Imagjinoni sikur jeni në vitet e arta të lulëzimit të grupeve muzikore, kur grupe si Rolling Stones, AC/DC, apo U2 po bënin epokë me këngët e tyre. Dhe rikthehemi në vitin 2014, kur grupi nga Kosova NRG band, numëron 14 vite produktivitet, dhjetëra këngë të kthyera në hite, salla të tejmbushura, fansa që këndojnë në një zë me liderin e grupit dhe vajza që mezi e presin atë në prapaskenë. Kemi të bëjmë me një U2 të kohëve tona, me thuajse të njëjtën frymë, energji, prurje, ku duket se qëndron edhe esenca e grupit të mirënjohur, si gurët e themelit në suksesin që i ndjek djemtë që prej vitit 2000, tashmë. Të vendosur, të paepur, me tendencën për të sjellë gjithnjë hitin e radhës, energjikë të papërsëritshëm, ata vijnë në këtë intervistë për të na folur rreth përvojës së gjatë si grupi që bëri evolucion në rrymën dhe stilin që përfaqëson…
– Djema, si do të ma përshkruanit nisur nga këndvështrimi juaj, jetën në Prishtinë?
– Prishtina është një qytet ku ka rini, shumë jetë nate, pabe të ndryshme, diskoteka, ngjashëm me Tiranën, edhe pse me numër më të vogël banorësh.
– Ku keni qenë dhe çfarë ju mbeti në mendje nga koncerti juaj i fundit?
– Koncertin e fundit e patëm në Mitrovicë, qe atmosferë shumë e mirë por ajo që ishte interesante e që ne nuk e kemi ditur, është se kënga “Rina Rina” ishte bërë himn i një klubi basketbolli.
– Nga përvoja që keni, çfarë është e domosdoshme për atmosferë të mirë, të gjallë?
– Që të krijohet atmosferë gjatë një mbrëmjeje normalisht duhet të performohet live, të kesh repertor të mirë të këngëve dhe të ketë interpretim të mirë, si të instrumentistëve, ashtu edhe të këngëtarit…
– Ishit prezentë apo të nominuar këtë vit në “Zhurma Shou”?
– Ishim të nominuar, por nuk kemi marrë pjesë për shkak të një koncerti në Zvicër që ishte i caktuar shumë më herët.
– Në më të shumtën e rasteve, historiku i grupeve ka dëshmuar se solisti është larguar për të debutuar solo. I druheni një ndodhie të ngjashme?
– Ne jemi mbledhur si grup në mënyrë vullnetare që nga viti 2000, na mban së bashku dashuria për muzikën, idetë e njëjta, shija e njëjtë… Sivjet bëhet viti i katërmbëdhjetë që jemi së bashku.
– Po nëse ai do të zgjidhte të bënte një aktivitet paralel si solist dhe si pjesë e grupit, të cilit do t’i kthehej herë pas here?
– Solisti ynë më përpara ka pas edhe disa bashkëpunime me disa reperë, por nuk ka asgjë të keqe këtu, përkundrazi, ne kemi mbijetu për arsyet që thashë më lart…
– Mes gjithë llojeve të muzikës, cili do të ishte kombinimi perfekt për diçka të veçantë? Muzika klasike me atë rrep, ndoshta?
– Kombinim perfekt do të kishte atëherë kur, pa marrë parasysh kombinimin e zhanreve të muzikës, nëse në atë projekt muzikor, do të ketë një vijë melodike të mirë, interpretim shumë të mirë, si dhe një produksin audio shumë të mirë. Nuk ka zhanër muzikor të keq, por ka interpretues të këqinj, muzikantë të këqinj…
– Grupi më i mirë i të gjitha kohërave, sipas jush?
– Grupet më të mira të të gjitha kohërave për mendimin tonë, janë ato grupe që kanë mbijetu më së shumti, si: Rolling Stones, ACDC, U2, TOTO e disa të tjerë që nuk po më kujtohen për momentin.
– Keni bërë ndonjë zgjedhje të gabuar gjatë këtyre viteve karrierë? Një pjesëmarrje e gabuar në ndonjë festival, një intervistë e shtrembëruar, jo në favorin tuaj apo një bashkëpunim jo i goditur?
– Për fat të keq, në të kaluarën ka pas shtrembërime nga një gazetë, por kohët e fundit nuk ka patur, për arsye të përzgjedhjes së gazetave. Sa u përket bashkëpunimeve, nuk kemi patur kohëve të fundit ndonjë, përpos me Klepton, që besoj se ka qenë i qëlluar…
– Parimi absolut në punën tuaj?
– Nuk duhet asnjë lëshim në punë, domethënë, asnjë kompromis. Edhe detajet më të imëta kanë shumë rëndësi, kështu e kërkon puna që ne bëjmë.
– Vendi më i largët ku keni mbajtur një koncert…
– Vendi më i larget ku kemi performuar është Amerika.
