Ajo është e këndshme, e bukur, e dashur, por edhe një femër e fortë, me guxim të madh dhe e vendosur për të arritur synimet e saj. E kemi pasur në faqet e gazetës sonë herë pas here, sepse ajo është gjithmonë e para në risi, e para në realizime fantastike. Merita, apo parukierja dhe estetistja më trendi e vitit, vjen në një intervistë plot me këshilla për të gjithë ju. Si prag festash, ajo na këshillon grimin, flokët, ngjyrat dhe stilimin që duhet përdorur në festa të tilla të veçanta si nata e ndërrimit të viteve. Këto dhe të tjera, do t’i lexoni në intervistën që Merita dha për gazetën tonë… Lexim të këndshëm!
– Merita, përshëndetje! Ja, ku ritakuam… Si të kanë gjetur festat?
– Përshëndetje! Këto festa më kanë gjetur më profesioniste se kurrë, më të përgatitur dhe sa më pranë klientëve të mi Siç e dini, unë kam dhjetë vjet që merrem me artin e parukerisë dhe të estetikës. Më pëlqen e bukura, e këndshmja, eksplorimet në parukeri dhe jam gjithmonë në kërkim të së resë..
– Kjo do të thotë se kemi gjetur njeriun e duhur për të marrë këshillat e duhura në numrin e fundit të këtij viti, në gazetën tonë…
– Nëse më keni zgjedhur, do të thotë që puna ime ka folur vetë. Kjo nuk është hera e parë që intervistohem nga gazeta juaj dhe shpresoj të jap këshillat e duhura për lexuesit tuaj.
– Si parukierja dhe estetisja më e dashur dhe më trendi e vitit 2014, ke qenë e pranishme në shumë evente bukurie. Çfarë të ka mbetur në mendje nga këto takime?
– Faleminderit për vlerësimin… Të them të vërtetën, ndihem shumë e privilegjuar nga vlerësimi i mediave të ndryshme. Çdo emision apo çdo intervistë ka pasur të veçantën e saj. Unë jam shumë e kënaqur nga bashkëpunimi dhe uroj që edhe për 2015 të vazhdojë kështu, pse jo, edhe më mirë!
– Ti ke realizuar edhe një set me foto me fustane nusërie ku kanë pozuar modele me emër…
– Fustanet e nusërisë janë koleksioni i ri i vitit 2015. Vajzat kanë veshur fustane të cilat nuk i gjen askund tjetër sepse i kam përzgjedhur me kujdes dhe që të jenë unike. Janë të praruara dhe të gjithë aksesorët janë përshtatur me fustanet dhe vellot. Do t’u sugjeroja të gjitha vajzave që kanë vendosur datën e tyre të marteses; nëse duan që dita e tyre të jetë e paharrueshme, fustanet e mrekullueshme të koleksionit të ri dhe të veçantë, mund t’i gjejnë vetëm këtu. Këtu kanë gjithçka të kompletuar; fustan, make-up dhe stilim, të gjitha nga dora ime.
– Ndërkohë, kurset e parukerisë dhe të estetikës, vazhdojnë, apo jo?
– Po, nga data 5 janar, fillon sezoni i parë i kurseve të estetikës dhe të parukerisë, ndërkohë që regjistrimet kanë filluar dhe kushdo që dëshiron të mësojë artin e bukurisë, mund të vijë dhe të bëjë aplikimin e duhur. Garantohet mësimdhënie e kompletuar dhe praktika, pa diskutim.
– A vazhdon të frekuentohet nga personazhe publike salloni yt?
– Tani, më shumë se kurrë! Ata kanë gjetur rehatinë, të bukurën, kanë gjetur atë që kërkojnë këtu tek unë. Tashmë, jemi bërë mikesha shumë të mira me bukuroshe të tilla si: Arta Bajrami, Enxhi Kamenica, Anjeza Branka, Poni, Elisabeta Marku, Maja, Sofia e “Zonë e lirë” dhe shumë modele të afirmuara.
– Kam parë që në sallonin tënd vazhdon tendenca e gërshetave, edhe pse nuk është më verë…
– Po, është e vërtetë, vajzat kanë gjetur rehatinë e kërkuar me gërshetat dhe, edhe pse vera ka mbaruar, ato vazhdojnë t’i preferojnë sepse janë shumë të këndshme, të lehta, estetike dhe shumë praktike.
– Meqë jemi në prag festash, si fillim, a mund të na thuash se cili është grimi i duhur për festa?
– Ka një shumëllojshmëri grimesh dhe secila prej nesh duhet të zgjedhë atë që i përshtaret.
– Si për shembull?
– Mund të bëhet grim nudo ose i theksuar nga ngjyrat, ngjyra metalixato ose pastel, me shkëlqim ose jo, mund të zgjidhen qerpikët falso ose jo, varet sipas preferencave.
– Çfarë është në trend për këtë fundvit?
– Në koleksionet e reja të festave gjejmë shumë produkte për të realizuar grimin me ngjyra neutro dhe shumë të tjerë, për hijet e syve. Këto janë pikat e referimit për të kuptuar se cilët janë make- up-et më trendi për festa.
– Me fjalë më të thjeshta?
– Të sfumosh tonalitete të ndryshme të bojëkafesë, të realizosh një grim bronz apo të artë, janë pika të mira për të krijuar një luk të bukur.
– Cili është rregulli bazë që mund të ndiqet për një grim të këndshëm?
– I çelur gjatë ditës dhe i errët për në mbrëmje. Kjo vlen për të gjitha nuancat që zgjedhim të përdorim. Dashamirëset e hijeve të syve mund të zbaviten duke krijuar në të gjitha variantet, jo vetëm ngjyrën e zezë. Zakonisht, për festa, përdoret ngjyra vjollcë, blu dhe jeshile, por edhe ngjyrat metalixato dhe të shkëlqyeshme, si edhe sfumaturat e arta dhe të argjendta.
– Po në rast se buzët janë të ngjyrosura?
– E kuqja, siç e dini, është ngjyra e festave. Zgjidheni ne variantin klasik ose pak të errët dhe preferojeni në versionin mat, në të cilin mund të përdorni edhe vetëm një laps. Me buzë të theksuara, ju duhet një grim më pak impenjativ.
– Kalojmë te flokët… Cilat ngjyra këshillohen për festa? Cilat janë në trend, më saktë?
– Ngjyrat duhet të jenë të buta dhe të ngrohta, preferohen fijet e lehta ngjyrë kafe dhe bjonde e artë ose e kuqërremtë. Por, nuk duhet ekzagjeruar asnjëherë diferenca e toneve. Nuancat mbizotëruese janë platini i përzier me kafe. Për ata që duan të guxojnë, mbeten gjithmonë aktuale edhe ngjyrat e forta dhe artificiale, si ngjyrë vjollcë, rozë, blu, jeshile, qershi.
– Po përsa i përket gjatësisë?
– Ato që preferojnë flokët e shkurtër janë konform trendit të dimrit dhe duhet t’i mbajnë ato në mënyrë të çrregullt, por asnjëherë shumë të shkurtra. Gjatësia mesatare duhet mbajtur në formë ondesh dhe të ndara në anë, siç është propozuar nga Louis Vuitton. Produktet e stilimit varen nga modeli i flokëve. Nëse keni flokë të gjatë dhe duan onde voluminoze, shkuma e flokëve është e duhura. Nëse doni që flokët e gjata t’i mbani të mbledhura prapa, atëhere nevojitet xheli. Flokun e shkurtër dhe të çrregullt ju mund ta stiloni me një krem ose serum fortifikues, për mbrojtje. Këto produkte do t’ju ndihmojnë për të ushqyer dhe mbrojtur flokët, si edhe për të krijuar stilin tuaj.
– Një stil, një ngjyrë, diçka që nuk duhet ta shohim absolutisht për këto festa?
– Ne jemi në vitin 2014 dhe po hyjmë në 2015-n, stilet janë me miliona dhe çfarë mund të jetë e mirë për mua, mund të jetë e gabuar për shumë të tjerë. Unë nuk mendoj se është e drejtë të përdor termat “të bukura” apo “të shëmtuara”, por ato çka nuk do të doja të shikoja përreth janë flokët e dëmtuar, të thatë e të mbajtur pa kujdes, siç më ndodh t’i shoh në shumë raste.
– Ti vetë, ku dhe me kë do jesh natën e ndërrimit të viteve dhe kush do të të zbukurojë për atë natë të veçantë?
– Unë zbukurohem gjithmonë vetë, për çdo eveniment, për çdo festë. Nata e ndërrimit të viteve do të më gjejë të përkushtuar në punë, sepse misioni im është t’i bëj njerëzit të bukur dhe të ndihen sa mirë mirë. Më pas, mbrëmja do të vijojë pranë familjes time, pranë djalit tim të mrekullueshëm, Saimirit. Me këtë rast, uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, miq, kolegë, të dashuruar pas artit të së bukurës, Gëzuar Vitin e Ri 2015, ju sjelltë ato që 2014-a jua dha me pakicë dhe që ju i dëshironi pa fund.