Ata janë majmunët më simpatikë në botë. Të vegjlit e tyre rriten shumë shpejt sepse pinë qumësht në dy sisë, madje jo rrallë, në të dyja sisët njëherësh. Sisët e nënës janë afër njëra-tjetrës dhe kjo është veçantia kryesore e trupit të femrës. Të vegjlit, por edhe të rriturit, janë të pashëm dhe fytyrën e tyre nuk e quan dot në asnjë mënyrë “surrat majmuni”. Ajo ka ngjyra të spikatura dhe shumë joshëse për syrin. Femrat arrijnë deri në 3 kilogramë e gjysëm, ndërsa meshkujt, deri në pesë kilogramë. Edhe meshkujt kanë veçantitë e tyre: Ograni i tyre seksual është bojë qielli.
Këta majmunë janë mjaft të zhurmshëm. Ata nuk banojnë vetëm në xhungël, por edhe brenda qendrave të banuara. Bahçet dhe kopshtijet e banorëve mbushen plot e përplot dhe ta (atje gjejnë ushqim të zgjedhur) dhe zhurmojnë gjithë ditën e ditës pa dashur t’ia dinë për asgjë. Më e bukura është se ata, kuriozë siç janë, hyjnë edhe brenda në shtëpi dhe, pasi i shikojnë me lakmi, marrin me vete celularët dhe aparatet fotografike të banorëve. Natyrisht, ata do të merrnin kësisoj edhe televizorët e ndonjë orendi tjetër, por nuk i ngrenë dot.
Shpesh, vendasit i zbutin, duke i mbajtur pranë si kafshë shtëpiake dhe, kësisoj, ata urtësohen, heqin dorë nga çapkënllëqet dhe bëhen më të heshtur. Shkojnë mirë, sidomos me fëmijët e vendësve, i zbavitin ata… Ja, këta janë majmunët e vegjël të Tanzanisë të cilëve të vjen keq t’u thuash “surrat majmuni”…