Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Lindita. Dua t’ju tregoj se si e ndërtova familjen time me aq mund e djersë dhe m’u shkatërrua përpara syve te mi, sikur të mos kisha jetuar asnjë ditë me këtë familje. Me Bashkimin, ish-bashkëshortin tim, jetonim të dy në një fshat, ishim të dy moshatarë, të dy mbaruam shkollën e mesme buqësore dhe të dy filluam punë në kooperativë. Aty edhe u dashuruam. Dashuria jonë ishte shumë e vështirë, prindërit e mi nuk donin që unë të futesha në atë familje, im atë më thosh: “Vajzë, ata nuk janë familje për t’u bashkuar me ne, ata janë njerëz me moral të ulët”. Atëhere isha e re dhe as që më bënin përshtypje fjalët e prindërve të mi. Në fakt, kur e mendoj sot, ata kishin të drejtë sepse xhaxhallarët e tij kishin lënë nam aty në fshatin tonë. Kjo ishte edhe asyeja se pse nuk donin prindërit e mi që unë të fejohesha me Bashkimin. Kur mblidheshim në darkë në shtëpi, ata më bënin vetëm moral që unë të ndahesha me të, po atëhere ishte tepër vonë sepse ne i kishim lidhur zemrat tona, i kishim dhënë besën njëri–tjetrit dhe asnjë në botë nuk mund të na ndante. Mbas një viti luftë me prindërit e mi, ata prapë nuk e pranonin Bashkimin në familjen tonë, kështu që unë, pa e menduar, bëra gabimin më të madh të jetës sime, shkova pa dëshirën e prindërve në shtëpinë e tij. Siç thuhej në atë kohë, u martova me rrëmbim.
Mbas atij veprimi që bëra, ndenja dhjetë vjet pa folur me prindërit e mi. Jeta në fshat ishte e vështirë, unë u bëra me dy fëmijë, me një vajzë e me një djalë, por prindërit e mi vazhdonin të mbanin qëndrim ndaj meje. Të dy ne me Bashkimin punuam në kooperativë deri kur në Shqipëri ndodhën ndryshimet politike. Deri në atë kohë ne jetonim në varfëri, por në lumturi të plotë me bashkëshortin tim dhe me fëmijët e mi. E vetmja gjë që më shqetësonte ishte fakti se njerëzit e mi nuk më flisnin. E gjitha kjo ndodhi deri në kohën kur ne ishim të detyruar të emigronim, pasi nuk kishim të ardhura të mjaftueshme për të jetuar në fshat. Vetëm atëhere prindërit e mi më pranuan në shtëpi bashkë me Bashkimin dhe fëmijët tanë. Më pas, jeta jonë u bë akoma më e vështirë dhe më e trazuar. Në fillim u stabilizuam në Itali. Aty punuam ku të na dilte puna dhe gjuhën e kapëm menjëherë. Më pas, një kushëriri i Bashkimit po i lutej atij të shkonte në Belgjikë sepse aty kishte shumë punë dhe paguheshin mirë. Ai, pa na pyetur mua dhe fëmijët, vendosi që ne të shkonim në Belgjikë. Në Itali kishim ndenjur 12 vjet dhe ishim stabilizuar shumë mirë, kishim mbledhur edhe lek për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të blerë një shtëpi. Ky fakt i ra në vesh kushëririt të Bashkimit dhe ai kërkonte që këto lekë t’i investonin duke blerë në Belgjikë një lokal nate, ose ashtu si quhet ndryshe, pab. Çdo mbrëmje ata flisnin në skype dhe kushëriri i tij e joshi aq shumë Bashkimin saqë ia mbushi mendjen që këto lek t’i hidhnin për të blerë këtë lokal. Mua sa nuk më iku mendja, mundohesha t’ia ndryshoja mendjen, por ai e kishte vendosur, pasi kushëriri i tij i kishte thënë se në muaj mund të fitosh lek xhepi deri në 15 mijë euro, vetëm fitim. Ishte pikërisht ai njeri që na e ndryshoi fatin e familjes dhe ne u detyruam që të shkonim të jetonim në Bruksel.
