Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ish-burri i nxori syrin djalit për një bjonde

Kam kohë që dua t’ju shkruaj, por gjithnjë jam përpjekur të mendoj me qetësi dhe që problemet e hallet e shtëpisë të mos i nxjerr në shesh. I përkas atij brezi të edukuar që të mos flasim për familjarët, edhe pse na e sjellin shpirtin në buzë, të mos kundërshtojmë burrat, edhe pse ushtrojnë dhunë të gjithanshme. Tashmë, kupa e durimit dhe e hidhërimit tim janë mbushur. Rinia ime e hershme filloi dhe mbaroi me një shikim që i hodha djalit i cili do të bëhej bashkëshorti im për 15 vjet. Bashkëshortin ma prezantoi djali i xhaxhat, i cili e kishte patur shok ushtrie.

– Është djalë shumë i mirë, – më tha ai, – është familjar, shikon punën e tij, është edhe shumë punëtor. Pastaj, ti në fshat je e ku të gjesh një burrë që jeton pak afër qytetit! Ndoshta të jepet ndonjë mundësi të punosh në fermë e të kesh diçka më shumë se ne që shohim veç male.

Pasi e pashë një herë në shtëpinë e xhaxhit, për dy muaj u bë fejesa dhe ne mund të shikoheshim e flisnim (më saktë, shkëmbenim përshëndetjet në sytë e familjes sime) sa herë që ai vinte tek unë. Por, ajo ishte koha atëherë, ashtu ishte modeli; shyqyr që e nxora vajzën nga dera! Babai im kishte edhe dy vajza të tjera më të vogla se unë dhe u gëzua për shkuesinë që po bënte kushëriri. Përveç kësaj, familja e burrit tim ishte familje e mirë dhe ishin rehat.

Advertisement

Pas një viti fejesë, ne u martuam. Te shtëpia e burrit ishin familje djemsh. Ata ishin 5 vëllezër dhe burri im ishte djali i madh. Si fillim, përveçse isha shumë e turpshme, edhe prindërit më kishin thënë që të punoja e të mbyllja gojën, të pastroja e të nderoja familjen prej nga vija. Im shoq sillej mirë me mua. Edhe kunetërit ishin djem të mirë dhe më respektonin. Pasi mbeta shtatzënë, të katër kunetërit e mi mundoheshin të më ndihmonin me gjithë llojet e punëve që mund të bëjë një burrë. Përveç kësaj, ata ishin djem të pamartuar dhe nuk ua dinin punëve e llafeve, siç mund t’i dijë një burrë që i flet nusja gjithë kohën në vesh.

Sapo erdhi demokracia, tre djemtë e mëdhenj, ikën në Greqi. Ndihmesë për të kaluar shëndoshë e mirë ishte jo vetëm afërsia e zonës sonë me kufirin grek, por edhe se dajat e burrit flisnin pak greqisht. Në fillim, ishin shumë armiqësorë për faktin që duhej të kalonin në një “vend kapitalist”, por shumë shpejt e kuptuan që ishte më mirë të punonin sesa të merreshin me politikë. Në Greqi, burri im bashkë me vëllezërit u regulluan shumë shpejt dhe në fillim morën edhe disa kushërinj e më pas burri im vendosi të më marrë edhe mua me vete. Rruga do të ishte shumë e lodhme, natën nëpër pyll. Megjithëse ishim me kushërinjtë e burrit, ishte shumë e frikshme. Në Greqi, ku u vendosëm, im shoq më tha se do të punoja si pastruese në pesë shtëpitë e kushërinjve të tij. Ata do të më paguanin, kuptohet, me një rrogë minimale dhe ne do të kishim mundësi të mendonim për fëmijët sepse puna do të ishte pa orar dhe mund ta merrja fëmijën me vete. Sigurisht që isha dakord, e para sepse nuk dija të bëja punë tjetër dhe e dyta, sepse fjala e burrit nuk bëhej dysh. Dhe kështu, pastroja e gatuaja për të gjithë kushërinjtë e burrit dhe ata më paguanin. Puna ishte e lodhshme, sepse ishin të gjithë burra e të gjithë lodheshin e nuk pyesin se mund të lodhesha unë me rrëmujën që shkaktonin. Pastaj, shtëpitë që kishin marrë me qira ishin si haure e stane dhe nuk ngjanin me shtëpitë që kishim lënë në Shqipëri. Megjithëse lodhesha, me burrin ia kalonim mirë dhe unë mbeta prapë shtatzënë. Zoti na bekoi me një vajzë. Ishte me të vërtetë bebe e bukur, me sytë e kaltër si vjehrra ime. Unë kujdesesha për vajzat që të rriteshin dhe pastroja e gatuaja edhe për ushtrinë e kushërinjve.

