Erind Sallahi është një emër jo fort i njohur publikisht. Erindi është një balerin, i cili ka një sallë danci të vetën, ku jep leksione danci sportive të kategorive të ndryshme. Tashmë, Erindi, do të njihet edhe si balerini i “Dancing vvith the Stars” dhe jo vetëm kaq, poooor, si partneri i Tunës. Ju, tashmë, i keni parë të vallëzojnë bashkë në pistë, këtu do të lexoni se kush është Erindi dhe si është Tuna si balerinë…
Enkeleda Kurcani: – Erind, si u përzgjodhe për të qenë pjesë e trupës së balerinëve profesionistë në spektaklin e kërcimit “Dancing vvith the Stars”?
Erind Sallahi: – Adela Lami, një mikesha ime, që ka qenë edhe ajo në Dance Sport, më ka sugjeruar te koreografët e spektaklit. Pas kontaktit që pata me koreografët, u vendos që të isha pjesë e trupës së balerinëve profesionistë të “Dancing vvith the Stars” 5. Të them të drejtën, nuk ngurrova dhe nuk m’u desh të mendohesha shumë gjatë, sepse është një sfidë e re për mua dhe shumë e rëndësishme. Dhe, ja ku jam duke kërcyer në pistën e Dancing, në Vizion Plus. Kanë kaluar vetëm dy javë dhe kënaqësia që marr është e jashtëzakonshme. Sigurisht që ka edhe lodhje, pasi provat janë me orare të zgjatura për të qenë gjithçka në perfeksion, edhe pse dihet që VIP-at apo më mirë të themi, yjet pjesëmarrës në spektakël janë amatorë në kërcim. Mezi pres edhe javët e tjera që të tregoj atë që di të bëj bashkë me partneren time.
– A je ti pjesë e ndonjë trupe baleti apo punon individualisht?
– Jo, unë nuk bëj pjesë në një trupë baleti, por kam një sallë danci timen, ku jap leksione danci sportiv në kategori të ndryshme.
– Pa anashkaluar profesionalizmin, ti je shndërruar në personazh që në momentin që je bërë partneri i Tunës. Të pëlqen ky fakt?
– Nuk e kam ndjerë këtë pjesë të të qenit personazh, sepse njerëzit që më rrethojnë janë shumë të thjeshtë dhe me këmbë në tokë. Por, komentet e njerëzve vërdallë kanë qenë të shumta. Pra, është rritur thjesht kurioziteti përreth dhe kureshtja e madhe. Batutat më të shumta që më thonë janë të llojit: “A mund të bëjmë foto me Tunën?”, “A do vijë Tuna të kërcejë me ne?”… Nëse do të kem pyetje të reja gjatë javëve në vazhdim dhe, sigurisht, nëse ne do të jemi ende si çift në Dancing, do t`ju vë në dijeni… (Qesh)
– A është vërtet ajo ma e mira pi krejtave?
– Është vërtet! Përpos kontekstit të këngës, ajo është një këngëtare me një zë të bukur dhe që na ka pushtuar para se të publikohej “Fenix”. Është nder për mua që aktualisht punoj me artisten më të madhe shqiptare. Ajo është artiste e madhe dhe këtë po e dëshmon edhe në prova. E ka dëshmuar këtë, kur për tre ditë përgatitje, arritëm të paraqitemi në mënyrë dinjitoze në puntatën e parë. Ajo është një Fenix…
– Është mbase shumë herët për ta thënë, por cilat kanë qenë kritikat dhe vlerësimet e jurisë deri më tani? Cili nga anëtarët e jurisë duket sikur ju ka më për zemër?
– Në fakt, mirë e the, është shumë herët dhe kritika s`kanë qenë akoma pasi është java e dytë dhe ka vetëm sugjerime, të paktën kështu i kam marrë. Vlerësimet ishin për performancën në koreografi dhe këtu u ndjeva i nderuar. Ende nuk ndihet kush na ka më për zemër, veç spektatorit.
– Ke ndonjë shoqe që mund të bëhet xheloze për Tunën?
– Unë jam shumë profesionist, nuk ka xhelozi të tilla.
– Të cilësuan si Keni i Barbit, për shkak të buzëqeshjes tënde të përhershme. Ajo është një buzëqeshje skenike, në fakt, apo jo?
– Jam djalë i qeshur nga natyra! (Qesh)
– Si është Tuna si nxënëse? Është korrekte, e bindur?
– Është shumë korrekte dhe kjo është pika e forcës së bashkëpunimit tonë, pasi përputhemi plotësisht. Provat janë pjesa më e rëndësishme e spektaklit, po ta mendosh, pasi rezultati që sheh spektatori në spektakël, është puna e bërë gjatë provave. Ndaj oraret duhen respektuar, janë shumë të rëndësishme.
– Si është Tuna si shoqe? Ka ndonjë kafe, drekë apo darkë që pason provat?
– Tuna si mikeshë është shumë e thjeshtë dhe e gjindur. Shpeshherë kur mbarojmë provat, më thotë të më ndihmojë edhe me pastrimin e sallës së dancit, në mënyrë që çdo gjë të jetë gati për nesër, pavarësisht se unë jam shumë i lodhur dhe them “sot nuk do pastrojmë”… (Qesh)
– Si është Tuna si balerinë? E ndihmon atë fakti i të qenit elegante, për të qenë një balerinë më e mirë?
– E ndihmon fakti që ajo është shumë e dëgjueshme dhe punon shumë, është goxha e fokusuar në këtë që po bën; kjo më ndihmon edhe mua.
– Si të duket Tuna si këngëtare? Të pëlqejnë këngët e saj?
– Si këngëtare e kam pëlqyer gjithmonë, ia di edhe këngët e shpeshherë ia këndoj në prova, për ta bërë të qeshë. Dhe, ia arrij…
– Keni menduar që ta përdorni për ndonjë nga koreografitë, këngën e famshme të zogut?
– Atë jo, se e kam në program me një shoqe tjetër, por “E boj nxeht” po, e kam menduar.
– Me një gjykim të shpejtë profesionisti: Cili prej VIP-ave të pëlqen më shumë në kërcim? Cilit çift do t’i jepje 10 pikë?
– Meqenëse sporti ynë gjykohet në çift, pra, jo individualisht, unë do të vlerësoja me 10 pikë nga ana profesionale si çift i gjetur dhe strategjik për një konkurs si DVVS, aktoren Eva Alikaj & Elton!
– Cila është disiplina jote e preferuar në kërcim?
– Janë dy disiplina: Standarde dhe latine. Mua më pëlqejnë latinet; janë më ekspresive e dinamike dhe kanë më shumë hapësira të japësh nga vetja stilin tënd të të kërcyerit!
– Okej, të shkëputemi pak nga “Dancing vvith the Stars”. Kush është Erand Sallahi dhe si ka nisur lidhja jote me kërcimin?
– Nisi krejt rastësisht, si çdo gjë e madhe në jetë! Një shoqe e imja nuk kishte partner në Dance Sport dhe më ftoi të provoja! Nga aty e gjeta veten deri sot, në salla e studio danci!
– U ke dhënë leksione kërcimi moshave, gjinive e peshave të ndryshme. Ç`tipare ka pasur kursanti yt më i mirë?
– Përgjithësisht, janë të gjithë “tipa”, sepse këta tërheq danci! (Buzëqesh)
– Midis pasionantit dhe të disiplinuarit, kush fiton në kërcim?
– Disiplina, pa dyshim dhe fokusimi në atë çka do realisht të bësh në jetë. Pasione mund të ketë plot njeriu, madje ato të shpërqendrojnë.