Të nderuar botues të gazetës “Intervista” dhe ju lexues. Po marr guximin të shkruaj historinë e jetës sime, pasi lexova shkrimin me titull “U martova edhe pse isha impotent”. Them “po marr guximin”, për shumë arsye: E para, sepse mendoj se ndonjëherë kam turp edhe nga vetja që pranova të jetoja me këto kushte dhe e dyta, për arsye anonimiteti. Po me keqardhje po vërej se paska dhe të tjerë që paskan probleme të përafërta me të miat. Nuk është se më gëzon fakti që ka edhe çifte të tjera me probleme, por në njëfarë mënyre them se do të gjej kurajon të përballem me personat që më rrethojnë.
Jam 32 vjeçe dhe kam një punë shumë të mirë. U dashurova kur isha 25 vjeçe. E kalova moshën e adoleshencës dhe kohën kur isha në fakultet mbi libra. Pasi u ktheva në qyetin tim të vogël fillova punë dhe isha mirë, puna nuk më lodhte, marrëdhëniet më familjen i kisha të mira për disa arsye. Isha natyrë e qetë, e dhënë pas librave, jam simpatike, kështu që prindërit e mi nuk e kishin me shumë merak martesën time.
– Është e zgjuar, do të dijë të zgjedhë, – thoshte babai, por fatit nuk i dihet asnjëherë.
Në verën pasi kisha bërë një vit shkollë, do martohej një kushërira ime dhe ne ishim të ftuar në dasmë. Shkuam unë dhe babai, sepse mamaja në atë periudhë ishte në Itali te motra (ajo sapo kishte lindur vajzën fëmijën e dytë). Sapo ishte hequr regjimi i vizave dhe shyqyr mamaja do të shikonte se ku jetonte dhe si jetonte motra.
Unë me babain, pasi u krekosëm si për dasmë, arritëm në lokalin ku ishte darka. Kushërira ime, duke qenë se ishte pothuajse moshatare me mua, më kishte zgjedhur si shoqëruese të sajën, kështu që edhe veshja me shumë lloje fustanesh, të them të drejtën, m’i nxori në pah gjithë hiret e mia. Në dasëm kishte goxha njerëz dhe shumica ishin rini. Ishte me të vërtetë dasmë alegro. Kërceva sa filluan të më dhimbnin këmbët, me kushërinj e njerëz që nuk i njihja, por gjithsesi, isha në një ambient të njohur. Sytë më mbetën te një djalë shumë i bukur, i hollë, i gjatë, i veshur shik, që kërcente shumë bukur. E vura re që edhe atij i pëlqeva se sillej e sillte dhe vinte e kërcente me mua. Aty nga fundi i dasmës, si djalë i shkathët që ishte, gjeti mënyrën dhe më dha numrin e tij të telefonit.
Sigurisht që e pranova me kënaqësi. Nuk isha ndier kurrë kështu. Kisha shkuar edhe në dasma të tjera, kisha kërcyer edhe me djem të tjerë, por nuk isha ndier kurrë kaq mirë. Po mbyllej dasma dhe kushërira ime më tërhoqi me sebepin që ta ndihmoja me fustanin. Pasi u larguam pak nga muzika, më tha:
– Djali më i bukur i dasmës, pyeti për ty. E kam kushëri nga mamaja, kështu që mos ki frikë, ju të dy nuk jeni kushërinj. Është djalë shumë i mirë, i urtë, do ta shohësh, do të shkojë mirë. Të uroj shumë fat, motra ime, – më përqafoi dhe u kthyem sërish në qendër të vëmendjes, duke kërcyer.
Dy ditë pas dasmës, u mendova e shkrova, e rishkrova dhe e fshiva disa herë mesazhin që doja t’i nisja Klajdit. S’po dija ç’të shkruaja, si t’ia filloja e të tjera kështu. Më në fund, mora guximin dhe e mora në telefon.
– Po, urdhëroni, – dëgjova një zë shumë të ëmbël nga ana tjetër e telefonit. Edhe zëri ishte i ëmbël, i dashur e përshtatej me pamjen.
– Jam Dona, – i thashë – jemi takuar të shtunën në darkë, në dasmën e Lilit.
– Oh, sa mirë që më more! Në fakt, fillova t’i humbja shpresat se do të më merrje. Po, mirë je?
– Po përpiqem të marr veten nga lodhja e dasmës.. Në fakt, mund të të kisha telefonuar se nuk është ndonjë lodhje e madhe, po as nuk dija se ç’të të thoja, – i thashë.
– Më vjen mirë që je kaq e sinqertë. Atëhere, nesër unë do jem për një inspektim në qytetin tënd. Ke mundësi të pish kafe me mua? – më zuri gafil kjo pyetje.