Pas dy vitesh, linda edhe një djalë dhe me tre fëmijë, punët po vështirësoheshin. Pas dy vitesh të tjera, linda edhe vajzën e tretë e me katër fëmijë, nuk ia dilja më që edhe të punoja. Kështu, im shoq, meqenëse nuk më mbante dot në Greqi me katër fëmijë, mendoi se do të harxhonim më pak në Shqipëri e pastaj do më ndihmonte pak edhe vjehrra, ndaj unë me fëmijët u ktheva dhe burri vazhdoi të jetonte e punonte në Greqi. Në fillim, vinte shpesh. Mua më vinte keq se lodhej e vinte më këmbë malit, natë apo ditë dhe në ato dy ditë që rrinte në shtëpi, s’dinte kë të mbante më shumë, fëmijët, prindërit apo mua. Por, të parët tanë nuk kanë thënë kot “larg syve, larg zemrës”. Kështu, fëmijët rriteshin në Shqipëri me një baba që vinte e i shikonte gjithmonë e më rrallë, me mua që lodhesha deri në palcë, me gjyshër të sëmurë pak nga mosha e pak nga vuajtja gjithë jetën. Pas disa vitesh, vjehrri më parë e pastaj edhe vjehrra, ndërruan jetë. Gjithë atë shtëpi e madhe që kishim ndërtuar me burrin, kujdeseshim me fëmijët ta mbanim, që kur të vinte babai, të ishte sa më e këndshme. Pas vdekjes së prindërve të tij, burri im nisi të vinte gjithmonë e më rrallë. Tashmë, jo vetëm po vinte rrallë, por edhe kur vinte, na ulërinte e na vinte shamatën edhe për gjëra të kota.

Gjithmonë mendoja se e kishte nga lodhja, nga jeta vetëm, pa familje që të kujdesej për të pas pune, por unë kisha qenë budallaqja. Një verë, ai erdhi në shtëpi i krekosur e i larë. Zakonisht, vinte me thes me rroba për të larë e hekurosur, po këtë radhë ishte krejt ndyshe. Në momentin e parë mendova se ndoshta ndonjëri nga kushërinjtë kishte marrë gruan andej me vete dhe e paguanin si mua në fillim, por sapo ra mbrëmja, ai filloi t’u bërtiste fëmijëve kot na së koti dhe unë fillova të dyshoja. Ndërsa dyshimi më rritej thellë në zemër, mendja më thoshte se burri im ishte i pjekur dhe, 45 vjeç, njeriu nuk rrëshqet nga binarët. Por ja që ndodhka! Pas sherrit që bëri me fëmijët, ai ia nisi me mua.

– Ç’më shikon si shtrigë, apo të mban mendja se do më mbash të lidhur me budallëqet e tua.

– Si të të mbaj lidhur, – i thashë, – e ç’lidhje ka shtriga këtu?

– Ja që ju gratë sapo e shihni që u plakët, filloni e shkoni nëpër ato fallxhoret e filxhaneshat tuaja, që burri të mos marrë një nuse tjetër, – tha ai.

– Çfarë domethënë kjo? Nuk je fëmijë, mendohu para se të flasësh! – i thashë.

– E kam menduar, – më tha. – Greçka sigurisht që nuk është kështu plakë, si ti. Ajo di të lahet, të lyhet e të ma bëjë qejfin. Jo si ti, vetëm të punosh arat di e të më thuash që po mban shtëpinë më këmbë.

Mua m’u shemb toka nën këmbë.

– Cila greçkë po thua, i ke mendtë në kokë, apo jo? – i thashë, ndërkohë që dora zuri të më dridhej.

