– Në një status në Facebook, nisur nga përmendja e fjalës “overdozë” nga Kryeministri Edi Rama, ju bëtë thirrje përsëri se të gjithë politikanët duhet t’i nënshtrohen testit të përdorimit të drogës dhe ata që dalin pozitiv, duhet të largohen. Jeni i bindur se Edi Rama merr drogë?
– Nuk më ka habitur aspak fakti që Rama ka përdorur termin “overdozë” në një kontekst të gabuar, duke dhënë shkas që t’i “lexohet” subkoshienca. Aq më tepër që Rama ka qenë i akuzuar si përdorues droge nga një ish-deputet i LSI-së, aktualisht mik i tij dhe me këtë temë është rimarrë aleati i tij kryesor Ilir Meta (shih videon në Youtube në adresën http://www.youtube.com/watch?v=WLsrXNxYY_8). Kjo akuzë është artikuluar në median e shkruar dhe është deklaruar disa herë në Parlament (mjafton të konsultohen proces-verbalet e Kuvendit), por unë nuk jam nisur nga këto premisa, sepse nuk më interesojnë emrat konkretë, nuk merrem me akuza personale, por analizoj dukuritë dhe mbaj qëndrime për veprimtarinë e institucioneve publike dhe drejtuesit e tyre. Kërkesa ime “për testin e drogës për të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë” bazohet në gjykimin e thjeshtë se, e para, duhet minimalisht transparencë për publikun nëse “politikanët dhe zyrtarët e lartë” janë apo jo përdorues të drogës (përderisa një veprim i tillë konsiderohet i paligjshëm) dhe e dyta, se nuk mund të kryhet lufta kundër trafiqeve të drogës apo përdoruesve të saj nëse kryeministri, kryetari i kuvendit, ministrat, deputetët, prokurorët, gjykatësit, drejtorët që merren në luftën kundër drogës, nuk janë pa asnjë gjurmë droge në gjakun e tyre, ose të kenë bërë transparencën përballë publikut nëse dikur, apo në momentin e kryerjes së detyrës kanë përdorur lëndë narkotike të palejuara nga ligji. Ky është legjislacioni ynë dhe publiku do të kërkonte të dinte nëse politikanët dhe zyrtarët e lartë që paguhen nga taksat e tyre, jo vetëm janë, apo nuk janë përdorues të drogës, por nëse ata janë zbatuesit e ligjit…
– Mos jeni pak konservator? Se, edhe po mori drogë, nuk ka ndonjë gjë të keqe, këtë gjë e bëjnë në botë shumë njerëz të njohur… Edhe Obama e ka pranuar se kur ka qenë i ri, ka marrë drogë…
– Së pari, unë bëj fjalë për zbatimin e ligjit dhe ligji shqiptar nuk lejon përdorimin e drogës në Shqipëri; pra, nuk jemi në fazën e debatit nëse duhet lejuar, apo jo përdorimi i drogës. Së dyti, nëse ky debat do të hapej, unë do të isha kundër përdorimit të drogës…
– Mos ka kaluar koha e “pastërtisë” së politikanëve? Më përpara, për shembull, thuhej që ata duhet të kenë figurë morale të pastër, të jenë korrektë, të ndershëm, familjarë të mirë etj. Por procesi Klinton-Levinski mendoj se e hodhi poshtë këtë klishe. Mos duhet ta shohim edhe ne këtu në Shqipëri pak më ndryshe këtë problem? Edhe politikanët janë njerëz mëkatarë, si të gjithë…
– Nuk më rezulton se kjo çështje është e tejkaluar… Në kulturën politike anglo-saksone “morali individual” është komponent i “moralit politik” dhe për rrjedhojë, qëndrimi publik mbetet i ashpër për çdo defekt moral të politikanëve. Sa ndikon kjo në mbështetjen elektorale është çështje e vështirë për t’i dhënë një përgjigje të saktë; në SHBA dhe Angli, ndikimi vazhdon të mbetet negativ. Në kulturën politike latine, jeta private ka qenë e ndarë nga jeta politike; por gjithnjë e më shumë, edhe në vendet latine po futet kultura anglo-saksone… Në SHBA, për këtë çështje, u bë debat shumë i madh që për pak përfundoi me “kërkesën për dorëheqje” të Presidentit Klinton. Po e njëjta zhurmë u bë në Francë, para pak kohësh, me presidentin Holandë dhe nuk u trajtua si diçka pozitive apo e zakonshme veprimi që bëri. Po kështu, “skandali” i DSK (Domenik Straus Kahn), ish-drejtorit të FMN-së dhe kandidat favorit për president në Francë, i kushtoi atij të gjithë karrierën politike. Për shkak të rritjes së transparencës, këto dukuri që kanë ndodhur edhe më parë, tani evidentohen më shpesh dhe natyrisht, bëhen pjesë e debatit publik. Pra, nuk kalojnë pa u vënë re dhe nuk më rezulton se “ka kaluar koha” e ndërlidhjes së moralit individual me moralin politik, apo të jetës private me jetën politike… Ky mbetet një debat i hapur edhe në vendet moderne… Amoraliteti individual nuk është pjesë e moralit politik në vendet perëndimore demokratike. Ndoshta në vendet e regjimeve korruptive dhe me komplekse inferioriteti ndaj modernizmit, kjo ndodh…
– Jeni të sigurtë se në parlament ka edhe trafikantë droge?
