– Djali im, 8 vjeç, ka problem me sytë, i skuqen dhe shpesh i bëhen si me damarë të kuq te pjesa e bardhë, aq sa duket sikur i ka vrarë. S’ka mbajtur kurrë syze, sepse e kam vizituar para ca kohësh dhe më thanë që s’ka asnjë problem, vetëm duhet ta largonim nga playstation. Ai luan, por nuk rri me orë të tëra, që t’i bëhet kjo gjë. I ka sytë e skuqur dhe shpesh më thotë se i djegin. Thua ka ndonjë alergji? A ndodh që sytë të kenë alergji, sidomos në këtë periudhë? Faleminderit dhe pres këshillat tuaja.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – E nderuar letërshkruese! Ankesa e skuqjes së syve është një ndër ankesat më të zakonshme në patologjinë e syrit dhe përbën rreth mbi 90 % të ankesave në praktikën ophtalmologjike. Janë të shumta patologjitë e syrit ku kjo ankesë është e pranishme. Mund të jetë një infeksion banal, i thjeshtë, bakterial, por që duhet të shoqërohej edhe me sklepa, ndërkohë që ju nuk i përshkruani sklepat në letrën tuaj. Mund të jetë një infeksion alergjik nga polenet e luleve, i cili është shumë i pranishëm në periudhën e pranverës, në të cilën ndodhemi tashmë, por që zakonisht shoqërohet edhe me kruarje të fortë të syve, si dhe me teshtima ose kruarje të flegrave të hundës. Mund të jetë ndonjë fillim i sëmundjes së syrit të thatë që vjen zakonisht nga tharja e lotit prej qëndrimit me orë të gjata në kompjuter apo playstation.
– Përderisa nga ana vizive optike ju pretendoni që nuk ka nevojë për syze optike, atëhere mjafton një mjekim me barna për zbardhjen e syve. Mund të përdorë Collir Tetramil 3 herë në ditë, 2 pika në secilin sy ose Septobore, që zakonisht qetësojnë shumë irritimin e syve, por mund të përdorë edhe ndonjë kortikosteroid topikal me pika në sy si: Mexidex collyr 3 herë në ditë 2 pika në sy. Megjithatë, për ta zgjidhur më saktë problemin, i rekomandoj një vizitë të mirëfilltë okulistike. Mjekimi do të jetë shumë i thjeshtë dhe shërimi, i padiskutueshëm. Faleminderit për letrën tuaj.
Advertisement