– A mund të më thoni çfarë është sindroma e ovareve policistike, çfarë shenjash ka dhe çfarë shqetësimesh sjell? Si ekzaminohet dhe si shërohet ajo? Faleminderit.
– Sindromi i ovarit policistik është pasojë e çrregullimit të nivelit të hormoneve seksuale femërore. Ky çrregullim bëhet shkak i ndryshimit të ciklit menstrual, i ndryshimeve në lëkurë, i kisteve të vogla në vezore dhe i problemeve të tjera shëndetësore. Shenjat janë këto: Ndryshimet në ciklin menstrual, mungesa e menstruacioneve, periudhë e çrregullt menstruale (për shembull më të shpeshta ose të rralla, me sasi të vogla apo më të shtuar). Zhvillimet e shenjave seksuale sekondare mashkullore, zvogëlimi i volumit të gjirit, zmadhim i klitorisit, trashje e zërit, shtim i qimeve në fytyrë dhe në areolat e gjirit, hollim i flokëve dhe rënie e tyre, akne dhe tharje e lëkurë, rënie në peshë ose obezitet, niveli i lartë i kolesterolit etj. janë disa shenja të tjera të sindromit të ovarit policistik. Ekzaminimi i tyre bëhet me një sërë analizash si testimi i nivelit të estrogjeneve, FSh/hormone folikulo stimulues, LH/hormone luteotrop, niveli i testosteronit, ketosteroidet si dhe analiza të tjera, testi për të vlerësuar rezistencën e insulino-receptorëve, niveli i lipideve/yndyrnave, HCG/gonadotropina korionike humane, niveli i prolaktinës, testet për gjendrrën e tiroides, ekografi vaginale etj. Në bazë të analizave, jepet mjekimi përkatës për trajtimin e tij.
– Përse rekomandohet kaq shumë vaji i peshkut?
– Vaji i peshkut (Omega 3) është përmirësues i fuqishëm i trurit, duke e bërë atë më vital dhe përmirëson dukshëm memorien. Duke përmirësuar punën e trurit, çdo gjë tjetër në trupin tonë funksionon akoma më mirë. Veç kësaj, vaji i peshkut përmirëson dhe gjallëron dukshëm lëkurën e plakur, duke shtuar prodhimin e kolagjenit dhe elastinave që dhurojnë freski dhe duke pakësuar apo parandaluar kështu, rrudhat.
– Jam një djalë që kam bërë analiza gjaku dhe dola me hepatit B dhe D. Çfarë terapie të përdor, se jam në merak?
– Duhet të lidheni patjetër me mjekët gastro-hepatologë që keni në Korçë, pasi trajtimi i hepatiteve nuk mund të bëhet në këtë mënyrë. I sëmuri duhet të vizitohet patjetër, duhen bërë disa analiza e ekzaminime dhe, në bazë të tyre, vlerësohet nëse ke nevojë për mjekim, apo jo.
– Kam dëgjuar që stresi shkakton arterosklerozën. A është e vërtetë kjo gjë?
– Po, është e vërtetë që arteroskleroza prek më shumë personat që punojnë me stres. Gjithashtu, janë më të predidspozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje ata persona që kanë si profesion punët mendore.
– Konsumoj shumë bukë të gatshme supermarketi nga ato që janë shumë të thata, por më kanë thënë që janë të dëmshme për stomakun. A është e vërtetë?
– Nuk janë aspak të dëmshme, kështu që mund t’i konsumoni pa merak.
Advertisement