Cili është motivi që ju pëlqen aq shumë të udhëtoni? Zbulimi i gjërave të reja, ndjesitë e fuqishme që zgjon, fakti që do të çlodheni pa bërë asgjë… Bëni testin tonë për ta kuptuar…

1. Do të shkoni në Nju Jork për:
a. Të ndjerë rritjen e adrenalinës.
b. Të ecur në hapat e Pol Osterit.
c. T’u bërë njësh me këtë qytet gjigand.
d. T’i bërë qejfin dikujt.
e. Të vizituar një mik.
f. T’u kënaqur: Unë vetëm, përballë Mollës së Madhe!

2. Çfarë sillni ju nga udhëtimi juaj?
a. Një foto të arritjes sportive më të bukur që pata
b. Një objekt të rrallë dhe autentik.
c. Një gur të gjetur në rrugë.
d. Asgjë!
e. Adresa të reja në bllokun e adresave
f. Suvenire, vetëm për veten time.

3. Udhëtimi që ëndërroni të bëni:
a. Në Polin e Veriut, me ski dhe slitë të tërhequr nga qentë.
b. Zbritja e Nilit me anije, nga Kairo në Asuan.
c. Sen Zhaku i Kompostelës (një vend i shenjtë në Spanjë).
d. Të mos bëj asgjë në bregun e një liqeni të bukur.
e. Një mbledhje gjigande familjeje në një fshat
f. Një udhëtim i brendshëm: Të futem në lëkurën e dikujt tjetër për disa ditë.

4. Me kë ju pëlqen të shkoni me pushime:
a. Me njerëz me të cilët ndaj dëshirën për aventurë
b. Një guidë që do të më tregojë vendet kulturore.
c. Me partnerin
d. Unë i gjej shokët e rrugës gjatë udhëtimit
e. Me shumë vetë, familjet dhe miqtë.
f. Vetëm. Nëse jam në çift, i/e shoqëruar.

5. Përgatitjet që bëni para se të niseni:
a. Vrap tre herë në javë dhe shëtitje në mal në fundjavë.
b. Blej shumë guida dhe bëj kërkime në internet.
c. I bëj në momentin e fundit, për t’u nisur pa u vënë re.
d. Marr me vete disa “suvenire nga shtëpia ime”
e. U telefonoj një herë të fundit shokëve
f. Nuk nisem kurrë pa hartat e mia, apo pa GPS

6. Pushimet më të bukura që keni bërë deri tani:
a. Një hedhje me deltaplan.
b. Një udhëtim turistik në Paris, në qytetin e dritës.
c. Ato në një fshat të humbur të Nepalit
d. Ato në një ishull tropikal të Paqësorit
e. Ato që kam bërë me shoqërinë në një Club Med.
f. Një udhëtim nëpër Evropë që kam bërë vetëm kur mbarova shkollën e lartë.

7. Nëse do t’ju dhuronin një shumë të mirë lekësh, çfarë do t’i bënit?
a. Një kurs zhytjesh nënujore, ose kajaku, ose hedhje me parashutë.
b. Do të bëja një vit udhëtime në qytetet më të bukura të botës.
c. Do të blija një jaht për të udhëtuar me të, sa herë do të më pëlqente të “zhdukesha nga faqja e dheut”.
d. Do të shkoja në një resort me pesë yje dhe do të shijoja shërbimin e tij.
e. Do të çoja gjithë familjen me pushime, prindërit, vëllezërit dhe motrat, me gjithë familje
f. Do të nisesha vetëm në një udhëtim nëpër botë

Rezultatet
Nëse keni më shumë a. Ju udhëtoni sepse ju pëlqejnë gjërat ekstreme
Kur ishit i/e vogël, ju ëndërronit të ishit eksplorator apo aventurier. Për ju, udhëtimi është sinonim i shkëputjes nga jeta e përditshme, të cilën e gjykoni shumë monotone dhe pa rreziqe. Për këtë, ju zgjidhni udhëtime ekstreme, si: Rafting në Kosta Rika, udhëtime nëpër kanionet e Reunionit dhe trekking nëpër vullkanet islandezë, të cilët janë ndër aktivitetet tuaja të preferuara gjatë pushimeve. Ato kombinojnë nevojën tuaj për të qenë dikush tjetër, me dëshirën për të sfiduar veten, por ju “rrezikoni jetën tuaj” vetëm në mënyrë simbolike, sepse në realitet, nuk ndërmerrni rreziqe të vërteta dhe niseni për udhëtim si e gjithë bota, me kontratën e sigurimit të jetës në xhep!

