Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nuk dua të më gjykojnë…

– I nderuar Dr. Demiri, nuk dua të identifikohem si “e sëmurë”. Kohët e fundit kam kuptuar se ne që vuajmë nga ankthi, është më mirë që këtë “presion” të brendshëm ta mbajmë për vete sepse njerëzit janë paragjykues. I dashuri im, në çdo rast tashmë shikon “fantazma” aty ku nuk ka, me pak fjalë, më trajton si fajtore. Besoj mund ta kuptoni çfarë efekti ka kjo mbi një person ankthioz, i cili përpiqet të dalë nga ky rreth vicioz dhe ti e fundos më tepër. Ajo që më karakterizon është një mungesë e theksuar vetëbesimi dhe vetëvlerësimi. Kam tendencë të fajësoj veten për çdo gjë, ta gjykoj veten deri në pikën e fundit dhe ta ndëshkoj. Shpesh zihem me veten time për dilema të kota, si për shembull, të shkoj a të mos shkoj në shtëpi dhe kam një inat të brendshëm lidhur me faktin pse nuk marr dot vendime. Edhe pse e di pikën e zgjidhjes, unë nuk shkoj drejt asaj, por zgjedh të kundërtën, në mënyrë që të vuaj shpirtërisht, ta bëj veten të ndihem edhe më e paaftë, sepse vetëm në këtë mënyrë çlirohem. Ky që ilustrova, është nga të paktët shembuj të cilëve ndonjëherë nuk u jap dot shpjegim. Ka raste kur “hutohem” me kuptimin e plotë të fjalës, kaloj një moment kur shkëputem nga realiteti: Zhurmat i dëgjoj më të pakëta dhe ai që më fikson është një send apo një objekt i cili në ato pak sekonda më duket tepër i njohur dhe më kthen diçka mbrapsht nga fëmijëria. Ndërkohë që përpiqem të kujtoj më tepër për këtë send, më ndodh një mpirje, bllokim frymëmarrje, një frikë e pashpjegueshme dhe pasi përmendem pas disa sekondash, që mua më dukej shekuj, nuk më kujtohet asgjë. Kjo më ndodh mesatarisht një herë në muaj, por ajo që më shqetëson është çfarë përjetoj çdo ditë, një ndrojtje nga njerëzit, një frikë se mos po më gjykojnë, madje kur dikush më vështron për një kohë të gjatë, mendoj se diçka nuk shkon me mua dhe më kap paniku. Kohët e fundit, kam rënie përqendrimi, dobësi muskulare, rënie të flokëve, qerpikëve, humbje të kujtesës dhe ndjenja të trishta. Si e shihni ju këtë gjendje, doktor Demiri? Çfarë më këshilloni? Me respekt, Anjeza, Tiranë.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E dashur Anjeza, të falënderoj për letrën tënde të qartë e me mjaft detaje. E them këtë sepse shumë letërshkrues i bien letrës shkurt dhe ne nuk kemi si të japim një përgjigje të plotë, pa një letër të plotë sqaruese. Tani, më dëgjo me vëmendje: Është lajm i mirë që kjo gjendja jote nuk është sëmundje, pra, nuk përbën patologji dhe as nuk të çon në ndonjë sëmundje. Është pra gjendje ankthi, kryesisht social e ankth performance, e shoqëruar me ca ide e mendime obsesive, pra, me mendime “problematike” (negative) e që quhen presione rreth problemit. Por, është lajm jo i mirë fakti që ti e ke lejuar këtë gjendje të zhvillohet dhe je përpjekur e vetme vetëm me ca lexime apo teknika me (aq sa ke ditur) të vetëndihmës, të cilat nuk mund të mjaftojnë për ta kaluar plotësisht ankthin. Vërtet gjuha e huaj mësohet edhe pa mësues, por me gabime të shumta e me mundim të madh. Siç e thashë, ankthi nuk të sëmur, pasi ankthioziteti nuk ka lidhje me sëmundjet, ama ta prish gjithë cilësinë e jetës ose më saktë, ta “nxin” jetën. Sipas shkencës, ankthi social, ashtu si çdo lloj ankthi, është një sjellje e “mësuar” në saje të ngacmuesve specifikë, pra, është një “refleks i keq” i kushtëzuar dhe ky është vërtet lajm shumë i mirë se, duke qenë i “mësuar”, edhe çmësohet, porse me dije, me psikoterapi, me punë. Mirëpo, çfarë ndodh?