– Përgjigjja e saktë kësaj pyetjeje i përket prokurorisë, unë nuk jam as prokuror dhe as gjykatës që të merrem me emrat konkretë. Unë vërej se në Kuvend ka gjithnjë e më shumë individë që nuk kanë lidhje me politikën, që partitë politike dhe media artikulojnë se ka individë me “rekorde kriminale”… Këto artikulime rezonojnë me analizën time racionale… I besoj, por ato duhen provuar dhe këtë gjë e bën prokuroria dhe drejtësia. Indikacionet janë të tilla që pyetja juaj ka shumë gjasa të marrë përgjigje pohuese nga organet e specializuara dhe për mua, është shumë shqetësuese kjo situatë, përderisa kam vendosur të jetoj dhe të jap kontributin tim modest në Shqipëri…
– E zëmë se do të vendoset të bëhet testi i drogës. Kur këtu manipulohen zgjedhjet, kush të siguron se nuk do të manipulohet një test droge?
– Do ta mbaja sekret mënyrën e kryerjes së këtij testi dhe do ta zbuloja vetëm nëse ky test do të pranohej të kryhej përmes një ligji të miratuar nga Kuvendi. Mënyra që do të propozoja, garanton që testi të kryhet pa pasur asnjë mundësi manipulimi, madje të tregojë përdoruesin edhe kur ky veprim mund të jetë kryer shumë kohë më parë, pra, askush nuk do të kishte mundësi të maskohej… Ekziston teknologjia për ta bërë këtë test pa asnjë mundësi manipulimi, nëse do të ketë vullnet që kuvendi të miratojë një ligj për të testuar të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë.
– E zëmë se testi nuk u manipulua dhe u larguan nga politika e parlamenti përdoruesit e drogës. U rregullua Shqipëria pas kësaj? Mendoj se kemi nevojë për shumë teste: Duhet bërë testi i vjedhjes, testi i korrupsionit, testi i hakmarrjes, testi i babëzisë për para etj. Janë shumë, apo jo?