– Po të mundohem, besoj nuk do kem problem të marr leje në punë! – i thashë.
– Atëhere do të të marr sapo të arrijmë, që të të them që arrita dhe sapo të mbaroj edhe unë atë inspektimin tim, se nuk do ta zgjas shumë, të marr që të vendosim se ku mund të ulemi për kafen. Zgjidhe ti vendin se ku, vetëm më thuaj që ta gjej, se nuk orientohem shumë mirë atje unë.
– Dakord, – thashë, – atëhere, mirutakofshim nesër.
Ankthi që më kapi pasi mbylla telefonin ishte më i madh se ai që kisha para se t’i telefonoja. Nata mezi u zvarrit, orët e para në punë i kalova duke luajtur në kompjuter. Telefoni ra dhe ai më tha:
– Mirëmëngjes. Unë arrita dhe mendoj se për një orë e gjysëm mbaroj. Ku do ta pimë atë kafen?
Pasi i dhashë emrin e lokalit, e sqarova për rrugën se nga do kalonte dhe në orën 11.30, kur e kishim lënë, mbërrita te kafja. Sigurisht, kishte mbërritur para meje, dhe… dukej edhe më i bukur se të shtunën në dasmë. Më ikën edhe ato pesë fjalë që kisha menduar se mund të flisja, aq u hutova.
Pasi u ula në tavolinë, ai, jo vetëm që më mbajti me muhabet, por edhe u kënaqëm. Në fund, kur do të ngriheshim, m’u duk sikur e njihja prej vitesh. Kështu, ai filloi vinte një herë në javë e rrinim në kafe gjithmonë e më shumë. Telefoni tashmë ishte bërë mjeti që e mbaja më shumë në dorë. Gjithë kohën, i shkruanim mesazhe njëri-tjetrit, flisnim darkave me orë të tëra.
Pas pak më shumë se tre muajsh që takoheshim, Klajdi më tha se do bënim mirë sikur t’u tregonim prindërve për shoqërinë tonë. Pasi të takoheshin edhe prindërit tanë, do të vendosnim se çfarë do të bënim. Pasi u takuan prindërit tanë, pasi u pyetën se nga ishin e si ishin që të mos ishim kushërinj, ne vendosëm të shpallnim fejesën. Prindërit e mi u lumturuan sepse me të vërtetë që Klajdi dukej djalë shumë i mirë. Fejesa jonë zgjati tre vjet, sepse një vit ai iku në Hollandë për një master; një vit që m’u duk shumë i gjatë. Qysh pasi u fejuam, sa herë më prekte, ai më thoshte:
– Do të të ruaj për dasmë, të dua të tërën…
Unë skuqesha deri në rrëzë të veshit, ulja sytë e heshtja. Ndërkohë që ishim të fejuar, kaluan tre vite shumë të bukura, por Klajdi më prekte sikur po prekte një princeshë a një lule “mos më prek”. Gjithsesi, ndihesha e llastuar kur isha me të, aq ëmbël sillej.Vendosëm të martoheshim në fillim të korrikut dhe muajin e mjaltit do ta bënim jashtë Shqipërisë. Dasma shkoi shumë bukur dhe unë po prisja me ankth kur të shkonim në shtëpinë tonë. Doja ta puthja, megjithëse isha shumë e turpshme.
– E bukura ime, tani duhet të flasim, – më tha, ndërsa mbylli derën e dhomës së gjumit. U rrënqetha e tëra. Ndërsa m’u afrua, ai hoqi xhaketën dhe filloi të më hiqte kapëset nga flokët. Kaçurrelat e mia binin dhe ai më puthte herë në ballë e herë dorën. – Dua të të them diçka që ti dhe unë bashkë duhet ta mbajmë sekret… – tha më në fund.
– Po të dëgjoj! – thashë.
– E ëmbla ime, unë jam homoseksual dhe kam të dashur. Ne të dy duhet të bëjmë një pakt me njëri-tjetrin, që gjithçka të funksionojë siç e kam menduar…
Unë u shokova dhe nuk dija ç’të thosha… vetëm nisa të qaja dhe e pyesja se pse ma kishte bërë këtë…
– Më pëlqeve shumë kur të pashë në dasëm dhe mendoja se mund të ndryshoja preferencat e mia seksuale, por unë nuk të shoh dot ndryshe, veçse si motrën time. Pastaj, nëse do të ndaheshim pasi u fejuam, të gjithë do të mendonin keq për ty. Ti je kaq e mirë, sa më vjen keq se çfarë të bëra ty dhe vetes. Ti e kupton, opinioni… këtu…
– E cila është zgjidhja jote? – e pyeta ndërkohë që dridhesha nga nervat apo dashuria ime e humbur…
– Ne do të vazhdojmë të jemi të martuar. Ndërkohë që unë për kënaqësinë time e kam të dashurin tim, ti je e lirë të zgjedhësh kë të duash për të dashur, të mbetesh edhe shtatzënë dhe fëmijën e rrisim bashkë.