– Shumë ankthiozë, duke mos patur njohuritë e sakta shkencore, jo vetëm që tremben dhe e vuajnë ankthin në mënyrë të paarsyeshme, porse edhe krijojnë atë që ne e quajmë keqpërshtatje, do të thotë, sjellje shmangëse me plot “rituale” apo kompulsione. Shkaku e pasoja janë të lidhura bashkë. Akoma më keq, ata që e kërkojnë lehtësimin tek alkooli, droga, papunësia, pra, një keqpërshtatje edhe më e keqe. Për shkak të turpit, 2/3 e ankthiozëve socialë nuk vijnë te psikologu, edhe pse ankthi social futet te gjendjet 100 % të trajtueshme me 3 lloje psikoterapish, si: Konjitive strategjike, psikoterapi në grup etj., si dhe me ilaçe 100 % bimore. Mirëpo duke mos ardhur te psikologu, gjendja jo vetëm që nuk kalon, por “sistematizohet”, që do të thotë se “trashen” e nguliten keqpërshtatjet, aq sa mendimet obsesive që quhen ide të “ngulëta” katastrafizuese përsëriten si pa pushim, pra, bëhen si “pjesë e jotja”, si të kesh lindur me to. Mirëpo nuk mbaron vetëm me kaq… Duke mos e trajtuar siç duhet një fobi, ka rrezik që juve t’ju bëhet si zakon i keq zhvillimi i frikërave të tjera të paarsyeshme, pra, një fobi ua hap rrugën edhe fobive të tjera. Për shembull, fakti që çdo lloj ankthi të krijon edhe ca ide “derealizimi” (domethënë, shkëputje nga realiteti duke zmadhuar e zvogëluar gjërat nën “lentet” e obsesioneve), bën që kjo ide, duke mos e kuptuar e duke mos e trajtuar, t’ju çojë në një fobi tjetër që quhet olenofobi, që do të thotë frikë nga çmendja. Ose, lëvizja e ekuilibrave apo shtimi i rrahjeve të zemrës, gjë normale kjo për gjendjet tuaja të ankthit, mund t’ju çojë në tanotofobi (ankth, frikë nga vdekja ose pushimi i zemrës). Pra, të gjitha këto frikëra, si edhe frika e humbjes së kontrollit, frika se “ma dallojnë këtë gjendje të tjerët” apo frikë nga të fiktët, të cilat në gjendjet e ankthit ndodhin për shkak të lëvizjeve të ekuilibrave, reagimeve trupore, pra, janë normale për kushtet tuaja, përkthehen nga ju keq, shumë keq, shihen si “rrezik”, aq sa njerëzit mund të përfundojnë deri edhe në urgjencë, pa patur asnjë lloj sëmundjeje, madje duke qenë “top” nga shëndeti. Që të mos zgjatemi, ti vajzë ke nevojë për trajtim profesional special psikoterapetik me disa seanca, ku shumë shpejt, nga “viktimë”, do të kthehesh në “shkencëtare” menaxhuese të kësaj gjendjeje, madje do të jesh në gjendje të ndihmosh edhe të tjerët. Me praktikat e vazhdueshme dhe me njohuritë bazë që do të marrësh, do të ndjehesh çdo ditë e më e lehtësuar, e çliruar e jo sikur të ka “nëmur” njeri. E ke kuptuar shumë bukur këtë që të tjerët (jo profesionistë) jo vetëm që nuk të ndihmojnë dot, por të rëndojnë me këshilla të gabuara me pyetje e “vëzhgime” duke të parë si të çuditshme, apo si të sëmurë. Lexo te libri “Mjetet” kapitullin “Autoriteti i brendshëm”. Ky kapitull na mëson ashtu siç thotë edhe feja, se mbi të gjitha është Zoti, pastaj vjen nëna, pastaj babai… Të gjithë të tjerët do t’i shohësh “nën” vete, kushdoqofshin ata. Me kaq, besoj se minimalisht, u kuptuam…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Pse tradhtojnë çiftet?

Next Post

Pyetje-pergjigje per seksin

Advertisement