vërtetë dhe nuk di se çfarë shpjegimi t’i jap. Dua t’ju them edhe këtë… Ditën që mora haberin e hidhur për tim atë, natën, kur të gjithë flinin, i thura atij një vjershë, të cilën e shkrova në mendje dhe në zemër dhe sot e kësaj dite e mbaj në mendje si gjënë më të shtrenjtë. Kur ua tregoj të tjerëve sot, ajo është e gjatë gati 40 minuta dhe të gjithë përloten nga kjo poezi.
Më pas, vitet kaluan dhe të tre fëmijët e mi u diplomuan. Vajza mësuese, njëri djalë vazhdoi për muzikë, dhe i vogli, për anglisht. Me ardhjen e demokracisë, edhe pse isha 55 vjeçe, e ndava tim shoq; ai jetonte me njërin djalë dhe unë me tjetrin. Fëmijët e kuptonin se unë nuk mund të vazhdoja më me ata njeri që nuk pati një ndjenjë dashurie për mua, por mendoi vetëm për karrierën e tij, pa i hyrë në sy dhembja ime. Nëna në atë kohë jetonte akoma dhe ne u takuam mbas shumë vitesh. Ajo qante dhe më puthte duart. Edhe unë ndjeja një dhembje që nuk mund të përshkruhet. Ajo jetoi edhe një vit dhe më pas, vdiq. Motrat ishin martuar, me to takohem edhe sot, ndërsa një xhaxha ishte arratisur dhe tani jeton në Amerikë. Motrat më tregojnë shumë ngjarje të dhembshme pas ikjes sime nga shtëpia, por që t’i tregosh ato, duhet një ditë e tërë. Vetëm një gjë më mban gjallë, dashuria për fëmijët. Ajo më ka dhënë forcë që të kaloja këto dhembje të tmerrshme deri në mohim të familjes. I gëzohem faktit që ata kanë ecur në jetë dhe kjo më bën të lumtur, por më e lumtur ndjehem që jam e rrethuar nga nipër e mbesa dhe nga mbesa ime Irena që sot, për herë të parë, më detyroi që historinë time ta bëj publike për lexuesit e gazetës tuaj…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme?

Next Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Advertisement