Ngjyra e anës së errët të Hënës nuk është e zezë, sikurse mendohej deri tani, por bruze. Këtë lajm e dha në një konferencë për shtyp, shkencëtari Peter Tejli, bashkëpunëtor i Institutit Meteorologjik të Kopenhagenit. Në fakt, ajo anë e merr dritën e Diellit tërthorazi, nëpërmjet planetit tonë dhe sipërfaqja prej hiri e reflekton atë në mënyrën e vet fantastike, duke i dhënë nuanca të ngjyrës bruze. Tejli deklaroi se nuk ka qenë ndonjëherë në Kozmos, por është i bindur në atë që thonë astronautët, kur e quajnë Hënën “glob i kaltër”. Tani kemi aq shumë mjete optike saqë mund të përcaktojmë me saktësi edhe nuancat më të imëta të ngjyrave jo vetëm në Hënë, por edhe në planetet e tjera, deklaroi ai. Në fakt, ngjyra e asaj ane të Hënës ka nuanca jeshile, gurkali në bojë qielli, pra, mund të thuash me plot gojën se është ngjyrë bruze, shpjegoi shkencëtari…
Kjo është hera e parë që përcaktohet ngjyra e asaj ane të Hënës. Orvatja e parë është bërë që në vitin 1965, por pa shumë sukses. Nga ana tjetër, përcaktimi ngjyrave ka rëndësi të madhe edhe për planetin tonë sepse me anën e nuancave të saj mund të përcaktohen më saktë prognozat klimaterike. Kjo anë e Hënës mund të marrë së shpejti një rëndësi të veçantë, aq më tepër po të përkrahet ideja e miliarderit amerikan për të ndërtuar atje një hotel turistik… Është vërtet bukur, megjithëse me sa duket, vështirësitë do të jenë të mëdha sepse në radhë të parë, biznesmenët duhet të marrin leje nga autoritetet amerikane që e konsiderojnë atë pjesë si pronë shtetërore amerikane. Po kështu, duhet të ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare amerikano-ruse sepse edhe rusët, pretendojnë se kanë të drejtën e pronës në atë anë të Hënës. Problemi ndërlikohet edhe më shumë me daljen në arenën e studimit të Hënës në vitin 2013 të Republikës Popullore të Kinës, e cila ka shprehur dëshirën për të ndërtuar atje një stacion studimor ushtarak. Kështu, pa përcaktuar mirë të gjitha nuancat e ngjyrave të anës së prapme te Hënës, ka filluar “lufta” për ndarjen e saj territoriale…