1. Si mund t’i përziesh katrorët me vijat?
– Kohët e fundit ka hyrë në modë përzierja e katrorëve në formë fushe shahu, me vijat e gjera. Pyetja që shtrohet, është: Si mund t’i përziesh ato pa e tepruar dhe pa të dhembur sytë? Është e mundur! Shembull është vajza në foto, që ka veshur një fund me katrorë të vegjël, diskretë, me një bluzë me vija jo shumë të gjera, të gjitha me një ngjyrë, bardhë e zi, siç është tendenca e momentit. Në përgjithësi, siç bëhet për të përzier vijat mes tyre, edhe përzierja e stampimeve gjeometrike mund të bëhet nëse luan me harmoninë e ngjyrave, qoftë 100%, si këtu me bardhë e zi, qoftë të paktën 50%, duke zgjedhur për shembull katrorë të zinj e rozë dhe vija të zeza e të kuqe. Pra, ideja është përzierja e stampimeve në një unitet ngjyrash që e bën lukun më të pranueshëm.
2. Veshjet ngjyrë nudo duhen mbajtur ende në dollap?
– Herën e parë, para disa vjetësh, kur keni lexuar fjalën “nudo”, i keni thënë vetes pa dyshim: “Në fakt, është ngjyrë mishi”, gjë që është e vërtetë. Sidoqoftë, është një term më i sofistikuar se ngjyra e çorapeve të gjyshes, të cilat nuk do t’i vishnit kurrën e kurrës. Megjithëse sot tendenca për të veshur nudo është qetësuar paksa, ajo mbetet një vlerë e sigurtë, si në verë, ashtu edhe në dimër. Skarpinat nudo, shumë të vlerësuara nga Kejt Midëlltoni, shkojnë pothuajse me gjithçka. Një bluzë nudo, siç e mban këtu Rozë Hantigton-Uajtli, ka një pamje shik dhe sensuale, që funksionon pothuajse gjithmonë. Për verën e vitit 2014, mënyra më e mirë për të veshur nudo, është ta kombinosh me një ngjyrë të fortë, si për shembull me një ngjyrë portokalle-shegë, që do ta bëjë lukun tuaj më shik, duke zbutur edhe ngjyrën e fortë. Mbajini pra veshjet me ngjyrë nudo në dollap!
3. Si mund ta përdorim këmishën e bardhë që veshim në zyrë, në një festë mes kolegësh pas pune?
– Nganjëherë na mungon koha, ose përtojmë dhe mbetemi me lukun e zakonshëm të zyrës, atë të këmishës së bardhë dhe pantallonave, edhe pas pune. Si gjithmonë, ato që na shpëtojnë nga situata janë aksesorët. Kështu, zëvendësojini balerinat me skarpina, aq më mirë nëse janë me xixa, të praruara, etj., për të kontrastuar ngjyrën e bardhë. Lëreni çantën e madhe në garderobë dhe prej saj nxirrni një çantë të vogël dore, me ngjyra të forta, që ka brenda vetëm gjërat e domosdoshme për të biseduar qetësisht. Mund të vini mbi këmishën e bardhë një papijon, si vajza në figurë, një varëse që bie në sy ose një jakë që hiqet (e zbukuruar me perla apo gurë), të cilën e kemi futur në çantë. E thjeshtë dhe efikase.