Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Djali që ia kushtoi jetën nënës së tij

Të dashur lexues! Nëse ju kujtohem, kam shkruar shumë histori të pacientëve që bëjnë terapi fizike në të njëjtën klinikë me mua. Kam ca kohë pa shkruar, pasi edhe nga ana shpirtërore nuk kam qenë mirë, por sot kam vendosur t’ju tregojë një histori të bukur dhe të trishtueshme, por të mbushur me një dashuri pa kushte. Deri kur takova në klinikë djalin e ri me nënën e tij, nuk e kisha menduar se mund të ekzistonte një djalë i ri në moshën më të bukur të jetës, që t’i përkushtohej ashtu nënës së tij. Nëna e tij ishte paralizuar kur ai ishte 17 vjeç dhe tani ai ishte 25 vjeç. Gruaja, pra, nëna e tij, ishte 45 vjeçe, kishte 8 vjet e paralizuar dhe shenjat e përmirësimit të saj ishin shumë të vogla. Ajo kishte provuar gjithçka. Ishte operuar dy herë jashtë vendit e kishte bërë fizioterapi në shumë klinika, por si duket, shpresat nuk i ishin zhdukur, meqenëse vazhdonte ende të vinte për fizioterapi.
Djaloshi, që quhej Armir, e shoqëronte në klinikë rregullisht. Sapo i vinte rradha nënës së tij, ai shkonte e pyeste doktorin nëse ishte e nevojshme të rrinte brenda me nënën apo jo. Nëse doktori i thoshte se i duhej ndihma e tij, ai menjëherë merrte nënën me karrocë dhe futej bashkë me të. Nëse doktori i thoshte se nuk kishte nevojë për ndihmën e tij, ai ulej, nxirrte nga çanta një bllok e shkruante pa vënë re se kush ishte afër tij, që të bënte muhabet. Ishte një djalë shumë interesant. Veprimet e tij më bënë shumë kurioze. Një ditë i thashë:
– Djalosh, a mund të më zbrisni deri poshtë pasi të dalë mamaja juaj, sepse akoma nuk ka ardhur ime motër?
– Posi! – u tregua i gatshëm menjëherë djaloshi.
– Faleminderit! Jeni me të vërtetë shumë i sjellshëm…
– S’është asgjë, zonjë!
Kaq tha ai dhe uli kokën, duke vijuar të shkruante. Ishte një djalë për t’u admiruar. Në fakt, më dukej tamam si djali im. Edhe pse nuk ishte me mua që të më shoqëronte, djali im e ndjente shumë paralizën time. Ai ishte larg në Skoci, por sikur të ishte këtu, me siguri, do të më shoqëronte kudo.
Sapo gruaja doli, ai e çoi nënën e tij tek ashensori dhe erdhi të më ndihmonte mua. Me mua, fizioterapia po funksiononte, kështu që nuk kisha shumë nevojë për ndihmë, por kisha ende frikë të ecja vetëm me paterica. Kur arritëm tek ashensori, ai më prezantoi me nënën e tij. Ende nuk ma kishte mësuar emrin, por ai, si djalë xhentil që ishte, dinte si të vepronte.
– Mami, ja, po të njoh me një shoqe të re. Quhet… – dhe vështroi nga unë. Unë në fakt nuk u përgjigja për momentin sepse hutohesha nga veprimet e tij që më kujtonin fiks djalin tim, për të cilin më kishte marrë malli shumë.
– Mirëdita, zonjë, jam Mimoza! Gëzohem që ju njoh…
– Edhe unë… Unë quhem Edlira.
– Gëzohem! Iu luta djalit tuaj të më shoqëronte deri poshtë (ky ishte një pretekst kur doja të njihesha me pacientët e historitë e tyre), sepse akoma nuk ka ardhur motra të më marrë.
– Shumë mirë bëtë. Mos e ki problem fare. Sa herë të duash… djali im është mësuar tashmë.
Zbritëm poshtë dhe këtë herë më ftuan ata për kafe. Djali kërkoi leje të largohej sepse do të takonte një shok dhe ndërkohë, ne do të rrinim së bashku e të flisnim. Ishim njohur në ashensor, kështu që nuk na mbetej veçse të flisnim për jetët tona, sidomos ne që na lidhnin shumë gjëra. Ajo ishte paralizuar sepse kishte kaluar një traumë të thellë pas vdekjes së të shoqit. I shoqi i saj kishte vdekur kur punonte në Greqi. Ajo po bëhej gati të shkonte të jetonte me të në Greqi, sepse kishin shumë kohë që nuk shiheshin. Kjo, për shkak të vizave, që atë kohë nuk ishin liberalizuar ende. I shoqi punonte murator dhe i kishte rrëshqitur këmba e kishte rënë në tokë. Ajo tregonte e qante sikur t’i kishte ndodhur tani e jo para gati dhjetë vjetësh. Më pas ajo kishte kaluar në depresion për një kohë të gjatë, depresion që e kishte paralizuar gradualisht. Ajo kishte shumë gjëra të mira, madje mund ta cilësoje si një grua të fortë, por fatkeqësia e saj ishte që nuk arrinte të mundte hidhërimin për vdekjen e të shoqit. Më tregoi pastaj për djalin e saj të vetëm. Ajo fliste për të me admirim, por edhe me dhimbje, sepse hidhërohej tek shihte djalin e saj të vetëm, të lidhur pas saj.