Në atë moment, edhe djali që po e dëgjonte, u ngrit në këmbë. Ai më doli përpara si mburojë se e pa që i ati u bë gati të më qëllonte dhe i tregoi grushtat, por nuk ishte e thënë, burri qëlloi djalin të parin me shpulla e pastaj m’u sul mua. Në momentin e parë, u përpoqa të mos bërtisja, që të mos na dëgjonin fqinjët, por vajzat dëgjuan rrëmujën dhe vrapuan për në kuzhinë. Sigurisht, u përfshinë edhe ato në përleshje me të atin. Atë natë nuk e mora vesh se kush u rrah më shumë, burri im apo unë dhe fëmijët. Vajzës së vogël i rridhte hunda gjak nga ndonjë goditje, djalit iu nxinë brinjët. Mua më ishin nxirë të dyja këmbët se ai arriti të më binte me nja dy shkelma të fortë. Në këtë gjendje, arrita të mbledh fëmijët e të mbyllem në dhomën e gjumit me ta.

Të nesërmen në mëngjes, ai filloi të bërtiste nga korridori që do shkonte në gjykatë dhe do të më sillte mandatin e divorcit. Kështu bëri, shkoi në qytet, bëri kërkesën për divorc dhe pas njëmbëdhjetë muajsh, ne ishim të ndarë. Në gjyq kërkova edhe ndarjen e pasurisë sepse kisha lënë kockat në atë shtëpi, por gjyqi e ndau shtëpinë për faqe të zezë. Mua dhe fëmijëve na dha kuzhinën dhe një dhomë gjumi, domethënë, pa banjë, ndërsa atij korridorin, aneksin dhe dy dhoma, bashkë me banjën. Sigurisht, i kishte dhënë ndonjë dhuratë gjykatësit, por e gjithë kjo nuk do të ishte asgjë para asaj që do të më vinte pas tre vitesh divorc.

Isha mësuar tashmë që ai nuk vinte, fëmijët ishin rritur, vajza e madhe po mbaronte shkollën e mesme, djalit dhe vajzës tjetër u duheshin edhe ca vite. Vëllai im kishte një shok që punon në bashkinë e qytetit e ai ndërhyri te kryetari i komunës dhe më morën në punë si pastruese. Ajo rrogë më dha dorë sepse i mbyllja ca halle. Jo se isha rehat, por isha mirë.

Një ditë të bukur, ish-burri erdhi me “greçkën” e tij për të jetuar në Shqipëri. Kishte edhe dy fëmijë me atë tjetrën. Ajo na ishte një bjonde që lodhte edhe pasqyrën teksa lyhej e pispillosej gjithë ditën. Sigurisht, e pamësuar me punët e shtëpisë e sigurisht, jo me kushtet e Shqipërisë, filloi të më binte mua në qafë. Pak më kishte nxirë jetën që më kishte prishur kurorën, por tashmë me ato dy fjalë që kish mësuar shqip, filloi të ngacmonte fëmijët dhe mua. Një ditë iu përvesha në greqisht dhe i thashë që të mbyllte gojën se ndryshe do ta zija me dru. Ajo, këtë kërkonte, shkoi e bëri denoncim në polici se e kisha kërcënuar. Policia sigurisht më nxori mua fajtore, se me të vërtetë e kisha kërcënuar. Tashmë, çdo gjë mu nxi. Më dukej se edhe pemët që kisha mbjellë për fruta në oborrin e shtëpisë, ishin me nerva. Gjithë kohën, ajo fliste matanë gardhit e më tërbonte. E kishte vendosur të më çonte në burg. I tregova vëllait tim se ç’më bënte gjithë ditën ajo dhe ish-burri, pasi kthehej nga puna. Im vëlla, meqenëse nuk më ndihmonte dot ndryshe, në vend të gardhit që na ndante oborrin, erdhi e më ndërtoi një mur dy metra të lartë, në mënyrë që ajo të mos kishte mundësi të më fliste drejtpërdrejt, por kjo shërbeu si zjarri për dinamitin.

