Ti i ke vënë vetes qëllim që të arrish një objektiv të caktuar (të lësh duhanin, të heqësh peshën e tepërt, etj). Por, a di si ta përballosh një sfidë të tillë? A di të veprosh në mënyrë të tillë që ndryshimi i bërë të ketë jetëgjatësi? Bëj testin tonë për ta kuptuar…
1. Është më mirë t’i mbash objektivat e fshehta, që dështimi të mos bëhet publik:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
2. Ti do të ndryshosh 3 zakone të këqija. Është më mirë që:
a. T’i ndalosh ato të treja menjëherë, meqë je i/e motivuar
b. Është më mirë t’i heqësh një nga një.
3. Shumë njerëz, kur fillon viti, i premtojnë vetes se do të bëjnë këtë apo atë. Në qershor, sa për qind e njerëzve i kanë mbajtur ato premtime?
a. 11%
b. 18%
c. 40%
4. Gjatë këtij procesi, prit edhe “rrëshqitje” apo gabime:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
5. Lëri shpërblimet për periudhën kur të kesh arritur qëllimin përfundimtar:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
6. Nëse nuk e ke formuar zakonin e mirë brenda 3 javëve, duhet të heqësh dorë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
7. Cili objektiv është më i mirë:
a. Të mos i lësh gjërat për nesër
b. Ta planifikosh punën tënde përpara
8. Nëse heq dorë nga një zakon i keq vetëm një ditë në javë, kjo të ndihmon ta heqësh qafe përgjithmonë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër
9. Është më e lehtë të humbasësh:
a. 15 kg në vit
b. 2.5 kg në muaj, për 6 muaj
Përgjigjet
1-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Mos i përballo sfidat e tua vetë; fol me dikë tjetër, aq më mirë nëse gjen një shok për të bërë fizkulturë. Kërko mbështjetjen e ndonjë grupi, tregoja planin një shoku ose një pjesëtari të familjes. Ndarja e sfidave dhe sukseseve me të tjerët, e bën punën më të lehtë dhe më pak të frikshme.
2-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Është e vështirë të ndryshosh shumë gjëra menjëherë. Zakonet e këqija duan kohë të vendosen dhe po aq kohë, për t’u zëvendësuar me të mirat. Në fillim hiq njërin e pastaj vazhdo me të tjerët.
3-Përgjigjja e saktë është c-ja.
Studimet kanë treguar se, deri në mes të vitit, më pak se gjysma i kanë mbajtur premtimet e tyre. Me qëndrimin dhe veprimet e duhura, ti mund të shtosh mundësitë për t’ia dalë mbanë.
4-Përgjigjja e saktë është a-ja.
Çdokush bën gabime gjatë krijimit të një zakoni të shëndetshëm. Kjo është pjesë e procesit dhe nuk do të thotë se ke dështuar. Fale veten nëse bën gabime dhe përdori ato për të mësuar. A mund të durosh të kesh rreth e rrotull njerëz që pinë duhan, ndërkohë që ti po përpiqesh ta lësh? Nëse jo, atëherë evitoji këto situata dhe bëj përpara.
5-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Shpërblimet, qofshin ato edhe të vogla, mund të motivojnë. Ato të kujtojnë përparimet që ke bërë dhe i bëjnë gjërat më zbavitëse. Për qëllime afatshkurtra, shpërblimet duhet të jenë të thjeshta, si të shkosh në kinema, të bësh manikyrin e thonjve, apo të blesh një palë këpucë. Dhuroji vetes shpërblime më të mëdha nëse arrin qëllime më të mëdha, si të blesh një bizhuteri, ose të shkosh me pushime.
6- Përgjigjja e saktë është b-ja.
Shumë njerëz besojnë se ndryshimi mund të bëhet për 21 ditë, por studimet kanë treguar se nuk është aq e thjeshtë. Për disa, krijimi i një zakoni mund të marrë 2 muaj ose më shumë. Mos u dekurajo nëse gjërat nuk po ecin shpejt; kjo nuk do të thotë se nuk do ta arrish objektivin tënd. Trurit i duhet kohë për ta bërë rutinën e re një natyrë të dytë.
7-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Kur i krijon qëllimet në një mënyrë pozitive dhe je i përqendruar në atë që bën, ka më shumë gjasa të kesh sukses. Shpesh është më e lehtë të krijosh një zakon të mirë, sesa një të keq.
8-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Evitimi i zakonit të keq për një kohë të shkurtër të ndihmon të krijosh besim në vetvete dhe ta lësh përgjithmonë. Nëse e arrin lehtësisht këtë gjë, bëje sfidën pak më të vështirë, derisa të arrish objektivin tënd. Për shembull, nëse e lë zakonin për një ditë në javë, përpiqu ta lësh më pas për dy ditë e kështu me radhë…
9-Përgjigjja e saktë është b-ja.
Nëse krijon objektiva për një shtrirje kohe të gjatë mund të mërzitesh dhe të heqësh dorë. Më mirë copëzoji në disa më të vogla dhe më të lehta. Bëj edhe një listë për secilin. Për shembull, që të biesh ½ kg në javë, mund të përpiqesh të zëvendësosh ëmbëlsirën me një frut. Më pas, mbaj shënim arritjet e tua, pasi njerëzit që e bëjnë këtë, kanë më shumë sukses.