Prej shumë shekujsh, banorët e këtij vendi e kanë quajtur adheun e tyre jo Persi, por Iran, “vend i arianëve”, ndërsa Persi kanë quajtur grekët e lashtë dhe pas tyre, të gjithë popujt e tjerë evropianë që u bashkuan historikisht me krahinën historike Fars (Parsuazh). Kjo krahinë, e cila shtrihej në brigjet e Gjirit Persik, u bë bazë për të krijuar në mesin e shekullit të shtatë para erës sonë Perandorinë e Sasanidëve, të cilët tradicionalisht janë quajtur persë. Ky emër krahine mbeti si emër vendi në të gjithë botën. Kështu, deri në vitin 1935 të erës sonë, kur mbreti Reza-shah Pehlevi kërkoi nga të gjitha shtetet e tjera që shtetin e tij ta quanin Iran, duke mbajtur parasysh emrin tradicional të krahinës që ishte bërë bazë e perandorisë. Sipas disa të dhënave, propozimi për të ndërruar emrin e vendit erdhi nga ambasadori gjerman në Iran, nën ndikimin e nazistëve. Sipas gjermanëve, emri Iran do t’i përgjigjej më mirë prejardhjes ariane të banorëve të Iranit. Vetë shkencëtarët iranianë nuk ishin dakord me këtë përfundim, sepse sipas tyre i “priteshin rrënjët” së vërtetës historike, por regjimi diktatorial vendosi, në kundërshtim me argumentet e tyre. Më vonë, në vitin 1959, shahu i ri Moohamed Reza Pehlevi dekretoi që në praktikën ndërkombëtare të përdoreshin paralelisht të dy emrat…