Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

A t’ia marr hakun babait?

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë që sot kam mbaruar shkollën e lartë për juriste, por kam një dilemë të madhe brenda vetes. Sot po i drejtohem kësaj gazete sepse dua mendimin tuaj të argumentuar me detaje se si mund të veproj me këtë problem dhe hall që më ka rënë mbi kokë. Para disa vitesh kisha një familje shumë të lumtur, madje me plot gojën mund t’ju them se ishim familja më e lumtur dhe më e gëzuar në botë. Prindërit e mi nuk i kisha dëgjuar kurrë të ziheshin apo të debatonin, ata ishin njerëz që nuk i bënin keq askujt, vetëm mirësi transmetonin kudo ku shkelnin. Të dy ishin arsimtarë dhe mua ma kishin ngulitur në mendje se shkolla është gjithçka për një njeri. Babai im dëshironte që unë të vazhdoja shkollën për Mjekësi dhe lënda e Biologjisë ishte primare për mua. Mund të them me plot gojën se isha e para e shkollës me mësime dhe doja t’ua plotësoja këtë dëshirë prindërve të mi. Pa u zgjatur shumë në të tilla detaje, po filloj t’ju tregoj atë që më ndodhi dhe që më ndryshoi jetën.
Periudha kur më ndodhi tragjedia e madhe në familje ishte viti 2000. Ishte pikërisht vera e këtij viti, kur një të dielë, babi, mami, vëllai i vogël dhe unë ishim duke u kthyer për në shtëpi, pasi kishim qenë për vizitë te njerëzit tanë. Në një moment, dëgjuam krisma armësh dhe babi na shtyu të uleshim përdhe, por atë e kapi plumbi në kraharor. Mbaj mend që ai ra në duart e mamit dhe vetëm kaq dëgjova t’i thoshte: “Amanet fëmijët!”. Nuk di ta përshkruaj atë moment, kur mbi kokat tona erdhën dhe na mbuluan shumë njerëz. Unë dhe vëllai i vogël filluam të qanim, nëna kërkonte ndihmë që të vinte ambulanca, por ishte shumë vonë, ai vdiq në duart e mamit tonë, duke na patur ne, fëmijëve, në gojë. Edhe pse isha vetëm 10 vjeçe, kuptova se aty përfundoi jeta ime, por njëkohësisht, mendoja se aty edhe filloi një jetë e re për mua, një jetë që nuk do ta gëzoja si gjithë fëmijët e tjerë, por do jetoja vetëm për një qëllim: “Hakmarrjen ndaj personit që vrau tim atë”. Atë ditë në atë qytet vdiqën dy persona dhe personi që ishte në shënjestër për t’u qëlluar nuk kishte të bënte fare me familjen tonë; ai ishte një njeri që ishte marrë me trafikim të femrave dhe ishte pikërisht babai i një vajze që mori hak kundër tij, ndërsa babanë tim e zuri plumbi që ishte drejtuar kundrejt atij personi.
Vëllanë e kisha vetëm katër vjeç dhe mbaj mend që neve na çuan në shtëpinë e gjyshes, ku unë vetëm qaja pa pushim pasi doja ta shikoja për herë të fundit tim atë. Ditën tjetër më mori daja dhe shkuam të blinim një tufë të madhe me lule që i vura mbi trupin e tim eti të shtrirë në arkivolin që rrethohej prej shumë njerëzve. Në momentn kur e pashë tim atë ashtu, i bëra një betim duke mërmëritur nëpër dhëmbë “të betohem për shpirtin tënd që do të ta marr hakun!”.