Fjalët nuk ishin më asgjë. Ajo më hidhte mbeturina e sende të ndryshme sapo dëgjonte që ne dilnim në oborr. E pashë se qëllimi i saj ishte të na godiste. Një ditë, vajza e vogël, ndërsa nisej për në shkollë, në mëngjes, hëngri një copë ashkle të madhe fytyrës. Shpëtoi mirë pa i nxjerrë sytë. Shkuam në polici, por nuk morëm as zgjidhje e as përgjigje. “S’kemi ç’të bëjmë, zgjidhini vetë problemet familjare”, na thanë.

Hidh gurë e drurë ajo në oborrin tonë e hidh fjalë e vrer ish-burri. Më prenë ujët e çezmës, më vidhnin korrentin. Kur e kuptova, e ndërrova linjën të tërën që nga shtylla. Në verë, kur dritaret rrinë të hapura, më hodhi brenda një dru të ndezur, që të më digjej shtëpia. Falë Zotit, kisha harruar punëdoren në shtëpi, që u ktheva dhe fika zjarrin e sapovënë, por edhe me këtë, policia nuk u bind.

Një ditë, ndërsa djali dhe vajza e vogël ktheheshin nga shtëpia, greçka kishte dalë në portë dhe i shante që të dy. Ata, të mësuar me provokimet e saj, nuk i kishin folur, por i ati i fëmijëve u ishte hakërryer e ishte turrur t’i binte çupës. Sigurisht që djali ishte hedhur të mbronte të motrën, ishte përzier edhe greçka e një lëmsh i madh, turpi i fshatit! Babai që del e rreh fëmijët në mes të rrugës!

Fatmirësisht, gjithë këtë e kishin parë edhe disa bashkëfshatarë që u treguan të gatshëm të na dilnin dëshmitarë në polici që ish-burri ishte sulur i pari të rrihte vajzën. Policia e nxori greken që të nesërmen, ndërsa ish-burrin tim e mbajti vetëm dy javë. Në këto dy javë, ai jo vetëm që nuk i kishte vënë gishtin kokës se ç’kishte bërë, por ishte tërbuar edhe më shumë.

Dy ditë pasi u kthye nga burgu, filloi të kërcasë. Një herë u zu me bjondinën e tij në shtëpi. Ulëritën fëmijët, ulëriti gruaja e tij e na tmerruan, por fundja, aq kohë sa kisha fëmijët e mi mirë, s’po merakosesha. Nuk do të zgjaste shumë dhe ai, një ditë, ndërsa dilte nga porta e shtëpisë, m’u lëshua mua. Më gjuajti disa herë, aq sa nuk më la asnjë sekondë kohë jo që t’ia ktheja gjuajtjen, por as të mbrohesha. Nga goditjet e tij të furishme me theu tri brinjë dhe parakrahun e majtë. Ndërsa djali doli me vrap për të më mbrojtur, se ne ia kishim frikën, ai e goditi në kokë me grushta. Me siguri, ndonjëra nga goditjet do të ketë qenë me unazë në sy sepse djalit i filloi gjaku e s’e merrnim vesh nga vetulla apo syri. Mes gjithë atyre ulërimave, komshiu arriti të na nxjerrë nga duart e tij dhe të dërgonim djalin në spital, por ishte e kotë. Djalit i ishte dëmtuar syri. Mjekët e qytetit i bënë një qetësues e na thanë të niseshim urgjent për Tiranë. U nisëm ashtu pa para, pa një njeri të shkathët që të na ndihmonte, megjithëse mjeku që ishte me ne në ambulancë u përpoq me të gjitha mundësitë e tij. Arrita të lajmëroja vëllain tim të vinte e të më gjente në spital. Kur arritëm në spital në Tiranë, djalin e futën menjëherë në opracion, por syri i kishte shkuar.

Më mbeti djali qysh 17 vjeç me njërin sy, vetëm për një bjonde greke… vetëm nënat mund të më kuptojnë për fatkeqësinë time. Sot, nuk më duhet fare nëse ish-burri im është në burg apo jashtë, djalit tim nuk i vjen më drita e syrit që ia mori i ati…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

9 pyetje të sikletshme për seksin...

Next Post

Vëllai do ta shesë shtëpinë pa dëshirën time. Si të veproj?

Advertisement