U shokova nga ç’dëgjova natën e parë të martesës sime. Çfarë prisja e çfarë më doli.
– Po shtrihem të fle se jam shumë e lodhur. Do ta mendoj dhe do të të kthej përgjigje… – i thashë. Ndërkohë që Klajdi u afrua të më ndihmonte me fustanin, u largova për t’i dhënë të kuptonte që nuk doja të më prekte.
– Desha vetëm të të ndihmoj… – më tha.
Iku jo vetëm nata e parë, por edhe shumë net të tjera e unë isha as në tokë, as në qiell. Si mund të jetoja në këtë mënyrë? Të ndahesha nuk mundesha sepse unë e doja, e kisha ushqyer veten me aq shumë ndjenja për të, isha e sapomartuar dhe prindërit e mi do të kërkonin të gjenin shkakun. E cili ishte ai? Klajdi më kishte thënë që të mos tregoja.
Klajdi kishte shumë miq në Tiranë dhe sapo u kthyem nga muaji i mjaltit, fillova punë. Një ditë dolëm me Klajdin për kafe dhe në tavolinë na erdhi një djalë tjetër. Sapo e pashë, e kuptova kush ishte. E urreva me gjithë forcën time…
– Të lutem, mos më shiko me aq inat, – më tha. – Mos kërko fajtorë në këtë histori, problemi qëndron se sa do ta përballojmë të gjithë këtë mënyrë jetese. Nuk po të kërkohet vetëm ty të kesh të dashur ilegal. Edhe ne të dy do jemi ilegalë me njëri-tjetrin.
Ndërsa ditët kalonin, Klajdi më merrte gjithmonë me vete, më prezantonte me shokët e tij. Ishte shumë i sjellshëm, kujdesej shumë për mua që të mos më mungonte asgjë. Më në fund, pas një viti e gjysëm që dilnim bashkë me shokët e tij, më kishte pëlqyer njëri që më kishte prezantuar. I thashë Klajdit.
– Epo, do të të mësoj unë se çfarë i pëlqen atij e ta bësh për vete, – më tha.
Problemi më i madh që na doli ishte s’mund ta takoja, ndërkohë që isha e virgjër. E si t’ia bënim? Hajde, u rregullua dhe ajo punë për dreq dhe më në fund, vetë Klajdi na lidhi, kuptohet, pa i rënë në sy shokut të vet. Lidhja jonë vazhdon në të njëjtën mënyrë dhe sot, pas 4 vitesh, vajza ime është bërë 3 vjeçe. Është copa e yllit. Të gjithë thonë që i ka ngjarë Klajdit, por në fakt, ajo është si i babai i saj i vërtetë.
Kur shoku i Klajdit vjen në shtëpinë tonë, unë ndërkohë dal me vajzën shëtitje apo për pazar. Ata të dy më duken të lumtur së bashku dhe sillen shumë mirë me mua e me vajzën. Klajdi e trajton vazën si të jetë fëmija i tij i vërtetë. Aq shumë kujdeset për të, sa habitem si nuk mundi ta sforconte veten dhe të ishte ai babai biologjik i fëmijës sonë dhe jo të më kërkonte të kisha fëmijë me një burrë tjetër. Nuk kuptoj shumë gjëra nga kjo lloj tërheqje seksuale, ose unë jam shumë e shëmtuar, ose me të vërtetë kjo është sëmundje për këta lloj meshkujsh.
Me të dashurin tim takohemi vazhdimisht, por po jetoj si të jem në film e jo si të jetë jeta ime.
Kjo histori ka një të mirë. Kur kemi punë, për vajzën gjithmonë ka person të gatshëm e të lirë që të shkojë ta marrë në kopsht. Babai biologjik kuptohet që kujdeset me shumë dashuri, por nuk arrin të bëjë pyetjen nëse është fëmija i tij, apo jo. Ai kujdeset në mënyrë të fshehtë për mua që jam e dashura e tij, më pyet edhe për vajzën, por pa qenë i sigurtë për ta vazhduar pyetjen më tej.
Klajdi dhe shoku i tij kujdesen për vajzën dhe mua se duan që t’u ruaj sekretin apo se me të vërtetë më duan si motrën e tyre dhe vajzën, si mbesë. Nuk e di sa do të vazhdoj ta bëj këtë lloj jete, me këtë lloj brengre që kam të dashur dhe që s’kam burrë, që babai i vajzës nuk mund të jetë babai i vajzës…