Nuk mund t’ju flas për vështirësitë e fillimit pasi ato janë të shumta dhe do t’ju mërzisja, por pasi u stabilizuam, Bashkimi bashkë me kushëririn e tij e morën edhe lokalin që kishin diskutuar më parë dhe unë, që prej asaj dite, nuk pata më qetësi në shpirtin tim, por edhe në familjen time. Fëmijët kishin vështirësi në shkollat e tyre për shkak të gjuhës, Bashkimi duhet të rrinte gjatë gjithë natës në lokal bashkë me kushëririn e tij, pasi nuk mund t’i linin vetëm punëtorët sepse kishin frikë se nuk punonin ashtu si duhet. Në këtë kohë, filloi tmerri i vërtetë për mua, fëmijët filluan të angazhoheshin me shkollën, me mësimin e gjuhës franceze, ndërsa unë isha kthyer në një shtëpiake që mezi priste t’i vinte burri dhe fëmijët në shtëpi. Unë isha ajo që ndjehesha më e vetmuar, sepse qëkur ne shkuam në Belgjikë, Bashkimi nuk fjeti asnjë ditë në shtëpi me mua; ai vinte në mëngjes, flinte deri në mesditë dhe bashkë shikoheshim shumë pak ose aspak. Në atë vend, filloi tmerri; ditët, muaj dhe vitet kalonin pa u ndjerë, në familjen tonë nuk kishte asnjë lloj ndryshimi për mirë, madje ishim gati të përçarë të gjithë, djali dhe vajza ishin ndarë më vete, sepse kishin filluar shkollën e lartë dhe kërkonin pavarësinë nga familja (kuptohet, edhe leku nuk u mungonte, sepse Bashkimi vërtet fitonte shumë dhe atyre nuk u linte asnjë gjë mangut). E vetmja që po e vuaja qëndrimin në atë vend isha unë. Ndjehesha e vetmuar më shumë se asnjëherë tjetër. Kisha filluar të kisha dyshimet e mia në lidhje me bashkëshortin tim, i cili edhe në ato pak momente që vinte në shtëpi, nuk kishte fare interes për mua. Kjo gjë më trembte, mirëpo nuk guxoja ta pyesja sepse kisha frikë nga përgjigjja e tij. Isha e sigurtë që ai kishte një lidhje të fshehtë, pasi ne, marrëdhëniet intime i kishim shumë të pakta, për të mos thënë se gati nuk kishim fare. Kjo gjë më shqetësonte e po e vuaja shumë përbrenda, por atij nuk i thoja gjë, derisa një ditë mërzia ime arriti kulmin. Nuk e duroja më atë jetë prej skllavërie! Iu luta vajzës që të më ndihmonte për të zbuluar nëse im shoq kishte ndonjë lidhje të fshehtë, apo jo.
Vajza, duke qenë se është gjithmonë më shumë e lidhur me nënën dhe duke parë se unë po vuaja shumë, pranoi të bëhej bashkëpunëtorja ime për të zbuluar tradhtinë së cilës i trembesha prej pesë vjetësh. Një ditë vendosëm që së bashku të shkonim në lokalin e natës ku pronar ishte bashkëshorti im. Kuptohet, shkuam të maskuara. Pritëm gati dy orë aty, por Bashkimin nuk po na e zinin sytë. Ky fakt po më trembte akoma më shumë, megjithatë nuk hoqëm dorë derisa t’i shkonim deri në fund të vërtetës. Edhe vajza m’u bë krah sepse nuk donte të më linte vetëm në atë gjendje. Mbas dy orësh pashë Bashkimin të vinte nga dera e jashtme, i shoqëruar me një vajzë gati në moshën e vajzës sonë. Të dy ishin të përqafuar dhe as që e kishin problem fare atë që po bënin. Muzika e fortë e atij ambienti dhe ajo që pashë me sytë e mi, ma hoqën trurin, vetëm kur dëgjova zërin e vajzës, e cila më bërtiti “mama, mblidh mendjen”. Me vrap dolëm nga lokali dhe sa hipëm në makinën e vajzës, fillova të qaja me të madhe. Atë ditë pashë me sytë e mi fundin e martesës sime, e cila zgjati plot 25 vjet. Në ato momente, m’u kujtuan fjalët e prindërve të mi, të cilët nuk jetojnë më, kur më thoshin se ata janë familje pa moral, po ç’të bësh, “koka bën, koka pëson”. I kisha thënë Bashkimit se ai lokal do të na shkatërronte familjen, por ai ishte i sigurtë në veten e tij dhe më thoshte gjithmonë se para familjes nuk vinte asnjë njeri. Megjithatë, që prej asaj dite unë nuk u ktheva më në atë shtëpi, ishte vajza ajo që u përball me të atin duke i shpjeguar se ne i dinim aventurat e tij me atë vajzë. Ajo ia kishte treguar edhe mënyrën se si ne e zbuluam. Bashkimi ka tentuar disa herë që të më takojë dhe të më kërkojë të falur, por është vërtet shumë vonë. Atë gjë që nuk e bëra në rini kur më thanë prindërit, e bëra sot, por nuk thonë kot “më mirë vonë sesa kurrë”. Tani punoj e jetoj me vajzën në Belgjikë dhe ndjehem shumë herë më mirë sesa kur rrija e vetmuar në shtëpi, me një njeri që më kishte zëvendësuar prej kohësh me një tjetër. Populli thotë një shprehje “më mirë pak e saktë, sesa shumë e për lumë”. Në ditët e sotme, paraja e tërbon njeriun, aq sa e bën të verbër, duke shkatërruar atë që për një jetë të tërë e ka ndërtuar me shumë mundim.