Përshëndetje lexues të dashur të Gazetës “Intervista”. Unë që po ju shkruaj jam Eda. Jam një lexuese e rregullt e gazetës, veçanërisht e rubrikës së historive personale. Mora edhe unë guximin që t’ju shkruaj dhe të ndaj bashkë me ju historinë e jetës sime, e cila më mundon prej vitesh. Historia ime nis në moshën 18 vjecare. Në atë kohë sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe u njoha me një djalë shumë simpatik. Jam njohur me B-në te lagjja e tezes sime, pasi unë shkoja dhe rrija shpesh te shtëpia e tezes. Pas disa muajsh lidhjeje, vendosa që këtë gjë ta ndaja edhe me tezen; mendova se do të ishte më mirë ta merrte ajo lajmin e para. Kështu, kisha edhe një lloj mbështetjeje, sepse ajo është një femër shumë e hapur dhe mendova se do ta priste mirë lajmin që do t’i jepja. Është shumë ndryshe nga mamaja ime ajo, është një femër serioze dhe me norma. Njëra arsye që më pengonte t’i tregoja mamasë sime ishte sepse për të, primare ishin studimet që unë duhet të vazhdoja dhe më pas të mendoja për një lidhje serioze, por jeta është shumë e çuditshme dhe gjithmonë ndodhin gjëra të paparashikuara. Njëra nga këto ishte njohja me B-në. I tregova tezes sime dhe ajo më mbështeti në gjithçka që kishte të bënte me ndjenjat e mia, por problemi qëndronte se ajo kishte dëgjuar se B-ja sillej si një djalë i papërgjegjshëm. Këtë arsye të tezes nuk e mora shumë parasysh në ato momente sepse isha verbuar nga dashuria që ndjeja për të dhe iu luta tezes të më ndihmonte që t’ia shpjegonim bashkë mamit, sepse vetëm, mendoja se do të ishte më e vështirë. Ajo më tha se do t’ia shpjegonte një ditë mamit larg e larg dhe të shikonte reagimin e saj, por e dija përgjigjen që do më jepte tezja… Mami i kishte thënë shumë shkurt, pa ditur absolutisht asgjë: “Eda duhet të ndjekë studimet, ajo është gjëja që duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje”.
E lashë për një periudhë kohe dhe pastaj i thashë tezes që duhet të flisnim sa më parë me mamin sepse unë mësova që kisha ngelur shtatzënë. Isha në një moment shumë të vështirë në jetën time. Nuk dija si të veproja dhe kisha shumë frikë. Tezja shtangu në vend kur e mori lajmin. Vendosa menjëherë që të mësonte edhe mami gjithçka. Më kujtohet ajo ditë që kishte vetëm ulërima të tmerrshme në shtëpinë time. Mami u bë shumë keq, madje akuzonte edhe tezen, së cilës i thoshte se nuk kishte qenë e kujdeshme kur unë shkoja të rrija tek ajo dhe që unë përfundova të njihja B-në. Mami nuk ishte aspak dakord. Më thonte të abortoja sepse e kisha jetën përpara dhe se isha treguar një vajzë shumë e ulët që kisha bërë një zgjedhje të tillë dhe që isha nxituar. Ndodhesha në një situatë shumë të vështirë. Nuk dija si të veproja. Mami as që mori përsipër ta takonte B-në. Vendosa ta mbaja fëmijën, pasi B-ja më tha se do jetonim në shtëpinë e tij. Në atë kohë, unë vazhdoja edhe fakultetin. Isha edhe shumë e rënduar psikologjikisht sepse se si më dukej që shkoja në fakultet çdo ditë dhe isha shtatzënë. Kisha gjithë mbështetjen e pedagogëve, por mendoja se si më shikonin shokët dhe shoqet, por kjo ishte më e pakta…
Është e vërtetë shprehja që, kur jeton me një person, e njeh më mirë atë. Kështu ndodhi edhe me mua; B-ja po sillej tamam si më tha tezja, ishte shumë i papërgjegjshëm për gjithçka. Nuk dija se si të veproja. Ai nuk punonte, rrinte gjithë ditën kot dhe u kërkonte para prindërve të tij, që ishin me të vërtetë njerëz të mrekullueshëm. Nuk po e njihja më veten time. Isha bërë pishman që kisha vazhduar me B-në, por tani ishte vonë.
Nga shqetësimet e tepërta, ndodhi që fëmijën, i cili ishte djalë, e linda shtatanik. Nuk ndihesha e lumtur që kisha sjellë në jetë djalin dhe nuk e kuptoja çfarë po më ndodhte. Dy ditë pasi linda, u largova nga spitali duke e lënë djalin atje dhe shkova menjëherë te shtëpia e nënës sime. Ajo më hapi derën dhe unë vetëm qaja. I tregova se çfarë kisha bërë, por ajo e pa që nuk isha në gjendje të mirë dhe nuk më foli fare. Pas disa orësh dëgjova nga dhoma ime që kishin ardhur prindërit e B-së bashkë me djalin tim. Ata kërkuan në mënyrë të prerë që unë të mos e shihja fare djalin, sepse do të ishin ata që do ta rrisnin dhe se, nëse do të kërkoja ta merrja, do të më hidhnin në gjyq, pasi nuk isha e aftë të kujdesesha për të, duke qenë se e kisha lënë në maternitet. Qoftë edhe vetëm ky fakt e bënte B.-në ta fitonte kujdestarinë. Nuk kisha zë të kundërshtoja asgjë nga ato që thonin prindërit e B-së dhe tani e them me plot gojën se kishin shumë të drejtë. Ata u larguan atë ditë bashkë me djalin. Pas disa kohësh, mësova se ai ishte martuar dhe se do të shkonte bashkë me djalin të jetonte në Itali. Me jetën time nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Një ditë erdhi mami në shtëpi dhe më tha se shoqja e saj do të më prezantonte një djalë shumë të mirë, të shkolluar e djalë i vetëm. Në fillim nuk dija si të veproja, por pranova.
E pëlqyem njëri-tjetrin dhe tani jemi martuar, kemi një vajzë e një djalë. Para pak kohësh kam mësuar që vajzën e kam me Sindromën Daun. Mallkoj dita-ditës veten time pasi mendoj se Zoti po ma kthen në të njëjtën monedhë të keqen që i bëra djalit, që e lashë të rritej pa mamanë e tij. Jam e bindur se kjo është arsyeja pse po vuaj kaq shumë tani, sepse e kam vajzën dhe nuk jam e aftë ta ndihmoj për asgjë. Po vuaj kaq shumë dhe mendoj se vetëm kur të vdes, do ta paguaj njëherë e mirë atë çka i bëra djalit tim…