– Unë punoj në një vend ku ka shumë zhurma dhe kam filluar të kem probleme me veshët. A ka kufje të posaçme për punëra të tilla?
– Sigurisht që ka kufje posaçërisht për ambiente pune ku ka shumë zhurmë dhe kur personi që punon në një vend të tillë ka probleme me veshët, ama ju duhet të përdorni kufje duke u bazuar te matjet që i bëhen vendit të punës. Edhe këtu te ne bëhen matjet. Matjet duhet të bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Punëtorët e fabrikave, trikotazheve apo shtypshkronjave kanë probleme me dëgjimin me kalimin e kohës sepse nuk bëjnë kontrollin e veshëve apo matjen e zhurmës së ambientit. Duke bërë këto matje, bëhet përzgjedhja e kufjeve për të tilla ambiente.
– Kam shumë probleme kur bëj seks me burrin tim; s’ka shumë që jam martuar. Kam dhimbje dhe nuk ia shpjegoj dot as bashkëshortit, sepse ai bëhet keq kur shikon që unë shtrembërohem dhe nuk shpreh kënaqësi kur bëj seks. Si të veproj, ju lutem?
– E nderuar zonjë, s’e kuptoj pse e torturoni veten kaq shumë. Seksi nuk është detyrim, është kënaqësi të cilën duhet ta ndjeni edhe ju. Flisni me bashkëshortin për dhimbjen që keni, sepse ai s’ka si ta kuptojë kur ju nuk flisni me të hapur. Dhimbjet tuaja mund të jenë pasojë e ndonjë procesi inflamator në sipërfaqen e mukozës së buzëve të organit tuaj seksual ose pasojë e një inflamacioni akoma më të thellë, në mukozën e vaginës. Mund të jetë edhe ndonjë infeksion bakterial, nga virusi i herpesit të thjeshtë. Por, mos u zgjasni shumë dhe vizitohuni te mjeku gjinekolog, i cili do të gjejë shkakun e dhimbjes dhe ju do të merrni kurën përkatëse. Mund të jenë edhe shkaqe psikike, domethënë mund të keni ngarkesë emocionale. Nuk duhet ta lini veten të vuani kaq shumë, por takoni një mjek dhe shpjegojani gjendjen.
– Si dallohet një person që sapo është infektuar nga virusi HIV, çfarë shenjash ka?
– Përgjithësisht personat e infektuar me HIV, mund të mos kenë fare shenja dhe bëjnë një jetë normale për vite të tëra, pa e ditur fare që janë të infektuar. Kjo sëmundje ndahet në disa faza, por nuk ka limite të qarta midis këtyre fazave. Përgjithësisht, periudha e infeksionit fillestar është 3 deri në 6 javë pas hyrjes së infeksionit HIV në trupin e njeriut dhe shfaqen disa shenja të ngjashme me gripin e zakonshëm, si temperaturë, ethe, dhimbje koke, dhimbje fyti, muskujsh, zmadhimi i gjendrrave, lodhje dhe këputje, rënie të imuniteti. Ama, këto shenja zhduken pas një jave apo brenda muajit dhe shpesh ngatërrohen me gripin apo infeksione të tjera, ose edhe mund të mos kuptohet fare. Kjo periudhë hyn te fazat e infeksionit fillestar. Gjithsesi, nëse vetëm dyshoni, duhet të bëni patjetër analizat që të mos rrini me dyshime.
Advertisement