– Unë jam me diabet dhe, prej 1 viti, marr mjekim, por shoh që kam shtuar shumë në peshë. Jam 45 vjeç dhe e kam të trashëguar. Doja të pyesja në lidhje me yndyrnat. Cilët janë faktoret kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e yndyrnave? Yndyrnat mund të shfaqen te kushdo, si te personat që kanë një sëmundje kronike (diabet), ashtu edhe tek ata që nuk vuajnë nga këto sëmundje?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Faleminderit për pyetjet tuaja tepër interesante. Që në fillim më duhet t’ju sqaroj se, më duket se trajtimi që po merrni, duhet të modifikohet apo mënyra juaj e të jetuarit, duhet të ndryshohet sa më shpejt. Kjo gjë është e lidhur me shtimin në peshë. Të jesh me diabet, kuptohet, jo të mjekuar mirë, do të thotë të dobësohesh dhe jo të shendoshesh. Kjo mbipeshë mund të jetë pasojë e stimulimit të shtuar të barnave mbi oreksin tuaj apo ju jeni bërë dembel, nuk lëvizni dhe nuk mbani dietën e duhur. Në lidhje me këtë sëmundje, ju këshilloj një rivlerësim të mjekimit tuaj dietik dhe mjekësor në këtë moment. Pjesa e dytë e pyetjes kishte lidhje me yndyrnat. Duhet t’ju shpjegoj pak gjëra në lidhje me yndyrnat… Në organizmin tonë ekzistojnë me dhjetëra tipe të veçanta të yndyrnave që kanë edhe funksione të veçanta e që, në një përgjithësim popullor, mund t’i quajmë yndyrna të mira dhe të këqija. Pavarësisht se, të kesh diabet do të thotë të kesh nivele të larta të sheqerit në gjak, në një sens tjetër, diabeti i pastabilizuar është edhe tregues i yndyrnave të këqia të larta, që më vonë mund të rrezikojnë të bllokojnë enë gjaku dhe të krijojnë tromboza apo infarkte të ndryshme. Këto çrregullime vijnë nga efekti domino, që njihet e që tregon se prishet një komponent i metabolizmit, kështu që prishen edhe elementet e tij të tjerë. Si konkluzion, nëse ju do të mbani normo-peshe, normo-ushqim, normo-sheqer në gjak, si rrjedhim, do të keni edhe yndyrna normale. Nëse i keni shumë të larta yndyrnat, duhet të merrni mjekime për t’i shkrirë ato.
Advertisement