– Vargje që i keni për zemër (nga këngët që keni realizuar)?
– Vargjet që i kemi më për zemër besoj se janë ato të këngëve, “Nina”, “Ashtu sikur dje”, “Rina Rina”, si dhe “Aida”.
– Kur e ka të garantuar suksesin një këngë?
– Duhet të ketë një vijë melodike të kapshme për shijen e puplikut, mandej duhet të paketohet në atë mënyrë që të ketë aranzhime moderne (tash po i thojnë kohëve të fundit “bitin”) e po ashtu interpretimi i mirë, si dhe pamja vizuale që është me shumë rëndësi, pra, videoklipi.
– Nëse do të hidhej në treg ndonjë parfum me emrin NRG band…
– Duhet të reflektonte energji e po ashtu, duhet të ketë “aromë mashkullore”… (Qeshin)
– Ilaçi më i mirë për mërzinë?
– Muzika, po ashtu ndonjë libër i mirë, bisedë me shokë.
– Një realizim muzikor i kolegut tuaj që i “hiqni kapelen”?
– Për fat të keq, muzika shqiptare ka marrë një drejtim shumë negativ dhe artistët janë pajtuar me këtë, se muzika po shikohet dhe nuk po dëgjohet. Po i kushtohet shumë rëndësi pamjes vizuale e muzika ka mbetë vetëm sa për të thënë se është muzikë.
– Një biletë për në koncertin e kujt nuk do ta humbisnit për asgjë në botë?
– Për fat të mirë, kemi pas fat dhe i kemi ndjekur shumë koncerte të grupeve legjendare, përpos grupit legjendar ACDC. Me siguri, do të kishim lënë mënjanë çdo gjë, vetëm për ta ndjekur këtë grup muzikor…
– Cili është intelektuali i grupit?
– Besoj se të gjithë anëtarët e grupit kemi intelekt të mjaftueshëm. (Buzëqesh)
– Ai që bie më shpejt në dashuri…
– Nuk jemi nga ata që dashurohen shpejt.
– Pse mendoni se gjërat më të mira në jetë janë zakonisht të ndaluara?
– Nuk mendojmë se gjërat e mira zakonisht janë të ndaluara, përkundrazi, por duhet të respektohen disa kode që janë të ndryshme, në varësi të mendësisë së shoqërive ku jetojmë.
– Personazhi i preferuar në “Sex and the city”?
– Gazetarja e revistës, që për momentin nuk po ia kujtoj emrin, ku ajo pasqyron jetën nga pikëpamja e jetës seksuale në qytetin e Nju Jorkut; një serial i preferuar nga ne.
– Një situatë në të cilën jeni zënë ngushtë?
– Për fat të mirë, nuk e kemi pas një situatë të tillë.
– Iphone apo Samsung?
– Sa u përket platformave të smartfonëve, jemi të ndarë… Dy anëtarë janë me Iphone, kurse dy të tjerët me android.
– Tvvitter apo Instagram?
– Të dyja.
– Tatuazhe apo pirsing?
– Nuk i preferojmë tatuazhet, për arsyen e thjeshtë se në kohën kur ato bëhen e ki një mendim për jetën dhe stilin që jeton, por mbas shumë viteve, njëri ndërron mendim, që është normale, ndërron edhe stili i jetës, trendet dhe tatuazhi mbetet aty një vragë që pengon. Sa i përket pirsingut, kemi vetëm nga një vath në veshin e majtë, asgjë tjetër.
– Verë apo raki?
– E preferojmë verën.
– Pushime jashtë apo brenda vendit?
– Preferojmë të gjitha ato vende bregdetare ku ka mundësi me bo zhytje, pasi i tërë grupi është i pajisur me licencë ndërkombëtare për zhytje. Normalisht, kemi bo pushime edhe në bregdetin shqiptar, në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, ku ka klube të mira për zhytje.
– Gjuhë standarde apo dialekt?
– Dialektet janë pasuri kombëtare dhe duhet të ruhen. Paramendo muzikën shqiptare rrep, pa dialekte…
– Fjala më e çuditshme në shqip?
– Mendojmë se përdorimi i fjalëve të huaja nuk është i nevojshëm kur gjuha shqipe i ka krejt fjalët e mundshme. Po e marr si shembull fjalën “eveniment”. Pse të mos përdoret fjala ngjarje, kure e ka kuptimin e vet.
– Më e bukura?
– Më e bukura “E bukura e dheut”. (Qesh)
– Një lajm i mirë për fansat?
– I falënderojmë të gjithë fansat tanë për përkrahjen. Jemi duke punuar me disa projekte te reja që do të lançohen këtë vit, bashkëpunime me disa artistë me profile muzikore shumë interesante, si dhe besoj se albumi i pestë do të lançohet me siguri nga gjysma e parë e vitit 2015.