Nëse keni më shumë b. Ju udhëtoni se ju pëlqen të zgjeroni njohuritë kulturore
Literatura, historia, muzika… këto bëjnë pjesë në preferencat tuaja kur udhëtoni. Duke përshkuar botën, ju kërkoni imazhe, simbole, figura. Është kultura juaj që përcakton përzgjedhjen e destinacioneve tuaja: Manhatan në Nju Jork, për të rigjetur atmosferën e filmave të Vudi Alenit, Tahiti në gjurmën e Pol Gogenit, Meksikë, në kërkim të gjarprit me pendë, etj. Te disa, kjo imagjinatë mund të transformohet në diktaturë turistike: Të kërcesh në karnavalet e Rios, pavarësisht sa mund të kushtojë kjo, të rijetosh revolucionin kuban, etj. Pa këto gjëra, udhëtimi juaj quhet “i dështuar”, sepse nuk i korrespondon vërtet asaj që prisnit. Për të mos rënë në këtë kurth, mjafton t’u lini pak vend edhe surprizave.

Nëse keni më shumë c. Juve ju pëlqen fshehtësia
Ju niseni për udhëtim në majë të gishtave, pa u vënë re nga askush dhe shkoni atje ku nuk ju presin. Nëse jetoni në mjedise urbane, ju pëlqen të shkoni në vende me hapësirë dhe të mbylleni në vetvete. Nëse bëni punë fizike, ia dedikoni pushimet tuaja leximit. Nëse jeni intelektual, kërkoni aktivitete fizike. Nëse jeni i pasur, ju pëlqen të shkoni me pushime në një kamping. Nëse jeni i varfër, i ofroni vetes një javë në një hotel. Ju jeni një udhëtar/e klandestin. Ju pëlqen të shkëputeni nga universi juaj i përditshëm. Për ju, udhëtime të suksesshme janë ato që “ndryshojnë nga e përditshmja”. Kjo është mënyra që keni për të thyer rregullat dhe kodet shoqërore.

Nëse keni më shumë d. Juve ju pëlqen të mos bëni asgjë gjatë pushimeve
Ajo që ju duhet juve, është çlodhja. Ju nevojitet pak kohë për të rigjetur veten. Me siguri, ju nuk bëni pjesë në njerëzit që kanë nevojë për aventura dhe nuk ndjeni nevojën për të ndryshuar mjedis. Pushimet tuaja të preferuara: Një javë në mal, në një vilë të madhe të drunjtë, ose në një plazh të bukur, shtrirë në shezlong, me një tufë librash pranë. Në bagazhet tuaja, ju merrni disa objekte tuajat, që ju lejojnë të rikrijoni mjedisin tuaj të zakonshëm: Një foto, një radio, një kuti të vogël, etj. Ju pëlqen të mos bëni asgjë, por nuk refuzoni edhe pak sport, me kusht që të mos djersisni shumë!

Nëse keni më shumë e. Ju pëlqen t’i ndani eksperiencat tuaja me të tjerët
Të udhëtoni vetëm? Çfarë tmerri! Për ju pushimet përfaqësojnë një moment për t’u kaluar me shoqërinë apo familjen. Kur ishit i/e vogël, ju pëlqente të shkonit në kamp pushimi. Sot, stili juaj i pushimeve është t’i kaloni ato në një shtëpi të madhe, në të cilën mund të mblidhni gjithë tribunë tuaj (familjen, miqtë), për nja 15 ditë. Nëse jeni beqar/e, ju pëlqen të shkoni në një udhëtim të organizuar, me qëllim që të mos jeni vetëm. Bëni shpejt njohje të reja dhe ndër miqtë tuaj janë edhe ata që keni njohur gjatë pushimeve. Si për 40% të pushuesve, pritja dhe takimi përbëjnë kriterin tuaj të parë të kënaqësisë.

Nëse keni më shumë f. Juve ju pëlqen pavarësia
Gjatë pushimeve, ju doni të jeni i/e lirë të vendosni gjithçka, që nga itinerari, çfarë do të hani, aktivitetet tuaja. Nuk bëhet fjalë t’ia besoni organizimin e ditëve tuaja një shoqërie turistike, sepse ju nuk doni vetëm të zgjidhni mes një pingpongu dhe notit, mes kërcimit dhe lojës me letra. Ju doni pavarësinë. Mbase ju pëlqejnë shëtitjet në pyll, apo në mal, të dilni nga shtigjet e rrahura dhe në darkë të flini në një kasolle në mal. Këto pushime të pavarura janë rasti për të qenë vetëm për vetëm me veten tuaj, për të reflektuar. Një lloj terapie, me një fjalë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *