Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jam përbindëshi që vrau fëmijën e tij!

Përshëndetje, lexues të gazetës “Intervista”! Kur e mendon, është shumë e çuditshme sa e paparashikueshme është jeta, si na përball me sfida të ndryshme dhe na tjetërson! Unë vetë kam patur një fëmijëri të varfër dhe jo të gëzuar. Babai nuk punonte, pinte dhe sa herë vinte në shtëpi, zihej me mamanë. Kështu, gjatë gjithë kohës jetoja me frikë sepse sapo të kthehej ai në shtëpi, do të fillonte të ushtronte dhunë si mbi mamin, ashtu edhe mbi mua. Njëherë e mora guximin dhe i fola ashpër për atë që bënte sepse ndihesha keq ngaqë isha djali i shtëpisë, por e pagova shumë shtrenjtë sepse të gjithë inatin e shfryu tek unë duke më qëlluar. “Unë të kam bërë kokën dhe ti kërkon të më kthesh dorën? Këtë nuk ke për ta arritur kurrë, sa të jem unë gjallë”, më tha dhe më rrahu aq keq sa vetëm pas dy ditësh e mora veten. Isha krejtësisht i pafuqishëm për ta përballuar i vetëm atë situatë. Shpeshherë i kam uruar edhe vdekjen tim eti. Më vinte më shumë keq për nënën kur e shihja se në ç’gjendje e kishte katandisur! Jemi përpjekur disa herë të arrratiseshim nga ai dhe shkonim te tezja, por na gjente përsëri dhe atëhere ishte më keq. Armiku i tij dhe i yni bashkë ishte pija; ai pinte shumë. Pikërisht nga kjo i erdhi edhe fundi.

Edhe pse për shkak të tij kisha bërë një jetë ferri, përsëri më erdhi shumë keq kur vdiq, por ato që nuk i prisja, ishin lotët e mamit. Nuk do ta merrja kurrë me mend që mamit do t’i vinte kaq keq për të, pas gjithë të këqijave dhe torturave të tij, edhe pse në fund të fundit ishte bashkëshorti me të cilin kishte kaluar vite të jetës. Por, dhimbja për ikjen e tij më kaloi më shpejt nga ç’e mendoja, ndoshta ngaqë për shkak të tij isha kthyer në një person shumë të pandjeshëm, shumë të ftohtë. Tani jetoja vetëm me mamin dhe, edhe pse tani bënim një jetë të qetë, shpeshherë na dukej sikur na përndiqte hija e tij. Kjo ndodhte ngaqë kishim jetuar gjatë gjithë kohës nën dhunën e tij të vazhdueshme. Një ditë e pyeta mamin nëse e kishte dashur ndonjëherë babin. Kjo pyetje më kishte munduar shumë që në momentin që e pashë me lot në sy. Ajo, pasi u mendua gjatë, e fiksuar në një pikë në kënd të shtëpisë, më tha: “Dashuria dhe keqardhja janë dy gjëra të ndryshme dhe unë këtë të fundit ndjeja për babin tënd”. E vura re që u bë keq sepse me siguri po i kujtohej koha që nuk donte ta kujtonte kurrë më në jetën e saj dhe ndërrova menjëherë bisedë. Që atëherë nuk e përmendëm më babain.
Vazhdova të jetoja vetëm me mamin, por erdhi dita që krijova familjen time. Ishte mami ajo që u bë shkak që unë të njihesha me Gentën e më pas të fejohesha e martohesha me të. Edhe pse ishte femra e parë për mua, nuk kisha ndonjë ndjenjë të thellë për të. Ndoshta edhe kjo më ndodhte ngaqë isha bërë njeri pa ndjenja, nuk doja njeri përveç nënës sime sepse me të kisha përjetuar gjithçka. Vetëm ne të dy ishim dëshmitarë se çfarë na kishte ndodhur në jetë dhe vetëm ne të dy i dinim vuajtjet tona, prandaj nuk mund të doja njeri tjetër, edhe pse në këtë rast, këto ishin dashuri krejtësisht të ndryshme.
U martova me Gentën dhe tani që jetonin më shumë persona në një shtëpi, më dukej sikur po jetoja një jetë tjetër. Nuk kaloi shumë kohë dhe Genta më tha që ishte shtatzënë. Ky ishte vërtet një lajm shumë i bukur sepse ma ndryshoi komplet jetën. Do bëhesha baba! Por kjo lumturi nuk më zgjati shumë sepse më vonë më tha se testi i shtatzanisë e kishte treguar gabim. Për fat të keq, ndoqa rrugën e babait tim. Nuk e di çfarë ndodhi me mua që pak nga pak u bëra i varur nga alkooli. Jeta që kisha bërë më kishte shkatërruar krejtësisht si njeri dhe ngushëllimin e vetëm për çdo gjë e gjeja te pija.
“Bir, të lutem, mos më zhgënje! Ti je personi i vetëm që kam në këtë jetë. Mos ndiq shembullin e babait tënd. Bëhu njeri i mirë sepse shumë shpejt do krijosh edhe familjen tënde”, më thoshte ime më me lot në sy. Vetëm fjalët e saj ma vrisnin shpirtin, por përsëri nuk merrja vesh. Vuajtjet për mamin dukej sikur përfunduan me vdekjen e babit, por nisën sërish me mua. Isha bërë delja e zezë në familje, nuk duroja askënd dhe nuk më duronte askush. Të gjitha nervat që kisha fillova t’i shfryja edhe unë tek ime shoqe. “Çfarë bën? Je çmendur?”, më thoshte ajo me lot në sy. Mua më nxihej çdo gjë përreth dhe llogjika ime nuk punonte në ato momente, aq më tepër që edhe pija bënte të vetën. Fillova të ushtroja dhunë mbi time shoqe dhe ime më e vuri re këtë gjë një ditë. Ajo filloi të më bërtiste dhe të më mbante me aq sa kishte fuqi.
“Mos u kthe më në këtë shtëpi. Nuk je më djali im!”, më tha.
“Do që të mos vij më në shtëpi? Nuk do vij”, i thashë dhe përplasa derën pasi dola.
Dhe vërtet nuk u ktheva në shtëpi. Doja të shikoja edhe nëse vërtet ato nuk donin të më shihnin me sy, nëse kisha mbetur i vetëm! Çdo ditë prisja një telefonatë nga ato të dyja, por më kot. E kaloja ditën rrugëve, isha kthyer në një njeri për të cilin duhej të të vinte keq. Merrja para borxh për të ngrënë, si dhe për alkool. Ditët kalonin dhe borxhet që merrja, rriteshin. Unë nuk kisha që t’ua ktheja, ndaj edhe ata më kërcënonin, por unë u thoja se do t’ua ktheja paratë në kohën e duhur, sa për të ikur prej tyre, ndërkohë që nuk ua ktheja për ditë e javë të tëra. Fillova të jetoja i fshehur prej tyre dhe në shtëpi nuk doja të kthehesha sepse as aty nuk më donte njeri. Pasi e pashë që ashtu nuk shtyhej, duke jetuar fshehurazi, fillova të kërkoja një punë. Por, në atë gjendje që isha unë, askush nuk më punësonte, prandaj kisha mbetur pa rrugëdalje. Kishte momente që mendoja të vrisja edhe veten, por nuk e di çfarë më ndalonte ta bëja. “Pse duhet të vuaj kështu? Pse duhet të bëj këtë jetë?”, pyesja Zotin me kokën lart dhe lotët që më rridhnin në sy. Isha një njeri i pandreqshëm sepse edhe vetë e kuptoja që nuk isha i mirë, por nuk ndryshoja dot. Zoti këtë jetë kishte përcaktuar për mua dhe unë duhet të mësohesha me të. Më kishte marrë shumë malli për time më dhe bashkëshorten sepse ishin të vetmit persona që më kishin mbetur, por edhe ato i largova me arrogancën time.
