– I drejtohem Dr. Agron Islamajt për disa probleme që kam. Jam 64 vjeç dhe para 3 vjetësh pata trombozë në vena të thella, këmba e majtë. Para dy vjetësh, bëra baipas dhe para një viti, kaloi në diagnozën infarkt bulbar dext., ndërsa sot mjekohem me: Plaxix, Asp.prot. 100 mg., Atoris, betalok (metaprolol). Dua të di, i nderuar specialist: Çfarë analize duhet të bëj që të ruaj konstant parametrin më të rëndësishëm për diagnozën e fundit (pasi për dy të parat gjykoj se jam më mirë)? Këmbës dhe dorës së majtë, a i bën mirë banjoja me ujë të ftohtë (këmbës së djathtë të trombozës, e di që i bën mirë)? Raporti HDL me LDL duhet 1:3, sipas kardiologëve. Këtë raport nuk po e arrij dot, kur të dyja këto dalin brenda normave. Ju lutem, më jepni disa këshilla dhe sugjerime. Theksoj se këmba e majtë vazhdon të më shqetësojë me djegie…
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Ju, sipas të dhënave që na jepni, mendoj se vuani nga një sëmundje që quhet “sëmundja tromboembolike”, e cila ka si shkak disa ndryshime në përbërjen e gjakut dhe që favorizon krijimin e copave të gjakut, fillimisht në enët që janë më në periferi, siç janë ato të anësive të poshtme (pra, të këmbëve). Në këto raste, që me shfaqjen e parë të këtyre dukurive, duhet filluar mjekimi, ashtu siç keni bërë edhe ju, por ka raste që këto copa gjaku, nëpërmjet rrymës së gjakut, spostohen edhe në enët e organeve jetësore siç është zemra, truri, apo veshkat dhe sjellin zënien e tyre. Një dukuri e tillë, fatkeqësisht, ka ndodhur edhe me ju. Fillimisht, fillohet mjekimi me heparinë, në formë injeksioni (gjilpërash) dhe më pas me kokrra, siç janë plaviksi e aspirina. Ky mjekim ndiqet me ekzaminime të tilla si koha e koagulimit (mpiksjes së gjakut) dhe niveli i protrombinës, ose koha e Houellit, që përsëri kanë të bëjnë me faktorët koagulues të gjakut.
– Ky mjekim zgjat për aq sa kohë sa këto parametra normalizohen, apo u afrohen këtyre të fundit. Më pas kalohet në doza mbajtëse për një kohë sa mjeku specialist (neurolog, apo kardiolog) e sheh të arsyeshme, i bazuar në këto analiza. Krahas mjekimit, në këto raste riaftësimi shoqërohet edhe me proçedura riaftësimi siç janë mjekimi me anë të banjove të ujit (hidromasazhi), ose procedura të tjera të kryera në konsultim edhe me mjekët fizioterapistë e specialistë (kardiolog dhe neurolog). Lidhur me raportin e fraksioneve yndyrore (HDL/LDL), ky quhet i normalizuar, kur krahas mjekimti me normalizues të nivelit yndyror, përdoret edhe një dietë e përshtatshme me kufizim të yndyrnave ushqimore dhe sheqerna, por kjo do të arrihet në konsultim edhe me mjekët specialistë që u përmendën më sipër (kardiolog, neurolog, apo dietolog) pasi janë të veçanta për çdo të sëmurë.
Advertisement