– Përshëndetje Doktoreshë Mira! Kisha një pyetje dhe shpresoj të më ktheni përgjigje këtë javë. Burri im është 25 vjeç dhe pi duhan prej 6-7 vitesh tashmë. Nga shëndeti është i dobët dhe nuk ka shumë oreks, por pavarësisht kësaj, nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë. Kur zgjohet në mëngjes, i pastron hundët dhe i del pak gjak. Unë jam shumë e shqetësuar për këtë gjë. Doja të dija mendimin tuaj se si të veprojmë. Me respekt, Adelina.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – E dashur Adelina, ju falënderoj për letrën dhe shpresoj t’ju ndihmoj sadopak. Bashkëshorti juaj i cili pi duhan prej shumë vitesh është normale të ketë mungesë oreksi, pasi ky është një nga efektet që jep duhapirja dhe si pasojë e oreksit të pakët është edhe i dobët. Gjakrrjedhja nga hundët që e ka herë pas here mund të jetë gjithashtu, pasojë e pirjes së duhanit. Shumë njerëz pinë duhan dhe ka nga ata që gëzojnë edhe shëndet të plotë, por kjo nuk do të thotë që me kalimin e ditëve, muajve dhe viteve, nuk do të kenë probleme shëndetësore si pasojë e duhanit të konsumuar. Çdo njeri që pi duhan, patjetër herët a vonë do të vuajë nga bronkiti kronik i cili është e keqja më e vogël që jep tymi i duhanit në organizmin tonë. Ka njerëz që këtë problem që shkaktohet në rrugët e ajrit (bronket, janë rrugët e ajrit të cilat qarkullojnë ajrin brenda mushkërive) e shfaqin shumë shpejt pas pirjes së duhanit dhe besoj që këta janë ato më me fat në krahasim me të tjerët, të cilët nuk shfaqin asnjë problem të lidhur me bronkitin. Këta persona janë të dobët, pa oreks dhe po ashtu, me ngjyrë pak të verdhë. Kjo tregon që oksidet që thithen nga tymi i duhanit (oksidi karbonik, nitrit dhe dioksidet e ndryshme) kalojnë nga alveolat në gjak dhe kështu, në gjithë organet e trupit tonë. Këto janë pasojat e duhanit që shfaqen jashtë mushkërive dhe mund të shfaqen më vonë në kohë se bronkiti dhe nuk janë të përceptueshme ashtu siç është bronkiti, pra, fillimisht nuk kemi shenja.
Për të mos u zgjatur më shumë, pasi dëmet që jep duhani janë të shumta, të llojeve të ndryshme dhe asnjë nuk mund të shpëtojë prej tyre, do t’ju rekomandoja që burri juaj të kryente disa ekzaminime apo analiza të rëndësishme në këtë rast si: Grafi të mushkërive, një gjak komplet me formulë, matje të funksionit të frymëmarrjes dhe një konsultë me një pneumolog apo alergolog për të marrë gjithë rekomandimet e mëtejshme në lidhje me ndërprerjen e duhanit. Ju keni një rol shumë të rëndësishëm në ndihmen e pazëvendësueshme që duhet të jepni në këtë rast. Jeni e mirëpritur për çdo këshillim. Me respekt, Dr. Mira.
Advertisement