Një natë, teksa isha shtrirë për të fjetur diku në një rrugicë, pesë persona erdhën dhe më rrahën keq fare. Mbaj mend vetëm që më qëlluan aq fort sa më lanë pa ndjenja në tokë. Personat që më rrahën ishin ata të cilëve u kisha para borxh dhe nuk ua kisha dhënë. Të nesërmen, kur u zgjova, e pashë veten të shtrirë në krevatin e një spitali. Kisha shumë dhimbje, por i harrova menjëherë sapo pashë afër meje mamanë me time shoqe. Më shkëlqyen sytë dhe m’u duk sikur isha në një ëndërr.
“Nuk e prisja t’ju gjeja këtu”, u thashë me gjysëm zëri sepse mezi flisja.
“Mos fol se nuk ke fuqi”, më tha mamaja së cilës i dallova lotët në sy dhe mallin që po më shikonte pas kaq kohësh. Genta u afrua dhe më puthi dorën. U preka shumë nga ai moment sepse ajo më dashuronte dhe më puthi edhe pas gjithë atyre të këqijave që i kisha bërë! Falënderova Zotin që m’i solli përsëri pranë ato të dyja. Mendova se jeta ime u rregullua, por ajo shprehja: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, më shkonte më së shumti. Pasi dola nga spitali dhe shkova në shtëpi, mamaja dhe Genta kujdeseshin për mua sikur të isha fëmijë. Falë tyre e mora veten dhe u bëra siç kisha qenë.
“Po më llastoni kështu. Unë nuk e meritoj kujdesin tuaj”, u thosha. Ndihesha shumë keq për ato që u kisha bërë, por ato, me sa duket, e kishin hedhur pas krahëve gjithçka dhe më kishin falur.
Pasi u shërova, nisa përsëri me të njëjtën sjellje! Fillova të pija përsëri, të sillesha përsëri keq me Gentën dhe mamanë.
“Mendova se kishe ndryshuar, mendova se u bërë njeri, por me sa po kuptoj, ti kurrë nuk do të ndryshosh. Kjo ma copëton zemrën sepse je fëmija im i vetëm, gjithçka kam”, më tha mamaja teksa lotët i rridhnin mbi faqe. Vërtet isha i pandreqshëm. Kisha një sjellje të paqëndrueshme, herë sillesha mirë, herë shumë keq. Asnjëherë njësoj!
“Unë nuk di si të sillem me ty, nuk di çfarë të të them dhe çfarë jo sepse nuk e di si do të reagosh”, tha Genta.
“Po kaloj një periudhë të vështirë dhe duhet të më kuptosh”, i thashë. Atë natë ia kaluam bukur, pas një kohe kaq të gjatë që nuk ndiheshim ashtu. Përfunduam duke bërë dashuri edhe pas asaj nate… Genta ngeli shtatzënë. Në ditët në vazhdim, më tha se priste një fëmijë. Kjo gjë më gëzoi shumë si mua, ashtu dhe mamanë, e cila e mori vesh përnjëherë me mua. Kishte edhe momente të bukura në familje, por unë isha arsyeja që këto momente ishin shumë të shkurtra. Siç edhe e thashë më lart, fillova të pija përsëri dhe, ashtu siç isha, i dehur, kthehesha në shtëpi dhe rrihja Gentën. Harroja që ajo ishte shtatzënë. Mamaja mundohej të më mbante me sa kishte mundësi, por ishte e kotë. Në gjendjen që isha, kthehesha në një bishë që nuk kishte njeri ta mbante.
“Zhduku dhe këtë herë mos u kthe më! Për mua, je i vdekur! Ti nuk je njeri, je kafshë”, më tha mamaja. Gentën e kisha rrahur shumë keq dhe të nesërmen mora vesh që kishte abortuar për fajin tim.
“Këtë nuk do të ta fal kurrë”, më tha edhe Genta dhe përsëri mbeta i vetëm.
Po aq sa i dhimbte asaj humbja e fëmijës, më dhimbte edhe mua, pavarësisht se në momentin që e bëra, kisha qenë i papërgjegjshëm. Vrava fëmijën tim, ndaj e meritoja të më thërrisnin përbindësh. M’u duk sikur jeta ime mori fund, e humbi çdo kuptim. Zoti më dha disa herë mundësinë që të kisha një jetë të mirë dhe të qetë, por ja që unë nuk e vlerësova, përkundrazi… Ku do të shkoja tani? Humba time më, humba bashkëshorten, humba edhe fëmijën…. Zoti më dënoi në mënyrën më të keqe për gabimet e mia dhe, sado që të dua apo të mundohem t’i rikthej gjërat siç ishin, nuk është e mundur. Këtë herë, ishte përfundimtare. Nuk është se nuk u përpoqa… Provova me shpresën se mami dhe Genta do të më falnin, iu luta, iu përgjërova, u kërkova të më ndihmonin të bëhesha përsëri një njeri i mirë, siç kisha qenë, por jo… Ato më përzunë më keq se të isha një qen. Më braktisën, më lanë në mes të katër rrugëve… “E meriton këtë sjellje”, i thoja vetes, ndërkohë që zemrën e kisha të plasur. Ndoshta Genta edhe do ta besonte kur i thashë se do të kishim fëmijë të tjerë, por ajo që nuk besonte më ishte se unë mund të ndryshoja. Për këtë të fundit ishte e bindur; do të vazhdoja të isha i njëjti. Jeta e vështirë që kalova më ktheu në një përbindësh, në një njeri të keq i cili tani akoma endet në kërkim të një “më fal”. Shpresoj që një ditë mamaja dhe Genta të më falin vërtet dhe nuk do të heq dorë kurrë derisa ato ta bëjnë…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ta nxjerr vëllain jashtë nga shtepia ime apo jo?

Next Post

Nipi im është i dhunshëm

Advertisement