Punonjësit e sektorit shkencor të spitalit francez Hospital Tenon, në Paris, i kanë mësuar qentë që të dallojnë kancerin e prostatës nëpërmjet nuhatjes së urinës. “Qentë e mësuar arrijnë ta nuhatin aromën e molekulave të qelizave kanceroze me saktësi të madhe, deklaroi në një konferencë shtypi doktori Zhan-Nikola Kornju, vetëm se ne nuk i njohim ato molekula, ndërsa qentë nuk kanë mundësi të na sqarojnë”.
Shkencëtarët francezë i trajnuan për të dalluar urinën e të sëmurëve me kancer të prostatës nga ajo e të shendoshëve një vit rresht qentë-ujq belgë të racës “manilua”, të cilët deri në atë kohë kishin ndihmuar policinë për të zbuluar me nuhatje narkotikët dhe lëndët shpërthyese. Dhe kjo, vetëm me anë të nuhatjes. Në fund të stërvitjeve dhe eksperimenteve, shkencëtarët francezë vunë para qenve pesë epruveta me urinë të njerëzve jo të sëmurë nga kanceri dhe një me urinën e të sëmurit me këtë sëmundje. Në 66 prova, qentë gabuan vetëm tri herë. Urologët amerikanë e kanë quajtur këtë, “një rezultat që të bënte përshtypje të madhe”.
Megjithëkëtë, kjo hipotezë ka edhe kundërshtarët e saj. Ata mendojnë se qentë pjesëmarrës në eksperimente mund të marrin sinjale intuitive nga qëndrimi i njerëzve dhe zgjedhin ato epruveta që intuitivisht, duket se u pëlqejnë njerëzve. Eksperimenet vazhdojnë dhe në rast se do të afirmohet shpresa e mjekëve, ky do të ishte një revolucion i vërtetë në diagnostikimin e sëmundjes dhe do t’i shpëtonte njerëzit nga biopsia e analiza të tjera laboratorike që kërkojnë kohë dhe e mbajnë të sëmurin dhe të afërmit e tij në ankth… Problemi i diagnostikimit do të zgjidhej brenda disa minutave.