Që prej asaj dite, në familjen tonë nuk pati më gëzim, por vetëm trishtim. Çdo gjë në atë shtëpi na kujtonte duart e babit, që kishte punuar aq shumë për të na rregulluar jetën. Nëna, edhe pse nuk e jepte veten në sytë tanë, qante në çdo moment të ditës kur ishte vetëm. Sa më shumë e shikoja atë në atë gjendje të dëshpëruar, aq më shumë më shtohej urrejtja për njeriun që vrau tim atë. Nëna, për asnjë moment nuk na e ushqente ndjenjën e hakmarrjes, ajo gjithmonë na edukonte edhe mua, edhe vëllanë që të mos shkatërronim jetët tona, pasi vrasja e babait tonë ishte bërë pa dashje edhe në të vërtetë, kështu ishte, personi që e vrau babanë tim kishte marrë në shënjestër tjetër njeri, po me sa duket, fati e shkroi që im atë të flijohej në të njëjtën ditë. Nëna na thonte gjithmonë se vrasësi i babait tonë po e paguante dënimin e tij në burg në Greqi, por këtë, unë, edhe e besoja, edhe jo, sepse nëna për asnjë çast nuk ishte e qetë. Një ditë e dëgjova teksa i thoshte tezes sime se ai person ishte arratisur jashtë vendit dhe shteti shqiptar nuk kishte bërë ende asgjë. Mbas atij momenti, vendosa të mos e vazhdoja shkollën për doktoreshë, por për juriste. Edhe pse dëshira e babait ishte që unë të bëhesha mjeke, me shumë keqardhje hoqa dorë për atë profesion me dëshirën e mirë që të vendosja drejtësi dhe në njëfarë mënyre, të merrja hak për vrasjen e tim eti. Isha vetëm 15 vjeçe kur mendoja të tilla gjëra, por nuk flisja me nënën pasi ajo në mënyrë kategorike nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Vitet kalonin shumë shpejt, vdekja e tim eti kishte lënë gjurmë të thella në shpirtin tim, nuk isha si shoqet e mia që e shijonin jetën deri në detaj, me çdo lloj mënyre, duke shkuar nëpër pabe, disko, në piknik, kafeneve, ndërsa unë isha ngujuar brenda në shtëpi për të vetmin qëllim: Të mësoja dhe ta vazhdoja shkollën në degën që doja. Hakmarrja ndaj njeriut që vrau babin tim ishte primare për mua. Nëse nuk do ta bëja nëpërmjet drejtësisë, do ta bëja ashtu siç bëjnë të gjithë ata që u janë vrarë njerëzit e tyre dhe që shteti nuk vë dorë për të vënë drejtësi. Halli që na kishte rënë më dukej sikur më kishte pjekur para kohe dhe, edhe pse jam një femër shumë e bukur, edhe pse shumë djem kanë dashur që të më afrohen duke më këshilluar se hakmarrja nuk është gjë e mirë, unë prapë nuk kam hequr dorë prej saj. Tashmë jam diplomuar për drejtësi, por asnjë lloj drejtësie nuk kam vendosur për atë që mori jetën e tim eti. E vetmja gjë që kam kërkuar me shumë forcë, është që Interpoli ta kapë dhe ta kthejë në Shqipëri, por deri tani, asgjë nuk është bërë. Gjërat për familjen tonë janë bërë edhe më kritike pasi edhe vëllai kërkon të hakmerret, ndërsa nëna na thotë se nëse do ta bëjmë një gjë të tillë, për të nuk ka më jetë. Unë nuk doja që im vëlla të përzihej në këtë ngjarje. Këtë hall që na ra neve doja të zgjidhja me çdo kusht me të mirë ose me të keq po të ishte nevoja, por nëna tashmë na ka vënë një barrierë të fortë, ajo na kërcënon me jetën e saj dhe neve na janë lidhur duar.
Unë jam në një dilemë shumë të madhe, jam midis betimit që kam bërë mbi trupin e tim eti se do t’ia merrja hakun dhe asaj që na kërkon nëna. Nuk e di çfarë do ndodhë më vonë, se si do të rrjedhin gjërat, po ajo që di është se nëse nuk e arrij qëllimin tim, gjithë jetën do të ndjehem si një njeri i ngurtë që as nuk qesh, as nuk qan. Jeta ime deri këtu arriti mbi të vetmin synim; “urrejtjen dhe dëshirën për t’u hakmarrë”. Kjo është e vemja gjë që do të më çlironte nga një gjendje kaq e keqe që më ka kapluar…

Blerta

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (12) View Comments (12)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Margarita Xhepa: Shpresoj për bashkëpunime të tjera me regjisorët grekë

Next Post

Zaimina bën selfie me të brendshme

Advertisement