– Dr. Mira, unë vuaj prej rrufës alergjike dhe këto kohë më është bërë shumë e theksuar, aq sa edhe natën e kam shumë të vështire të fle, pasi i kam hundët e bllokuara. Jam vizituar edhe tek ORL-ja dhe kura që më dhanë, më ndihmoi vetëm për pak kohë. Tani jam prapë në të njëjtin hall dhe është një siklet i paparë të mos mbushesh dot me frymë e t’i kesh gjithë ditën hundët e zëna. Edhe diçka tjetër, te spitali më thanë që kam trashje të mukozës së hundës. Ju lutem, më ndihmoni me ndonjë mjekim popullor apo kimik. Çfarë duhet të bëj? Faleminderit dhe ju përshëndes.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Ju falënderoj shumë për letrën tuaj. Po ju them që në fillim se ju duhet të vizitoheni te mjeku alergolog sa më shpejt. Problemi që keni është më shumë alergji sesa sëmundja tjetër e hundës. Bllokimi i hundës është shumë mundues dhe shqetësues për personin që e ka, sidomos kur ndodh edhe gjatë gjumit, ku ndërhyn fuqishëm në ndërprerjen e çrregullimin e tij dhe për pasojë, do të ndiheni e lodhur që në mëngjes, e përgjumur, indiferente dhe e këputur, pa dëshirë për të punuar apo mësuar. Duhet të bëni një konsultë me mjekun e alergjisë për të përcaktuar sa më shpejt shkaktarin e gjendjes suaj dhe për t’u mjekuar si duhet. Asnjë mjekim popullor nuk do t’jua zgjidhte problemin, në rastin tuaj. Po ashtu, asnjë kimikat nuk mund t’jua rekomandoj pa u konsultuar, pasi nuk do të ishte ndihmues për ju, por vetëm vonesë e kotë, e padobishme për diagnostikimin dhe për vendosjen e mjekimit të drejtë dhe të saktë. Me respekt për ju.
Advertisement