– Përshëndetje, instruktorit! Unë kam një problem me të ngrënin; kur ulem, nuk di të ndaloj. Po nuk hëngra, filloj të dridhem, më dhemb koka etj. dhe pastaj nuk di të pushoj së ngrëni. Puna është se dua të dobësohem, të heq ca kile, por nuk e kontrolloj dot veten… Si të veproj?
Mario Instruktori: – Është shumë e thjeshtë, mjafton ta kontrolloni ju urinë dhe jo uria juve! Veç kësaj, duhet të dini të bëni përzgjedhje ushqimesh. Unë jam kundra dietave, por jo kundra regjimit ushqimor dhe rregullit bazë të të ngrënit, që është: Të hash, por jo të mbingopesh! Së pari, duhet të konsumoni më pak kalori sesa harxhoni gjatë ditës. Kjo është një nga mënyrat më efikase për të rënë në peshë. Duke qenë se ju, kur keni uri, keni shenjat e mësipërme, atëhere e keni më të lehtë ta kontrolloni të ngrënin. Çfarë do të thotë kjo? Kur një person është i uritur, e ka shumë të lehtë të vendosë se çfarë do të hajë, kështu që zgjidhni ushqimet me më pak kalori. Nëse nuk jeni të vendosur se çfarë të hani, kjo tregon se nuk jeni shumë i/e uritur dhe është mirë që në këtë moment, t’i thoni “jo” të ngrënit. Ushqehuni atëhere kur keni vërtet uri, sepse do ta keni më të lehtë të zgjidhni ushqimin (mund të vendosni edhe të hani thjesht një sallatë miks). Pra, të hani vetëm kur jeni të uritur është hapi i dytë drejt rënies në peshë.
– E treta; duhet të hani aq sa të plotësoni zbrazëtinë e stomakut dhe jo të tejngopeni sa të mos keni takat as të çoheni nga tavolina. Duhet të mësoni ta ndaloni të ngrënin. Edhe në librat fetarë thuhet që duhet të ngriheni nga sofra duke e lënë pak stomakun bosh. Kjo është vërtetuar shkencërisht nga mjekët se është më mirë për organizmin. Shpeshherë djegiet, gazrat apo shqetësime të tjera në stomak, janë shenjë e mbingopjes. Nëse mësoheni të konsumoni më pak, edhe këto shqetësime nuk do t’i keni më. Një nga mënyrat më të mira është të hani ngadalë dhe të konsumoni lëngje midis kafshatave. Në këtë mënyrë, edhe ushqimi përtypet më mirë dhe do të ndiheni më shpejt të ngopur, duke e lënë dhe pak të zbrazët stomakun. Nëse ndiqni këto rregulla, do të shikoni se do të bini në peshë.
Advertisement