– Përshëndetje, doktoreshë Mira! Punoj në një ambient që ka goxha lagështirë, sepse jam mekanik dhe aty bëjmë edhe lavazhin e makinave. Unë kam filluar të kem shumë kollë këto kohë dhe, ndërkohë që kollitem, kam vështirësi në frymëmarrje. Shpesh, më lotojnë edhe sytë. Mos vallë ndikon ambienti i punës në problemet që kam? Agimi.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – I nderuar Agim, për sa më përshkruani, mendoj se problemet i keni pikërisht nga ky ambient. Ambientet me lagështirë nuk janë aspak të mira për shëndetin. Sidomos kjo lloj pune dhe kontakti i vazhdueshëm me lagështirën shkakton probleme në aparatin e frymëmarrjes. Në vende të tilla me lagështirë, krijohen kushte shumë të favorshme për rritjen dhe zhvillimin e alergeneve që shkaktojnë sëmundje alergjike të frymëmarrjes. Kjo gjë ka ndikuar edhe te ju, pasi shenjat e para janë shfaqur në faktin që keni kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Do t’ju këshilloja të bënit një vizitë së pari të domosdoshme te një specialist për të parë gjendjen tuaj shëndetësore dhe më pas të merrni masa më të kujdesshme në lidhje me punën. Nuk po them të ndryshoni punën, sepse ai është profesioni juaj, por duhet të jeni më i kujdesshëm, të vishni rrobat e duhura që ju mbrojnë dhe, veç të tjerash, të mundoheni që ambientin ku ju punoni, që nuk ka lidhje me ujin, ta mbani sa më të thatë të jetë e mundur.
Advertisement