– Droga, korrupsioni, gjakmarrja/hakmarrja, babëzia për fitim të paligjshëm e tjerë, rezultojnë të ndërlidhura fuqimisht midis tyre; për rrjedhojë, lufta ndaj secilës nga këto dukuri negative, çon pashmangshmërisht edhe në luftën ndaj dukurive të tjera. Lufta kundër trafikut dhe përdorimit të drogës, është një nga kërkesat për t’u bërë anëtarë të BE-së, jo thjesht në kuptimin formal, meqë na e kërkojnë ata, ne duhet ta bëjmë, por në kuptimin e pasojave që ka ky trafik në qeverisjen e vendit, sidomos kur kap nivelet e larta të qeverisjes, në kuptimin e parave të pisëta që gjenerohen nga ky trafik. Në kuptimin e ndërlidhjes së këtij trafiku me vrasjet dhe krimet e tjera. Në kuptimin e ndërlidhjes së këtij trafiku e përdorimi me jetën e të rinjve. Rasti i fundit i Kostandin Xhuvanit flet qartë për këtë ndërlidhje. Ju pyesni për testet e tjera, të korrupsionit, hakmarrjes, babëzisë për para… Po të lexoni dhe analizoni me kujdes “rastin Xhuvani” (nuk po e marr në analizë për qëllime politike, por thjesht si dukuri) rezulton se të katër dukuritë janë të ndërlidhura midis tyre: trafiku, prodhimi e përdorimi i drogës rezultojnë të ndërlidhura me babëzinë për para (një dozë drogimi thuhet se kushton 80-100 euro, vlerë shumë e lartë për një që i nxjerr të ardhurat me punë, mund e djersë), gjakmarrjen (flitet se për rastin në fjalë, ka shumë mundësi që midis vrasësit dhe viktimave të futet në mes “gjakmarrja”…) dhe korrupsionin (mjeku u korruptua për të krijuar alibinë se i droguari ishte me probleme mendore), policisë (policia u korruptua se pasi kaluan 30 ditë, nuk e kërkoi, me alibinë se kishte kaluar afati i kërkimit), prokurorisë (prokuroria u korruptua me alibinë se mjeku e solli të droguarin me probleme mendore dhe nën efektin e alkoolit), ministrit e deri kryeministrit (këta, natyrisht, u futën në lojë se nëna e të droguarit ishte deputetja e partisë së tyre)… e tjerë e tjerë. E kuptoni se sa kollaj lidhen të këqiat midis tyre?!
– Pse gjithnjë e më shumë njerëzit problematikë ose të inkriminuar po merren me politikë? Është ky fenomen vetëm shqiptar?
– Më vjen mirë që bëni këtë pyetje, sepse përmes saj, ju dhe publiku, me sa duket, pranoni, apo së paku keni perceptimin që “kuvendi ka njerëz të inkrimimuar dhe problematikë”… Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Sipas Xhon Kerrit, i cili është prononcuar në Samitin e 8 të Sigurisë Globale në Mynih, më 1 shkurt 2014, rezulton një shqetësim gjithnjë në rritje në vendet ish-komuniste të Europës Qendrore, Lindore dhe të Ballkanit, pra, edhe në Shqipëri, por jo vetëm, sepo konsolidohen regjime të oligarkisë e korrupsionit. Kurse Zhozef Daul, Kryetar i PPE, eurodeputet francez për 15 vjet në parlamentin europian, ka deklaruar se “në vendet e Ballkanit mbretëron korrupsioni, oligarkia dhe banditizmi” dhe “nëse nuk vendoset shteti ligjor, çështja e revolucionit është në rend të ditës; shpresojmë të mos ketë luftë…”. Rasti më tipik është Ukrahina, e cila përbën modelin e një regjimi oligarkik me të gjitha fenomenet e mësipërme të përfshira. Madje në Ukrahinë kanë dështuar edhe Revolucioni Portokalli i 2004-ës edhe revolucioni i fundit i 2014-s që kishin për synim çrrënjosjen e oligarkisë, korrupsionit e të banditizmit. Rezultati është se Ukrahina ka humbur Krimenë dhe po ndahet në dy pjesë, të gjitha këto për shkak të vendosjes së regjimit të oligarkisë…
Të njëjtin shqetësim, si në rastin e Ukrahinës, ngrinte senatori amerikan Kris Mërfi pas vizitës në Tiranë, Podgoricë, Beograd, Zagreb dhe Prishtinë… Pra, ky duket një “virus” që ka kapur vendet ish-komuniste, të cilat në vend që të ndërtojnë demokracinë liberale, kanë ndërtuar regjimet oligarkike. Shqipëria është një rast tipik që ka konceptuar një regjim oligarkik prej 15 vjetësh dhe pas 23 qershorit 2013, ky rregjim është konsoliduar për t’u kthyer në total pas zgjedhjeve të vitit 2015, nëse vazhdohet në të njëjtën rrugë… Regjimi oligarkik nuk është thjesht një qeverisje e korruptuar, por një regjim i mirëorganizuar i një pakice individësh që kontrollojnë politikën, ekonominë, median, drejtësinë, shoqërinë civile dhe që mund ta zhvendosë vendin edhe jashtë prioriteteve strategjike…