– Ai ishte 17 vjeç, kur unë u paralizova. Ishte në gjimnaz. Nuk mësonte edhe aq mirë, por duke ndenjur me mua, filloi të lexonte e të arrinte rezultate të mira në mësime. U mbyll me mua e harroi gjërat e bukura të rinisë. Tezja ime, që është një grua e mbajtur edhe tani e jo më atëhere, u tregua e gatshme të vinte e të jetonte me ne, që të përkujdesej për mua, por djali nuk pranoi. “Kjo pjesë më takon mua e askujt tjetër”, thoshte. Këto fjalë më sëmbojnë ende në zemër. Më ka ndjekur hap pas hapi. E mira e kësaj pune ka qenë se iu fut mësimeve e mbaroi Juridikun.
– Të them të drejtën, Edlira, ke qenë me fat, – i thashë. – Djemtë e sotëm nuk duan t’ia dinë për asgjë, po arsimohen me lekë e jo më të rrinë kështu si djali yt.
– Po, ashtu është – tha ajo. – Po, ka vuajtur shumë me mua. Jam munduar të çohem në këmbë vetëm që të mos më ketë barrë mbi shpinë, por s’po arrij. Nuk e di se si do t’i vejë halli kësaj pune.
– Nuk i dihet; çdo njeri e ka fatin e tij.
– Ashtu shpresoj – tha ajo, jo e bindur për fatin e saj, që deri tani nuk ishte ndonjë kushedi se çfarë.
Në atë kohë, erdhi djali i saj që kishte mbaruar punë dhe do ta përcillte të ëmën në shtëpi. Donte të më shoqëronte edhe mua, por nuk e lashë sepse nga çasti në çast do të vinte motra të më merrte. Në fakt, nuk doja t’i bëhesha barrë sepse më dhimbsej ai djalë.
Më pas, i takoja shpesh dhe vazhdonte të më habiste durimi dhe këmbëngulja e djaloshit për të ëmën. Ai e nxiste t’i bënte të gjitha ushtrimet sipas rregullit ditor që i kishte vënë mjeku. Ishte e pamundur që Edlira të linte ndonjë seancë apo të neglizhonte ndonjë ilaç, sepse i biri ishte shumë i rregullt dhe shumë i përkushtuar për t’ia plotësuar të gjitha. Ndoshta besonte se do të ndodhte ndonjë mrekulli për nënën e tij.
Këtë rast, unë nuk ia kisha treguar burrit tim. Ai, si indiferent që është, nuk më linte shumë hapësira për të biseduar me të. Lëre që kishte kohë pa dalë me mua, sepse punonte deri vonë. E kisha provuar edhe para se të paralizohesha se ai, kur bënte këto “mbledhjet e vona”, kishte ndonjë të dashur. Kur isha me këmbët e mia, kishte qëlluar ta ndiqja njëherë, por dola huq, sepse ai kishte fikur telefonin. Më tha se “kemi mbledhje” dhe kur e hapi, erdhi për 5 minuta aty ku isha unë, duke u justifikuar se i kishte rënë bateria. Edhe tani, në atë fazë ishte. Kur m’i bënte këto lojëra kur isha në rregull, ç’do të prisja tani? Pra, nuk kishte rënë rasti t’i tregoja për Edlirën e djalin e saj, kur një ditë, padashur, dëgjova bisedën e tij në telefon me një shokun e punës.
– Po na duhet një jurist i zoti e mbi të gjitha, i ndershëm, që të mos mbajë anën e askujt!
Menjëherë më shkoi mendja te djaloshi i Edlirës. Sapo ai mbylli telefonin, i thashë:
– Të duhet një jurist? Ta gjej unë menjëherë!
– E ku do ma gjesh ti? – më pyeti ai me ironi, si gjithmonë.
– Njoh një djalë që shoqëron nënën e tij në klinikë. Jam e sigurtë që është i duhuri.
– E si je kaq e sigurtë?
– Sepse e njoh dhe dal garant unë për të!
– Edhe kështu siç je, nuk të rri rehat… – tha ai pa pikë mëshirë për mua, por këto fjalë nuk më bënin më përshtypje, sepse isha mësuar me këtë lloj burri që kisha. – Dakord, po e takoj njëherë, por nuk të të siguroj asgjë.
– Mirë – u gëzova shumë dhe menjëherë i telefonova Edlirës.
– Të kam gjetur një punë për djalin, po njoftoje që të më lërë një orar takimi.
– Faleminderit! Je shumë e mirë…
U takuam të katërt dhe burrit tim iu mbush mendja se ishte ai juristi që i duhej.
– Më pëlqen ky djalë, i shkreti që duhet ta çojë jetën pas asaj sakates, së ëmës… – ofendoi ai pa e patur merak se edhe unë isha si e ëma. Ndoshta jo në atë shkallë si ajo, por ai nuk e kishte problem lëndimin tim, madje atë donte të arrinte.
Djali filloi punë part-time, sepse punën më të madhe e bënte në shtëpi. Ai nuk pranoi të punonte me orar të plotë, sepse ia kishte përkushtuar jetën nënës së tij. Këtë gjë e bënte me dëshirën më të madhe e jo se ishte i detyruar.
Unë takohem ende me Edlirën dhe më vjen keq që ajo nuk ka përmirësime. Asaj nuk ia them këto gjëra, por kur flas me doktorin, mundohem t’i them që ajo të mos mundohet kot. Por mjeku nuk është i mendimit me mua. Ai gjithmonë na e kujton shprehjen se shpresa vdes e fundit. E në fakt, ç’do të ishim ne pa këtë të fundit? Me siguri, nuk do ishim ngritur nga krevati e nuk do të provonim as karrocën me rrota. Është e vërtetë, jeta duhet jetuar e shijuar dhe vlerëzuar sa jemi shëndoshë e mirë…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nuk pata hemorragji

Next Post

Kristina Marku: Suksesi im? Ekuilibri mes familjes dhe muzikës

Advertisement